Enida Vërça

26 nëntor 2019… Ora 04:00. Kishin kaluar vetëm 5-6 minuta nga tërmeti i madh. Në Tiranë, Durrës, Laç, Lezhë,Thumanë etj., të gjithë ishin zgjuar, jashtë dhe në ankth.

Eh, nga t’ia nisnin, kë të telefononin, ku të pyesnin, pse nuk po përgjigjeshin? 112, 127, 128, 129… Qindra telefonata me dhe pa adresë. Nga Durrësi, nga Durrësi! Prej andej po vijnë më shumë thirrje. Është shembur pallati në Thumanë… Shok total… Tragjedi…

Situata

Në telefonat e stafit të Qendrës Kombëtare të Urgjencës, drejtori, Skënder Brataj bënte thirrje për mobilizim të shpejtë, jo vetëm për personelin e turnit, por për gjithë stafin. Dhe përtej çdo pretendimi a justifikimi, gatishmëria ishte absolute. Juna Hitaj ishte njëra prej tyre. Mjekja la familjen dhe në kohë rekord u nis dhe mbërriti atje ku jehonin thirrjet dëshpëruese për ndihmë. Ajo tregon për “Shekulli”-n se pas dridhjeve të para të tërmetit, ashtu e frikësuar dhe me mendjen nga familja, vendosi të ishte në krye të detyrës dhe t’i shërbente banorëve të prekur. “Para çdo profesioni jemi njerëz. Kisha frikë! Pak pas tërmetit, në momentin që ra telefoni u bëra gati shumë shpejt, dhe pasi mbërrita në Qendër (QKUM), në pak minuta ndamë destinacionet dhe mbërritëm shumë shpejt. Me pas u ndanë ekipet e urgjencës dhe mua më dërguan në Durrës te pallati 6-katësh. Ishte një ndër pallatet më të mëdha që ishte shembur. Kur arritëm aty ishte ora 06:00. Ishte një situatë shumë e vështirë. Dëgjoheshin zëra nën rrënoja, por nuk kishte shumë fushëpamje. Edhe në tërmetin e orës 07:00, unë isha aty, ishte e frikshme. Më pas nga pastrimi i rrënojave, u hap kanali i komunikimit me vajzën e cila ishte nën rrënoja. Diena, nëna 30-vjeçare ishte koshiente për situatën, por ishte e bllokuar bashkën me vajzën e saj, Esielin, 8-vjeç. Vajza ishte e vdekur në trupin e Dienës. Gjatë gjithë kësaj kohe ne i shërbyem, dhe ishte shumë e vështirë për t’u nxjerrë”, tregon Dr. Juna.

Dhimbja

“Trishtimi të bën të duash perëndimet”, shkruan Antoine De Saint-Exupery, por mëngjesin e zi të 26 nëntorit, të gjithë kërkonin lindjen, diellin, shpresën, jetën… Therëse ishin britmat nga rrënojat, por ulëritëse ishin edhe thirrjet e njerëzve që kishin ngelur pa gjak dhe me sytë nga qielli. Juna tregon për forcën e Dienës dhe familjarëve të tjerë të cilët shpresonin në një mrekulli të ndodhte. “Ajo ishte shumë e fortë. Në disa momente e kapte paniku dhe e thërriste nga poshtë se nuk kishte më motiv për të jetuar, pasi vajza ndodhej në trupin e saj pajetë. Ka rezistuar shumë. Kjo situatë ka zgjatur rreth 16 orë dhe me pas e nxorëm nga aty me parametra të dobët. Në ambulancë iu dha ndihma e parë, iu bë masazhi kardiak, por fatkeqësisht në spital nuk arriti të mbijetojë”, thotë ajo.

Medalja

Juna është vlerësuar pak ditë më parë me medalje edhe pse është vetëm 26 vjeç. E para në detyrën e saj si mjeke. “Unë jam në fillimet e karrierës sime. Është një medalje që nuk e prisja. Ne ishim një ekip i madh dhe ajo medalje na përket të gjithëve. Jam e nderuar, edhe pse shpresoja që këtë falënderim ta merrja për diçka tjetër. Uroj që mos të kemi më situata të tilla”, shprehet mjekja në karrierë.

Flash Lajme

Më të lexuarat