Edhe pse Agim Kajmaku është në kërkim nga policia, bashkëshortja e tij ende fiton tendera publik.

Në buletinin e fundit të Agjencisë së Prokurimeve Publike rezulton fituese e një tenderi me vlerë mbi 5 milionë euro kompania “Kajmaku sh.p.k”, për mirëmbajtjen e luleve dhe hapësirave të gjelbërta në mjediset e QSUT.

Biznesi në fjalë rezulton të jetë në pronësi të Merita Kajmakut, bashkëshortes së ish-kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku.

Ky i fundit është prej disa muajsh në kërkim nga Policia, megjithatë biznesi vazhdon të funksionojë normalisht.

Siç pasqyrohet edhe në ekstraktin e QKB-së, Kompania “Kajmaku sh.p.k” me nipt “K83725201G” është në pronësi të Merita Kajmakut, bashkëshortes së ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku.

Ndonëse Agim Kajmaku është në kërkim nga Policia e Shtetit, tenderi është prokuruar nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, një institucion në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Në 15 korrik të 2019-s duket se Agim Kajmaku hoqi dorë nga biznesi duke ia kaluar bashkëshortes të gjitha aksionet. Ai u shkarkua nga detyra si kryebashkiak për mos deklarim të dënimit në Greqi, e mandej u zbulua se ai kishte falsifikuar dokumentet duke ushtruar detyrën e kryebashkiakut të Vorës dhe pas shkarkimit.

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Agim Kajmakut, i cili akuzohet për “falsifikim formulari”, “falsifikim dokumentash” dhe “përvetësim posti”.

Flash Lajme

Më të lexuarat