Organizata Botërore e Shëndetësisë, një ditë më parë ka shpallur në gjendje emergjence shëndetësore situatën në Kinë. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka lëshuar një urdhër për institutin e Shëndetit Publik, ku i kërkon të merren masa parapërgatitore për t’u mbrojtur nga depërtimi i koronavirusit të ri.

Ndërkohë që Shqipëria konsiderohet një vend me rrezikshmëri të ulët për sa i përket përhapjes së koronavirusit, ISHP duhet të përforcojë survejancën e infeksioneve të rënda respiratorë akute, në bashkëpunim me të gjitha spitalet e vendit.

Ndërkohë, urdhri specifikon që Instituti i Shëndetit Publik të përgatisë përkufizimin e rastit, kur një pacient përkufizohet i prekur nga koronavirusi që ta kenë të qartë të gjithë mjekët.

Gjithashtu, kërkohet edhe një udhëzues për menaxhimin e rasteve në përputhje me rregulloren ndërkombëtare të shëndetit.

Duke iu referuar zyrës së komunikimit në Aeroportin Nënë Tereza, mësohet se është gati një ambient i posaçëm për të izoluar ndonjë rast të mundshëm apo të dyshuar.

Por, ekspertët theksojnë se risku i depërtimit është i vogël, pasi ne nuk kemi linja ajrore direkte me Kinën. Gjithashtu, udhëtarët që vijnë në vendin tonë skanohen më parë në aeroportet nga vijnë.

Flash Lajme

Më të lexuarat