Neritan Gjergo

Katër ditë pas lajmit të publikuar nga “Shekulli” për konsensusin  e zgjedhjeve të parakohshme dhe një ditë pas deklaratës së Lulzim Bashës se zgjedhjet para kohe do të dalin nga marrëveshja për Reformën Zgjedhore, fjalën e ka marrë Taulant Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, as pohon e as e mohon që do të ketë zgjedhje të parakohshme, por nuk e sheh të arsyeshme që një vendim i tillë të diskutohet me opozitën. Madje, në komentin e tij në FB, Balla nuk ngurron ta etiketojë si fantazi, “marrëveshjen” e përmendur nga Basha.

“Lulzim Basha paska “konfirmuar” marrëveshje për zgjedhje të parakohshme! Mbase kjo i vlen si një fantazi e re për të mbajtur ca muaj të tjerë me oksigjen simotrën dhe sivëllezërit e aleancës jashtëparlamentare dhe e mirëkuptojmë. Por zgjedhjet e parakohshme nuk janë temë e dialogut me atë aleancë, d.m.th as me Lulzim Bashën”, shkruan ai.

Sipas variantit të Bashës në intervistën e dhënë për  “Abc News,  do të jetë marrëveshja për Reformën Zgjedhore me Edi Ramën ajo që do prodhojë edhe zgjedhjet e parakohshme.

“Ne i qëndrojmë propozimit tonë për një qeveri tranzitore jo vetëm për të kaluar këtë krizë. Është një qëndrim që ne nuk tërhiqemi. Është i shkruar në dokumentin që u paraqit të hënën. 100 ditë para zgjedhjeve vendi të ketë një qeveri tranzitore”, ka thënë Basha.

Ndërkohë, reagimi i Ballës për këtë deklaratë:

Dialogu ka nisur për Reformën Zgjedhore dhe brenda kornizës së qartë të rekomandimeve të OSBE/ODHIR. Prandaj nga Lulzim Basha dhe aleanca jashtëparlamentare mirëpritet çdo kontribut me ide për depolitizimin e administratës zgjedhore dhe për çdo rekomandim tjetër. Idetë jashtë kësaj kornize kryetari i PD mund t’i diskutojë dhe konfirmojë jashtë Parlamentit me aleancën e tij, por jo me Partinë Socialiste.

Në fund të shkrimit Balla sqaron se në mungesë të kryeministrit që është i angazhuar me punë të mëdha, punët e vogla i ka marrë përsipër vetë.

* Sqaroj se e dhashë unë këtë përgjigje, sepse Kryetari Rama është plotësisht i angazhuar me Rindërtimin dhe angazhimet e tjera të mëdha si Kryeministër dhe si Kryetar i OSBE gjatë vitit 2020. Prandaj as nuk merret asnjë minutë dhe as nuk mund të prononcohet për çështjet që lidhen me bashkëpunimet apo ndërveprimet partiake.



Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All