Vendimi për rritjen e pagës minimale, si do të ndikojë ky vendim tek bizneset, si do të pritet nga ekonomia dhe a do të ndikojë kjo në punësim dhe në shkurtim të vendeve të punës? A duhet që paga minimale të vendoset nga vetë tregu pa qenë e nevojshme të përdoren politika detyruese? Flet për “Shekulli”-n eksperti i ekonomisë, Besart Kadia i cili jep informacione dhe përshtypjet e tij në lidhje me këtë vendim për rritjen e pagës minimale nga 1 janari i vitit 2021.

Briselda Hoxha

Vendimi i rritjes së pagës minimale ngjall debate tek ekspertët e ekonomisë dhe tek bizneset. Kryeministri Rama, bëri të ditur në fjalën e tij në Kongres, që nga 1 janari i vitit 2021, do të rritet paga minimale me 4 mijë lekë, pra do të jetë 30 mijë lekë. Kjo temë sjell goxha diskutime. Rritja e pagës minimale do të vazhdojë të mbajë të paprekur kategorinë e tatimit mbi të ardhurat, pasi tatimi për të ardhurat për rrogat deri në 30 mijë lekë, është zero. Kur themi që do të rritet paga minimale, normalisht kuptohet që do të rritet edhe paga maksimale dhe sipas ligjit, edhe paga maksimale rritet në të njëjtat nivele si paga minimale. Pra, ndryshimet që do të bëhen në lidhje me pagën minimale, do të ndikojnë edhe në atë maksimalen. Për të bërë më të qartë se çfarë do të thotë në mënyrë më të gjerë vendimi për rritjen e pagës minimale, si do të ndikojë ky vendim tek bizneset, pra në kostot dhe investimet, gjithashtu edhe në konkurrencën e tyre, si do të pritet nga ekonomia dhe a do të ndikojë kjo në punësim dhe në shkurtim të vendeve të punës, flet për “Shekulli”-n eksperti i ekonomisë, Besart Kadia.  Ai shprehet se ky vendim për rritjen e pagës minimale vjen si rezultat i presionit politik nga të gjitha krahët dhe gjithashtu thotë që në letër është kollaj të shkruhet se do të rritet paga minimale por është vështirë të zbatohet në realitet pasi do të rrisë koston e punësimit për bizneset dhe me gjasa në rritje të papunësisë në vend. Kadia thotë se është duke u dëmtuar tregu i punës në vend dhe nuk duhet të rrisim në mënyrë artificiale pagën minimale si politikë sociale pa marrë parasysh efektet në ekonomi. Eksperti shprehet se është vënë re se punëtorët paguhen realisht më pak nga sa është paga minimale zyrtare. Zyrtarisht bizneset paguajnë pagën minimale por me ujdinë e fshehur me punëtorët  për t’ia rikthyer paratë biznesit. Sipas tij, FMN thotë se paga minimale në Shqipëri nuk duhet rritur. Po ashtu një pagë minimale kombëtare prish konkurencën mes rajoneve ekonomike të Shqipërisë. Për më tepër detaje në lidhje me ato që përmendëm më lart, lexoni më poshtë intervistën e plotë të mundësuar nga “Shekulli” me ekspertin e ekonomisë, Besart Kadian.


Z.Besart Kadia, si e komentoni ju vendimin për rritjen e pagës minimale në 300 mijë lekë të vjetra?

Unë mendoj se ky vendim vjen si pasojë e presionit politik nga të gjitha krahët për rritjen e pagës minimale. Mendoj se është një vendim i lehtë në letër për t’u marrë por i vështirë për t’u aplikuar në realitet. Nuk mendoj se vendimi arbitrat i qeverisë për të rritur nivelin e pagës minimale do të ndihmojë në të vërtetë të varfërit. Ajo do të ndihmojë vetëm qeverinë pasi do të rrisë të ardhurat nga sigurimet shoqërore, por do rrisë koston e punësimit për bizneset dhe me gjasa në rritje të papunësisë në vend. Mos harrojmë se para pak kohësh u diskutua në publik për përjashtimin nga skema e ndihmës ekonomike të mbi 70 mijë familjeve të varfëra në Shqipëri. Ky është një vendim jo i mirë nga ana e qeverisë socialiste në një kohë kur të dhënat tregojnë për një përkeqësim të nivelit të varfërisë në vend sipas Bankës Botërore. Por në këtë debat herë pas here është sugjeruar dhe rritja e pagës minimale si një politikë e cila do të ndihmonte të varfërit. Në fakt në qëndrimin e shumë ekonomistëve të djathtë paga minimale përkeqëson varfërinë në një vend, pasi rrit kostot e biznesit e për rrjedhojë papunësinë në vend. Për këtë arsye paga minimale në Shqipëri duhet të hiqet ose të aplikohet një pagë minimale rajonale. Është jo e drejtë që një biznes në një qytet të varfër si në Kukës, të detyrohet të paguajë një pagë 30.000 lekë, njësoj si me Tiranën. Në Kukës për shembull, kjo pagë është realisht më e lartë se paga minimale në Tiranë për nga fuqia blerëse. Duke ulur për rrjedhojë, konkurrueshmërinë e qyteteve të varfëra.

A do të ndikojë ky vendim në punësim?

Unë mendoj se kjo është një politikë sociale me pasoja negative në ekonomi dhe që godet kryesisht të varfërit në vend. Ajo vendos në mënyrë të njëanshme koston e punës mbi biznesin pa zgjidhur aspak problemet e varfërisë. Kjo është një politikë e cila çon në informalitet, çon në më pak punësim e në konkurrencë të ulët të firmave me shtetet e tjera.  Për arsye jo ekonomike, por politike, qeveritë kanë vendosur kryesisht këtë pagë për të lehtësuar veten në mbledhjen e sigurimeve shëndetësore e shoqërore, e nga ana tjetër për t’i treguar elektoratit se po bën diçka për të ndihmuar shtresat e varfëra në vend.  Presioni i publikut për të rritur pagën minimale në vend ka dëmtuar tregun e punës në Shqipëri

Po në kostot e biznesit, në sigurimet shoqërore?

Teksa Shqipëria ka pagën më të ulët në Europë, në vlerë nominale ajo ka pagën minimale ndër më të lartat krahasuar me të ardhurat mesatare. Para pak muajsh në një raport të Eurostat, media vendase ngriti shqetësimin se Shqipëria ka pagën minimale më të ulët në Europë, dhe në vlerë monetare kështu është. Kudo në diskutim publik u tha se qeveria duhet të bëjë diçka për këtë problem. Të dhënat nga Eurostat tregojnë se ne kemi pagën minimale të barabartë me 220 euro në muaj, ndërkohë që shtete të tjera si Serbia e kanë pagën minimale 285 euro në muaj. Menjëherë u ngrit zëri se është në interes publik që ne të rrisim pagën minimale në vend e qeveria duhet të bëjë diçka për këtë. Kjo do të ishte një politikë e gabuar e në një moment jo të mirë për ekonominë tonë! Ajo që nuk u tha, dhe nuk thuhet nga ekonomistët vendas, është fakti se Shqipëria ka pagën minimale ndër më të lartat në Europë si përqindje e të ardhurave për frymë të popullsisë. Përshembull, të ardhurat vjetore nga paga minimale në Shqipëri janë sa 56% e të ardhurave për frymë sipas FMN. Ndërkohë që shtete si Çekia e Lituania kanë të ardhura nga paga minimale sa 28% e të ardhurave për frymë të tyre.  Cfarë ndodh në realitetin shqiptar? Në pyetësor të ndryshëm të kryer në biznese që mbështeten në krahun e lirë të punës është vënë re se punëtorët paguhen realisht më pak nga sa është paga minimale zyrtare. Zyrtarisht bizneset paguajnë pagën minimale por me ujdinë e fshehur me punëtorët  për t’ia rikthyer paratë biznesit. Pra po të ishte në të njëjtat nivele si Çekia e Lituania atëherë paga minimale në vend duhej të ishte afërsisht 14 mijë lek në muaj.  Kjo nuk do të thotë se ne duhet të bëjmë çmos që të mbajmë pagën minimale sa më të ulët në krahasim me të ardhurat mesatare të vendit. Por po ashtu nuk duhet të rrisim në mënyrë artificiale pagën minimale si politikë sociale pa marrë parasysh efektet në ekonomi. Kështu ne jemi duke dëmtuar tregun e punës në vend. Kjo rrit kostot për bizneset dhe papunësinë në vend sidomos për ato shtresa sociale që kjo politikë mundohet të ndihmojë.

Sipas mendimit tuaj, ky vendim a do të ulë konkurrencën e bizneseve dhe investimet e tyre?

Paga minimale nuk duhet përdorur si politikë sociale. Megjithëse u argumentua pak nga ekonomistë vendas vendimi i qeverisë për të rritur pagën minimale në sektorin publik në 30 mijë lek vitin e kaluar, ishte një hap i parakohshëm dhe që do të dëmtojë tregun e punës në vend. Paga duhet të reflektojë produktivitetin e ekonomisë. Nuk mundet që sektori publik të rrisë pagat minimale me 36% me një vendim të njëanshëm politik por pa argumentuar se si kjo do të ndikojë në tregun e punës në vend. Sektori shtetëror ka patur rritje të pagave më të shpejta e më të larta sesa sektori privat duke rritur presionin në tregun e punës për rritje pagash dhe në sektorin privat, pamvarsisht faktit që rendimenti në punë nuk ka ndryshuar. Sipas të dhënave nga FMN e OECD në rastin e Shqipërisë pagat u rritën më shpejt e më shumë sesa u rrit produktiviteti i punonjësve nga viti 2010-2015, duke reflektuar kosto më të larta për bizneset sesa përfitimi që ato kishin. Të dhënat tregojnë se teksa punëtorët shqiptar e kanë produktivitetin për orë pune sa 61% e mesatares së Europës Lindore, pagat që ata marrin janë sa 76% e mesatares së Europës Lindore. Kjo diferencë duhet të kalohet vetëm nëpërmjet rritjes së investimit për kualifikimin e punëtorëve. Të dhënat tregojnë se përqindja e forcës punëtore me arsim 9-vjecar është më e lartë në Shqipëri se në cdo shtet tjetër të Europës Lindore. Po ashtu stoku i kapitalit për frymë në Shqipëri është ndër më të ultët në Europë (22% e mesatares së BE-së). Ndaj Shqipëria duhet të bëjë çmos që kapitalistët e saj të paktë t’i ndihmojë e t’i krijojë të gjithat mundësitë që të vazhdojnë të investojnë në Shqipëri. Me të dhënat e mësipërme kapitali njerëzor në Shqipëri ka performancë të ulët në krahasim me ekonomitë e tjera e është shumë pak konkurues. Paga minimale, megjithëse e ulët, është sërisht një politikë rregullatore në tregun e punës që nuk ndihmon realisht të varfërit e vendit. Kapitali njerëzor që Shqipëria ka nuk mundet të çojë në rritje të lartë të ekonomisë sa ta uli varfërinë. Rritja e stokut të kapitalit fizik vjen vetëm nga investitorët e mëdhenj të cilët duhen favorizuar sa më shumë për të investuar në vend. Padashje në këto kohë të vështira ekonomike të gjithë po vrapojnë për politika të majta e populiste duke harruar se ato janë vetë problemi.

A mendoni që paga minimale duhet të vendoset nga vetë tregu pa qenë e nevojshme të përdoren politika detyruese?

Po mendoj se kjo do të ishte hapi i duhur. Qeveria në këtë rast po vazhdon politika populiste të cilat në periudhën afatgjatë do të ekspozojnë mungesën e konkurrueshmërisë, të presionit të pensioneve dhe do të detyrohet herë pas here të rrisë pagën minimale për të mbushur artificiliasht skemën e sigurimeve shoqërore, sidomos kur po bie numri i popullsisë.

Shkurtimi i vendeve të punës dhe ulja e investimeve nga bizneset, si pritet nga ekonomia?

Sipas FMN kjo pagë minimale relativisht e lartë godet më shumë të rinjtë që duan të futen në tregun e punës. Sipas FMN papunësia afatgjatë në vend zë mbi gjysmën e papunësisë totale duke treguar probleme serioze strukturore të ekonomisë sonë. Papunësia te të rinjtë është mbi 30%, megjithëse statistikat zyrtare duhen parë me rezerva, duke treguar qartë se paga minimale relativisht e lartë me të ardhurat mesatare në vend nuk lejon një numër më të lartë punësimi të të rinjve. Për këtë arsye FMN thotë se paga minimale në Shqipëri nuk duhet rritur. Po ashtu një pagë minimale kombëtare prish konkurencën mes rajoneve ekonomike të Shqipërisë. Në rajone të varfëra si veri-lindja e shqipërisë ku varfëria arrin deri në 25% të popullsisë, paga minimale prej 30 mijë lekësh është shumë e lartë dhe jo konkuruese. Shumë biznese do të ishin të gatëshme të zhvendoseshin në prodhim në këto zona në rast se qeveria shqiptare do të mendonte gjithashtu për pagë minimale të ndryshme sipas rajoneve ekonomike, siç e ka për shembull Gjermania sot.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

Flash Lajme

Më të lexuarat