Rëndohet bilanci në Shqipëri. Në 24 orët e fundit janë shënuar dy viktima nga virusi Korona, duke e çuar në 10 numrin e të vdekurve. Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se numri I të prekurve ka shkuar në 197, 4 prej të cilëve janë në gjendje kritike.

Deri tani 33 persona janë shëruar dhe testet e kontrollit kanë rezultuar negativë. Ministria e Shëndetësisë apeloi qytetarët të respektojnë me shumë rigorozitet rregullat e izolimit dhe distancimit social.

Gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë dy pacientë në shërbimin e sëmundjeve infektive pranë spitalit universitar “Nënë Tereza” në Tiranë, midis të cilëve është një person 67 vjeç nga Tirana dhe një grua 72 vjeçare nga Vlora. Deri në këto momente janë regjistruar 197 raste gjithsej të konfirmuara në Shqipëri dhe janë testuar 1325 raste prej rasteve të dyshuara apo rasteve të cilat kanë qenë të mundshme – deklaroi Silva Bino, Instituti i Shëndetit Publik, Shqipëri.

Po ashtu si edhe një javë më parë, kryeministri Rama njoftoi se Shqipëria izolohet për 40 orë, nga ora 13:00 e së shtunës deri në orën 05:00 të së hënës. Të gjendur në këtë situatë, qytetarët janë dyndur për të marrë furnizimet e nevojshme para orës 13:00, kur dhe u mbyllen të gjitha tregjet, dyqanet, madje edhe farmacitë. Kjo situata ka ndodhur në Tiranë, por edhe në Shkodër e qytete të tjera në vend. Ndërkohë, rregullat ndryshojnë edhe nga e hëna, kur do të lejohet të dalë vetëm një person edhe ai për të bëra pazaret.

Ndërkohë në Kosovë, Qeveria ka vendosur që të ndryshojë orarin e ndalimit të qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve private, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë, duke ndaluar qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve private gjatë orës 17:00 deri në orës 06:00 si dhe ka ndaluar që qytetarët të qarkullojnë nëpër sheshe të hapura. Deri më tani në Kosovë janë regjistruar 88 raste me koronavirusin e ri, ndërkaq një pacient ka vdekur./Alsat-M

Flash Lajme

Më të lexuarat