Vëzhgimi në Tiranë/ “Radhët e gjata për bukë në këto kohë, po na kujtojnë radhën e qumështit dikur. Ka vetëm një ndryshim, sot jemi në kohën dixhitale”

Enida Vërça

Ajri është pastruar ndjeshëm, por frymëmarrja e shqiptarëve bllokohet nga dita në ditë. Zymtësia është prezente në të gjitha familjet tona. Përpjekjet për t’u ruajtur dhe shpresa se me distancimin fizik, do arrijmë të mbrohemi, duket se nuk po funksionon sa duhet. Rrugët e kryeqytetit janë të mbushura çdo ditë, të tilla ishin edhe sot. Me dhjetëra qytetarë, të kapur dorë për dore, turma-turma, kishin dalë, me apo pa arsye. “Shekulli”, ishte i pranishëm këtë të enjte në disa nga zonat më problematike, siç është “Pazari i Ri”, “Rruga e Elbasanit”, zona e “Brrylit”. Me rrugët plot dhe duart bosh, qytetarët shprehen se vetëizolimi po bëhet i vështirë dhe se nëse kjo gjendje zgjat për një kohë të gjatë, familjet e tyre nuk do të mund të përballojnë më fundin e javës, jo më muajin.

Qytetarët

Banorët në Tiranë thonë se janë të frikësuar nga kjo sëmundje e padëgjuar më parë, por më shumë janë të shqetësuar se çfarë do të ndodhë kur kjo epidemi të mbarojë. Si do të rinisë jeta edhe njëherë, si do t’i kthehen normalitetit dhe si do të mbajnë të paprekur vendet e punës, me të cilat mbajnë familjet gjallë. Edlira, thotë se punon në një kompani private. Puna është pezulluar prej më shumë se tri javësh dhe e gjithë familja e saj varet nga kjo rrogë. “Nuk e dimë çfarë do bëhet. Burrin e kam pa punë. Fëmijët në shkollë. Unë pres rrogën tani, që të shlyej detyrimet. Është shumë e vështirë. Ne ekonomi të dobët kemi patur edhe kjo na duhej dhe u fundosëm”, shprehet ajo.

Masat

Halimi, ka dalë sot për të bërë furnizimet e nevojshme. Ai shpreson se me masat e marra do të t’i rikthehemi shpejt ditëve normale, por është i vetëdijshëm që ato nuk po respketohen. “Ja ti e shikon vetë. Njerëzit dalin, ka shumë që mbarojnë punët që duhet, por ka edhe shumë që dalin se nuk u rrihet në shtëpi. Ata mirë e kanë që thonë, ruhuni, mos dilini, mos bëni, po në fund të ditës fëmija do të hajë. Do dalim, si t’ia bëjmë?”, pyet ai. Më tej thotë se pajtohet me udhëzimet dhe izolimin, por sipas tij nuk ka dhënë ndonjë efekt deri më tani. “Unë e kuptoj që të gjithë janë në këtë situatë, po deri tani situata duke e njëjtë. Kemi 3 javë në shtëpi dhe prapë mesatraisht 14 raste në ditë janë. Nuk po e kuptojmë këtë gjë”.

Radhët

Ashtu si para ardhjes së Covid-19 edhe kjo paradite e së enjtes në pamje të parë duket e njëjtë. I vetmi ndryshim që vihet re, janë maskat dhe dorezat, të përdorura në masë. Radhët vazhdojnë të funksionojnë si më parë. Udhëzimet e vendosura në dyert e furrave të bukës, për 2 m distancë, duket sikur nuk përfillen. Fatmiri, i cili ka më shumë se 30 minuta që pret për të marrë bukën thotë: “Këto radhët e gjata të bukës në këto kohë, po na kujtojnë radhën e qumështit dikur. Ka vetëm një ndryshim, sot jemi në kohën dixhitale (qesh). I pyetur nëse po mbahet distancë dhe po respketohet radha, ai thotë se këto janë zakone të vjetra dhe sjellje që nuk mund të ndryshojnë as nga Covid-19. “S’ka gjë që e ndryshon shqiptarin, do e ndryshojë koronavirusi”. Radhët e gjata dhe pa respektim distance, vihen re edhe në ATM e bankave, kompanitë e celulare, apo edhe markete.

Abuzimet

Të fituarit e kësaj beteje të pazakontë, duket se janë tregtarët. Qyterarët shprehen se nga momenti i pandemisë, çmimet janë rritur ndjeshëm. Abuzimet më të mëdha janë te fruta-perimet. Në majën e pirgut të tyre janë vendosur çmimet, shoqëruar me një pankartë “Mos e prekni mallin pa doreza”. 1 kg limonë kushton 300 lekë , ndërsa 1 kg barbunja, 350 lekë. Blerimi i cili punon prej vitesh në rrugën e Elbasanit pohon se çmimet janë njësoj në çdo treg. “Çmimet janë rritur nga tregu furnizues, ne nuk mund të shesim më pak se sa i marrim se për bukën e gojës po punojmë”, shprehet ai. Ndërkohë Ismeti, i cili pret të blejë disa fruta thotë se kurrë më parë nuk e ka blerë kg e limonit 3 mijë lekë. “Shumë janë rritur, çmimet janë në stratosfer. Nuk është koha për abuzime të tilla, ne jemi në luftë për bukën e gojës sot.” Emëruesi i përbashkët i të gjithë qyetarëve që vërshonin sot në drejtimet të ndryshme, ishte besimi. “Inshallah ia dalim, Zoti na ndihmoftë!”

Covid-19Tiranëvëzhgimi

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

Flash Lajme

Më të lexuarat