Një hulumtim në paketat e ndihmës për artistët në botë dhe në Shqipëri dhe një bisedë me Presidentin e Sindikatës së Pavarur të Artistëve në Shqipëri, Reshat Ibrahimi. Ky i fundit  tregon dy anët e medaljes për artistët në vend

Lorena Resulaj

Qeveria shqiptare ka prezantuar deri më tani dy paketa financiare, për t’ju ardhur në ndihmë qyetarëve në këtë kohë pandemie, kur ekonomia është paralizuar. Në paketat e ndihmës financiare janë përfshirë të punësuarit në biznese të vogla, një pjesë nga sektori i turizimit dhe një pjesë që janë pezulluar e larguar nga biznesi i madh.

Në asnjë rast qeveria nuk ka përmendur sportistët dhe sektorin artistik, madje disa ditë më parë kryeministri theksoi se ata mund ta kalojnë fare lehtë këtë periudhë pa ndihmë nga shteti . “Në këtë moment artistët, këngëtarët, sportistët duhet që të shohin rreth e rrotull se ka shumë më keq se ata. Nëse lufta vazhdon, ndoshta mund t’i ndihmojmë”, u shpreh Rama para pak ditësh i ftuar në emisionin “Opinion”.

Në këtë rast kjo deklaratë vlen vetëm për artistët që punojnë si “freelancer” apo të pavarur. Në një prononcim për “Shekulli”-n, presidenti i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë, z.Reshat Ibrahimi u shpreh se edhe artistët që kanë një kontratë individuale apo kolektive nuk janë përfshirë në paketën financiare, por ata vazhdojnë të paguhen njësoj si më parë.

Artistët nuk përfshihen në paketën financiare, sepse ata vazhdojnë të paguhen konform gjithë rregullave. Paguhen siç janë paguar deri më tani. Edhe tani që kanë ndenjur në shtëpi kanë pasur një aktivitet të lartë artistik, nëpëmjet mediave online, të gjithë kanë dhënë dhe vazhdojnë japin shfaqje nëpërmjet rrjeteve sociale nëpër shtëpitë e tyre. Dhe deri më tani nuk pasur asnjë rast që artistët të jenë përjashtuar nga pagesat e tyre”, u shpreh Ibrahimi për “Shekulli”-n.

Por nga ana tjetër, ai shton se artistët e pavarur, duhet të ishin përfshirë patjetër në paketat e ndihmës financiare, sepse aktivitetet e tyre artistike janë të licencuara, që do të thotë se ata i paguajnë taksa qeverisë, ndaj duhet të ndihmoheshin në këtë kohë pandemie.

Artistët freelancer duhet të ishin përfshirë në paketat financiare, por shoqatat në të cilat ata bëjnë pjesë duhet të ngrenë zërin në emër të anëtarëve të tyre. Këto shoqata, aktivitete artistike që janë të licencuar janë të riskuar, paguajnë taksa dhe qeveria i ka njohur si biznese dhe futen në aktivitetet fitimprurëse dhe patjetër duhet të përfshiheshin në paketat e ndihmës që ka dhënë qeveria si për gjithë bizneset e tjera”, tha presidenti i SPASH për “Shekulli”-n.

Situata në botë

Pandemia e koronavirusit ka pasur një impakt të menjëhershëm në sektorin artistik dhe trashëgiminë kulturore në mbarë botën. Për shkak të krizës globale dhe pasigurisë shumë artistë të punësuar, por edhe ata të pavarur, kanë humbur përkohësisht apo përgjithmonë kontratat apo punët e tyre. Megjithatë qeveritë dhe shoqatat kanë ofruar ndihmën e tyre financiare, për të mbështetur artistët në këtë kohë të vështirë.

Itali

Në fund të marsit Shoqata Italiane e Autorëve dhe Botueseve Italianë bëri publike tre masa: një fond prej 60 milionë dollarësh për anëtarët e saj deri në vitet 2020-2021, një fond për të ofruar kredi me interes zero për anëtarët dhe 2500 pako ushqimore.

Francë

Shoqatat kombëtare të autorëve dhe arteve pamore, njoftuan se nuk do të kërkonin grantet që kanë dhënë për festivalet që janë anuluar apo rimbursim për eventet, por kërkuan që përfituesit e granteve të paguanin plotësisht artistët e tyre të kontraktuar.

Gjermani

Ministrja e Kulturës, Monika Grütters, deklaroi se veçanërisht tani artistët janë thelbësorë dhe shumë të nevojshëm. Ajo bëri publike një paketë stimuluese prej 50 miliadrë eurosh për biznesin e vogël dhe punonjësit e pavarur, duke përfshirë në mënyrë të qartë sektorët krijues.

Suedi

Ministrja e Kulturës prezantoi një paktë prej 1 miliard koronash suedeze për sektorin e artit dhe të sportit, nga të cilat 500 miliona korona suedeze u caktuan për kulturën (duke mos përfshirë agjencitë qeveritare). Ndërkohë shoqata kombëtare për artet pamore propozoi një paketë krize prej 25 milionë korona suede .

SHBA

Aleanca Amerikane e Muzeve ngiriti një peticion për të kërkuar që sektori i muzeve të përfshihej në çdo stimul ekonomik të ardhshëm nga qeveria, ndërsa muzeu Metropolitan kërkoi 4 milionë dollarë për muzetë që janë në rrezik. Kjo kërkesë hasi në rezistencë, sepse qeveria përdori argumentin se grupet e artistëve dhe sektori kulturor janë shumë larg nevojës për ndihmë në këto momente. Më pas në fund të marsit qeveria federale e SHBA-ve prezantoi një paketë ndihme ekonomike prej 2 trilion dollarësh, nga të cilat 75 milionë dollarë do të shkonin për Njësinë Kombëtare të Arteve, 50 milionë dollarë për Institutin e Muzeut dhe Shërbimeve Bibliotekare, i cili shpërndan fonde në muze dhe biblioteka.

Australi

Në mars përmes një peticioni mbi 50 artistë dhe organizata kulturore, kërkuan një paketë ndihme financiare në një vlerë prej 2% nga buxheti i industrisë. Ndërsa, “Live Performace Australia” kërkoi 850 milionë dollarë për sektorin e saj, kurse studiuesit e Institutit Australian kërkuan një paketë prej 750 milionë dollarësh për artet performuese në përgjithësi. Në vend të kërkesës prej 2.2 miliardë dollarësh, në fillim të prillit qeveria bëri publike një paketë prej 27 milionë dollarësh, duke specifikuar se 7 milionë dollarë do të shkonin për programin e mbështetjes së Industrisë së Arteve Pamore Vendase, 10 milionë dollarë për fondin e arteve rajonale dhe 10 milionë për një shoqatë që ofron mbështetje financiare dhe këshillim për njerëzit në industrinë e muzikës në Australi. Paketa e qeverisë përjashtoi punonjësit freelancer dhe ata me kontrata afatshkurtra, ose që kanë punuar në disa punëdhënës vitin e fundit.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

Flash Lajme

Më të lexuarat