Miratimi i amendimeve në kodin zgjedhor mbetet peng i kushteve të panegociueshme të opozitës parlamentare që kërkon ndryshim të sistemit zgjedhor .

As takimi i dytë me kryeministrin i katër përfaqësueseve të saj për afro 80 minuta në kryesinë e kuvendit nuk e ka ndryshuar qasjen e tyre kushtëzuese.

Ajo që Rama ju ka ofruar është një formulë për hapjen e listave zgjedhore, kërkesa kryesore e opozitës.

“Ne jemi të gatshëm të konsiderojmë një formulë të hapjes së listave dhe për të arritur në një konsensus trepalësh”.

Kryeministri ka përsëritur se nuk do investohet në gjetjen e 6 votave që i duhen për të miratuar ndryshimet në kodin zgjedhor. Por opozitës brenda parlamentin i bën të qartë se çdo lloj marrëveshje do të duhet të ketë bazë draftin e dakordësuar me opozitën jashtë.

“Për mua ajo është një bazë, ne mund të shtojmë por jo të heqim, askush nuk mund të marrë gjithçka, të treja palët duhet të pranojnë diçka që nuk e dëshirojnë”.

Por as oferta e re dhe as apeli i kryeministrit nuk i bind opozitarët e përfaqësuar në këtë takim nga Myslym Murriz, Rudina Hajdari, Edmond Stojku dhe Nimet Musai.

“Nuk votojmë asnjëlloj buzëkuqi apo arnimi të kodit zgjedhor nëse nuk preket nene 68 i kushtetutës, nëse nuk hapen listat, jo më militantë në kutitë e votimit”.

Kryeministri e mbështet kërkesën për depolitizimin e plotë të administratës zgjedhore çka socialistët e kërkuan me ngulm por ju kujton se u dorëzuan përballë vendosmërisë së opozitës jashtë parlamentin për ta lënë me përfaqësim politik ndaj ky kusht i tyre është i pamundur për tu përmbushur.

Paralelisht parlamenti ka nisur të diskutojë ndryshimet kushtetuese për sistemin zgjedhor. Maxhoranca ka kërkuar që këto dy procese të shikohen si të ndara dhe mos të kushtëzojnë miratimin e amendimeve në kod. Ndërkohë dhe opozita jashtë kërkon miratimin sa më parë dhe pas asnjë ndryshim nga marrëveshja e 5 Qershorit.

Por pa pasur 84 votat e nevojshme këto ndryshime nuk mund të miratohen në parlament.

Tv Klan

Flash Lajme

Më të lexuarat