Policia kontrolle në Thumanë, arrestohet 58 vjeçari, në kërkim tre djemtë

Tre persona kanë përfunduar në prangat e policisë së Durrësit, ndërsa po aq janë shpallur në kërkim.

Gjatë kontrolleve, janë gjetur dhe sekuestruar 3 armë zjarri, municion luftarak, lëndë narkotike dhe 2 automjete.

Operacioni zhvillohet në vijim të arrestimit të Edmond Keçit, i njohur si “Mond Çekiçi”, ish-anëtar i Bandës së Durrësit. Policia ka sekuestruar edhe 1 kg lëndë narkotike, kanabis sativa.

Në pranga kanë përfunduar edhe Sadik Leka nga Kruja, ndërsa janë shpallur në kërkim tre djemtë e tij, 37, 35 dhe 26 vjeç, banues në Thumanë.

“Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. L., në një magazinë të cilën e kishte përshtatur me llamba për kultivim të bimëve narkotike, u konstatuan kubikë të kultivuar me fara të dyshuara cannabis sativa, 1 kallashnikov, municion luftarak, 1 armë gjahu dhe një sasi e vogël lënde narkotike”, sqaron policia.

Njoftimi:

Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas dhe shpallen në kërkim policor 3 të tjerë.

Sekuestrohen 3 armë zjarri, municion luftarak, lëndë narkotike dhe 2 automjete.

Në kuadër të Planit të Masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që lëvizin me armë zjarri, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në qytet, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kanë vijuar me kontrollet në të gjithë qarkun e Durrësit.

Në vijim të kontrolleve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë u arrestua në flagrancë shtetasi E. K., 42, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi, në çantën e dorës, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë “Luger”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasin S. L., 58 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim policor djemtë e tij, shtetasit T. (E.) L., 35 vjeç, D.(Y.) L., 37 vjeç dhe E. L., 26 vjeç, banues në Thumanë. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. L., në një magazinë të cilën e kishte përshtatur me llamba për kultivim të bimëve narkotike, u konstatuan kubikë të kultivuar me fara të dyshuara cannabis sativa, 1 kallashnikov, municion luftarak, 1 armë gjahu dhe një sasi e vogël lënde narkotike.

Nga specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve u arrestua në flagrancë shtetasi P. L., 34 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në mjetin me të cilin po lëvizte (të cilin e kishte marrë me qira), iu gjetën 2 palë çelësa mjetesh, ku njëri prej tyre i përkiste një mjeti të vjedhur, i cili rezultoi se ishte i vjedhur në Lushnjë më datë 09.09.2020 dhe u gjend i parkuar në afërsi të banesës së këtij shtetasi. Gjithashtu gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale rreth 1 kg lëndë narkotike cannabis sativa.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All