Mediat greke shkruajnë se është shpallur në kërkim një shtetas shqiptar, pasi dyshohet për një vrasje të dyfishtë në Chania të Kretës.

Sipas informacionit nga ishulli, autoritetet po hetojnë të gjitha mundësitë për vrasjen brutale, dhe janë duke kërkuar burrin që hyri në shtëpinë e një gruaje dhe e mbyti atë.

Gruaja e moshuar u gjet në zonën Pasakaki të Chania brenda shtëpisë së saj ndërsa partneri i saj 82-vjeçar që ishte zhdukur, u gjet i vrarë në një shtëpi tjetër. Madje trupi i tij ishte futur në një valixhe.

Policia tashmë ka marrë në pyetje fqinjët e gruas dhe ata që mund të kenë parë të moshuarin para zhdukjes së tij.

Prej disa ditësh ishte bërë denoncimi për zhdukjen e të moshuarit, por nuk kishte informacion mbi të, ndërsa kërkimi për vendndodhjen e telefonit të tij celular nuk kishte dhënë ndonjë rezultat.

Sipas ekzaminimit mjeko-ligjor, gruaja u mbyt për vdekje dhe dyshohet që autori i krimit ketë përdorur një shami, e cila iu gjet e lidhur nyjë në qafë.

Trupi i pajetë i të moshuarës u gjet të dielën në mëngjes, pas shqetësimit të vajzës, e cila tha se nëna e saj nuk i ishte përgjigjur telefonatave.

Ndërsa të hënën është gjetur edhe trupi i 82-vjeçarit, i cili ishte në kërkim. Ai u gjet i vdekur brenda një shtëpie në Chania, pikërisht pranë vendit ku u gjet e vrarë gruaja 79-vjeçare.

Mediat greke shkruajnë se trupi i pajetë i 82-vjeçarit u gjet në një valixhe.

Flash Lajme

Më të lexuarat