Në një shkrim të sajën, prestigjiozja amerikane “Washtington Post”, njofton për situatën politike në Shqipëri. Tashmë në lojë janë futur edhe Evropianët, të cilët kërkojnë që Edi Rama, të fillojë bisedimet me partitë e opozitës.

Shkrimi i Washington Post:

Një grup ligjvënësish të Parlamentit Evropian të enjten kanë denoncuar fuqimisht dorëheqjen e opozitës shqiptare nga parlamenti dhe dhunën e protestave të kohëve të fundit. Delegacioni i Parlamentit evropian, i cili po viziton Shqipërinë, gjithashtu i bëri thirrje shumicës qeverisëse të hapte bisedime me opozitën për të zgjidhur krizën politike.

“Bojkotimi i përfaqësimit të popujve në parlament është një sinjal shumë i keq. Kjo do të minojë kredibilitetin e shtetit dhe të kombit në tërësi”, tha Tunne Kelam nga Estonia, kreu i delegacionit.

Shqipëria, një anëtare e NATO-s që nga viti 2009, iu dha statusi i kandidatit të BE në vitin 2014 dhe shpreson të nisë negociatat e anëtarësimit në qershor. Opozita e drejtuar nga Partia Demokratike e qendrës së djathtë pretendon se qeveria e majtë e kryeministrit Edi Rama është e korruptuar dhe ka lidhje me krimin e organizuar. Ata duan që një administratë e përkohshme të mbajë zgjedhje të parakohshme.

“Edhe nëse opozita është plotësisht e drejtë me akuzat, duke bojkotuar parlamentin ata nuk do t’i zgjidhin problemet e tyre”, tha Knut Fleckenstein, anëtari gjerman i delegacionit. Duke udhëtuar në një qytet verior, udhëheqësi i demokratëve, Lulzim Basha, nuk dukej i gatshëm të zbatonte thirrjet e delegacionit.

Ai tha se opozita do të “ndërthur protesta, mosbindje civile dhe të gjitha aktet e tjera të revoltës dhe zemërimit civil”. Protestat e opozitës në dy javët e fundit u kthyen të dhunshme, me përkrahësit që sulmuan policët dhe oficerët duke iu përgjigjur me gaz lotsjellës. Dhjetëra protestues dhe policë u plagosën. Delegacioni i BE do të udhëtojë për në Maqedoninë e Veriut, e cila gjithashtu po kërkon të nisë negociatat e anëtarësimit këtë vit.

Flash Lajme

Më të lexuarat