Kompanitë e interesuara kanë kohë deri në datën 10 mars për dorëzimin e ofertave. Shkak për shtyrjen e afateve është bërë fshesa e ministres Balluku në të gjitha institucionet e varësisë

Neritan Gjergo

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shtyrë me 10 ditë afatin e  dorëzimit të ofertave nga kompanitë e interesuara për koncesionin e Termocentralit të Vlorës. Gjatë shpalljes së garës, afati përfundimtar ishte 28 shkurti, ndërkohë që tashmë dokumentet mund të dorëzohen deri në datën 10 mars. Ministria e argumenton këtë shtyrje me ndryshimet e drejtuesve që u bënë së fundmi në institucion, që përfshinë ndër të tjera dhe largimin e drejtoreshës së koncesioneve Etleva Kondi, e cila në këtë rast ishte edhe personi përgjegjës. Mësohet se shkak për shtyrjen e afatit  është bërë edhe interesi që kanë treguar kompanitë, por edhe paqartësitë që kanë pasur në lidhje me procesin dhe dokumentet që duhet të dorëzonin. Me hapjen e garës koncesionare Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpreson lidhjen e kësaj vepre energjetike me gazin, si e vetmja mënyrë e vlerësuar nga studimi i fizibilitetit dhe ekspertët ndërkombëtarë për ta vënë në punë. Sipas studimit të fizibilitetit, vlera e koncesionit për rehabilitimin dhe vënien në funksion të Termocentralit të Vlorës pritet të jetë 72 miliardë lekë apo rreth 59 milionë euro.

Koncesioni

Termocentrali i Vlorës, investimi që u kushtoi taksapaguesve shqiptarë 130 milionë dollarë, por që nuk u vu asnjëherë në punë, u hap për investim koncesionar në datën 31 dhjetor 2018, me afat 20 vjet. Sipas dokumenteve të shpallura në faqen e Agjencisë së Prokurimeve Publike, do të investohen edhe 58 milionë euro për të riparuar defektet e termocentralit, si dhe për të ndryshuar sistemin e prodhimit të energjisë, nga naftë që është aktualisht, në gaz për të ulur kostot. Kompania fituese do të ketë të drejtën e shfrytëzimit të termocentralit për 20 vite, duke prodhuar energji dhe duke e shitur atë në shtet, ose në treg të lirë. Në dokumentet e tenderit, Ministria nuk ka marrë përsipër blerjen e energjisë që do të prodhojë privati nga TEC-i. Por, vetëm pak ditë pas shpalljes së njoftimit të tenderit, Partia Demokratike, përmes deputetit Agron Shehaj akuzoi qeverinë se ka përjashtuar kompanitë e huaja për koncesionin e TEC-it te Vlorës, duke i mëshuar akuzës edhe me faktin se një vendim i tillë është marrë orët e fundit të vitit 2018, të cilat ishin orë të tilla edhe për ministrin Damian Gjiknuri. “Qeveria kërkon që më datën 15 janar, të gjithë të interesuarit duhet të marrin pjesë në një vizitë në TEC në Vlorë, e cila është e detyrueshme për të marrë pjesë në tender. Se cila kompani e huaj mund të informohet, vlerësojë dhe vendosë brenda dy javësh në periudhë festash të dërgojë përfaqësues në Vlorë të Shqipërisë, e dinë vetëm Rama dhe Gjiknuri”, tha Shehaj në datën 3 janar.

Gara

27 kompani kanë shfaqur interes për garën e hapur ndërkombëtare për dhënien me koncesion/PPP të Termocentralit të Vlorës. Lajmin e ka bërë të ditur ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila ka organizuar në datën 15 janar vizitën në terren për operatorët e interesuar. “27 kompani, prej të cilave shumica të huaja u njohën me situatën aktuale të TEC-it të Vlorës, të dhënat e përgjithshme teknike të tubacionit të gazit Fier-Vlorë si dhe situatën energjetike të Shqipërisë. Brenda datës 28 shkurt, kompanitë e interesuara duhet të dorëzojnë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë ofertat e tyre në këtë procedurë konkurruese.Kompania e cila do të dëshirojë të rivërë në punë TEC-in duke e marrë me koncesion për një periudhë 20-vjeçare duhet që me paratë e saj të investojë për riparimin e defektit në sistemin e ftohjes, transformimin teknologjik të TEC-it nga naftë në gaz dhe ndërtimin e tubacionit që e lidh TEC-in e Vlorës me pikën e daljes së gazsjellësit TAP në Fier.Në dokumentet e tenderit, shteti ka zgjedhur si opsion të preferuar mosgarantimin e blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga ky TEC për të mos ngarkuar Buxhetin e Shtetit me kosto. Nëse procedura do të rezultojë e suksesshme, kompania që do të operojë TEC-in pasi të kryejë investimet e lart përmendura do t’ia dorëzojë shtetit veprën në vitin e 20-të të koncesionit.”

Kostot

Termocentrali i Vlorës u ndërtua nga një kompani italiane e quajtur “Technimonti”, e cila u pagua 130 milionë dollarë, por i dorëzoi shtetit shqiptar një termocentral jofunksional. Që nga përfundimi në vitin 2011, TEC-i i Vlorës ka qenë në konservim, pa prodhuar asnjë ditë energji elektrike. Por, pavarësisht se TEC-i nuk është vënë asnjëherë në punë, ai prodhon miliona euro kosto për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, e cila vazhdon të shlyejë kreditë e marra në kohën e ndërtimit të tij. Sipas të dhënave zyrtare, KESH ka shlyer vetëm një pjesë të vogël të kredive, ndërsa mbeten për t’u likuiduar dhe rreth 65 milionë euro të tjera. Banka Botërore dhe BERZH kanë financuar projektin me 78 milionë euro, ndërkohë që deri në muajin janar të vitit 2019 është shlyer vlera prej rreth 28 milionë euro. Gjithashtu, Banka Europiane e Investimeve financoi projektin me një kredi prej rreth 24.7 milionë dollarë, nga e cila mbeten për t’u likuiduar dhe 18.8 mln USD. Por, përveç këtyre kostove, Termocentrali i Vlorës ka gjeneruar miliona euro kosto edhe për mirëmbajtjen e tij, duke qenë se është në konservim.

Kredia në rënie

Kredia e re për biznesin e nisi në rënie edhe vitin 2019. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë muajit janar sistemi bankar dha 12.8 miliardë lekë kredi, në rënie me 12% krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Megjithëse si tepricë portofoli i kredisë u rrit gjatë janarit, shifrat tregojnë se huadhënia e re ngelet e dobët. Gjatë janarit rënie pësoi kreditimi në sektorin më të rëndësishëm, atë të tregtisë, me 1.8 miliardë lekë më pak krahasuar me një vit më parë. Kredia e re për tregtinë zinte afërsisht 55% të kredisë së re për biznesin. Ndërkohë, rritje të lehtë regjistroi kredia për ndërtimin dhe industrinë përpunuese. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2018, portofoli i kredisë për biznesin u tkurr me 12 miliardë lekë. Megjithatë, bankierët nuk mendojnë se gjendja e kreditimit të biznesit duhet parë me pesimizëm. Sipas tyre, ecuria e huadhënies thjesht është normalizuar dhe po mbështet në një qasje më realiste, pas euforisë së viteve të parakrizës. Brenda kredisë për biznesin, shifrat tregojnë gjithashtu një tendencë për zhvendosje të huadhënies drejt afateve më të gjata të maturimit. Një nga arsyet pse kjo ndodh është fakti që bankat janë përpjekur t’i ristrukturojnë disa overdrafte, duke zgjatur afatin e maturimit, për t’iu lehtësuar bizneseve shlyerjen e tyre. Gjithashtu, kjo e bën vlerën e portofolit të kredisë më të qëndrueshme në kohë, sepse kreditë maturohen në interval më të gjata kohore.

Flash Lajme

Më të lexuarat