“Opozita e re” në Kuvend shkon në 14 deputetë. Dje u betuan Lefter Maliqi, Alban Zeneli, Ligoraq Karamelo, Majlinda Halilaj, Ediola Braha, Edlira Hyseni dhe Elda Hoti. Maliqi: Jemi më të mirë se pjesa më e madhe e atyre që ishin këtu

Lindita Bushgjokaj

Në seancën e djeshme plenare, shtatë deputetë të rinj kanë bërë betimin në parlament, duke u ulur në karriget e lëna bosh prej PD dhe LSI. “Opozita e re” e formuar prej tyre është shprehet kundra parimeve të liderëve të PD dhe LSI-së, që sipas tyre, veprojnë kundër interesave dhe integrimit të Shqipërisë. Lefter Maliqi vendosi të zërë vendin e Lulzim Bashës, ndërsa Alban Zeneli u shpreh se ka ndryshuar mendje sa i përket djegies së mandatit, pasi sipas tij, protesta më e mirë është në parlament. Pas një muaji protesta dhe thirrje kundër tyre nga ana e opozitës që protestonte, deputetët socialistë kanë shfrytëzuar hyrjen qendrore për të marrë pjesë në parlament. Edhe pse zgjati më shumë se 3 orë, i vetmi lajm në seancë ishte betimi i 7 deputetëve të rinj të opozitës, dy nga Partia Demokratike dhe 5 nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Dje u betuan Lefter Maliqi, Alban Zeneli, Ligoraq Karamelo, Majlinda Halilaj, Ediola Braha, Edlira Hyseni dhe Elda Hoti. Aktualisht opozita ka 14 deputetë në Kuvend, ndërsa emra të tjerë kanë shprehur gatishmërinë për të marrë mandatin. Pas betimit, shtatë deputetët e rinj të opozitës kanë votuar për herë të parë projektligjet në Kuvendin e Shqipërisë. Alban Zeneli i zgjedhur nga listat e PD-së votoi kundër, Lefter Maliqi abstenoi, Ligoraq Karamelo, Majlinda Halilaj, Ediola Braha dhe Elda Hoti pro projektligjit të propozuar nga qeveria për nxitje të punësimit, ndërsa Edlira Hyseni nuk ishte e pranishme. Kundër projektligjit për nxitjen e punësimit votoi edhe deputeti Ylli Shehu nga “opozita e re”, i betuar javën e kaluar.

Maliqi: Basha kërkon madat kryeministri dhuratë  

Lefter Maliqi, i cili mori mandatin në Berat, zuri karrigen e Lulzim Bashës në sallë, por nuk rezervoi edhe akuzat të forta për të. “Pata këmbën e mbarë, fati që zura edhe vendin e kryetarit me mandat të dhuruar të PD-së dhe jam i bindur që brenda dy muajve me besim absolut që rreshti këtej nga opozita do të jetë plot, të jeni mëse të bindur për këtë. Mos të kujtojnë ata që kanë dalë jashtë se janë më të mirë që jemi këtu, do të jemi zë tepër i vërtetë. U drejtohem të gjithë demokratëve që gënjehen nga kryetari me mandat të dhuruar që ëndërron të bëhet kryeministër me dhuratë, kryeministër mund të bëhesh vetëm me vota, me mund dhe djersë”. Gjatë fjalës së tij në seancën e djeshme plenare, Lefter Maliqi pasi u betua për mandatin e deputetit, u shpreh: “Dua të them se është bërë lajm kur duartrokasin deputetët e Partisë Socialist. Dua të jap edhe një reagim. Brenda dy muajve rreshti këtej nga opozita do të jetë plot. Demokratët të mos gënjehen më. Unë kam sakrifikuar bashkë me ta në protesta, 3 muaj shkova në çadër, ai na gënjeu dhe na mashtroi. Lidershipi me mandat të dhuruar mua, sot ma ka dhuruar mua mandatin. I falënderoj banorët e djathtë dhe të majtë që më kanë mbështetur në sfidat politike. Rasti im është rast ndryshe, i drejtohem demokratëve të mos gënjehen më, por të ndryshojnë lidership. Në protesta nuk ngrihet Tirana, vijnë nga bashki për rreth. Të ketë protestë e revoltë, do të thotë të ngrihet Tirana. Kriza qëndron te lidershipi. Nën këtë lidership PD pësoi disfatën më të madhe. Mandati im ka të bëj drejtpërdrejtë me kthimin e dinjitetit dhe me atë që PD më kishte borxh. Jemi më të mirë se pjesa më e madhe e atyre që ishin këtu”, u shpreh Maliqi.

Alban Zeneli: Nuk jam kontaktuar nga PS për mandatin

Alban Zeneli, është një tjetër kandidat që u betua dje në Kuvend, dikur përkrahës i zjarrtë i PD-së, deklaron se tashmë ka ndryshuar bindje politike, edhe pse vendimi i tij bie ndesh me grupin e PD-së që u dorëhoqën nga Kuvendi. Ai tha se bindja e tij nuk ndryshon dhe kryeministri Edi Rama duhet të largohet. “Mendoj se mandati i deputetit e përfaqëson më mirë interesin qytetar. Në parlament mund të mbroj qytetarët. Nga parlamenti mund të ndikoj në rrëzimin e Ramës”, tha Zeneli. Ai tha se nuk është kontaktuar nga Partia Socialiste për të shkuar drejt këtij vendimi. Opozita e larguar nga Kuvendi ngriti akuza politike se kandidatët e listave vijuese të tyre po pranojnë mandatet pasi po u bëhet presion nga qeveria.

Karamelo: Presim edhe deputetët e tjerë

Deputeti i “opozitës së re” nga Partia Demokratike, Ligoraq Karamelo, i cili zëvendësoi Klevis Balliun në qarkun Korçë, u shpreh dje se opozita e re po organizohet  për të vepruar si një grup i përbashkët të cilit do t’i bashkohen edhe deputetë të tjerë. “Ne hodhëm hapin e parë. Organizim do të thotë se duhet të funksionojmë si një opozitë e përbashkët, e vendosur, që të mbajmë një qëndrim bashkëpunues me maxhorancën, por edhe kundërshtues, demaskues ndaj problemeve të korrupsionit dhe mbi të gjitha një opozitë që respekton parimet themelore demokratike, kushtetutën. Do të presim edhe deputetë të tjerë dhe do kemi një opozitë shumë aktive në parlament”, u shpreh Karamelo.

Flash Lajme

Më të lexuarat