Elvin Hysa ka shprehur pendesë që në momentin e parë që është përballur me forcat e policisë të Komisariatit të Gramshit.

32-vjeçari ka pranuar krimin dhe nuk ka bërë rezistencë në momentin e prangosjes në banesën e tij në orët e para të së shtunës.

Hysa, gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor, që po punon për zbardhjen e krimit të rëndë, është shprehur se gjithçka kishte ardhur për shkak të xhelozisë, pasi kishte dyshime se bashkëshortja e tradhtonte.

“E doja gruan time. U zumë si çdo çift, se ajo nuk më dëgjonte. Isha xheloz si çdo burrë. Jam penduar për atë që kam bërë dhe më shumë më vjen keq për fëmijët”, ka deklaruar 32-vjeçari para oficerëve të Policisë. Më tej, babai i tre fëmijëve ka rrëfyer se kulmi i debateve me gruan kishte arritur mbrëmjen e së premtes.

“Debatuam pas darkës. Guria nuk më dëgjonte asnjëherë se çfarë i thosha, bënte me kokën e saj. Pas debatit, u shtrimë për të fjetur, atë e zuri gjumi direkt, ndërsa unë po bluaja ato që kishim debatuar. Nervat nuk më ishin ulur dhe në një gjendje të rënduar e mbyta me jastëk. Jam penduar që e vrava, nuk duhej ta kisha bërë kurrë”, është shprehur ndër të tjera 32-vjeçari i arrestuar, ndaj të cilit do të rëndojë akuza “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, ndërkohë që fakti se është dënuar dy herë të tjera për dhunë në familje, pritet ta rëndojnë akoma edhe më shumë pozitën e tij para ligjit.

Flash Lajme

Më të lexuarat