Majlinda Keta, ish-drejtuese e Arsimit: Akti i parë i jetësimit të këtij Pakti është pranimi i një qeverisje teknike. Eksperti zgjedhor, Arjan Madhi: Të gjitha nismat e Kokëdhimës janë pozitive.

Nora Malaj: ish deputete e LSI: Pakti i propozuar NGA Kokëdhima, i mirëpritur, por më parë duhet qeveria tranzitore  

Lindita Bushgjokaj

Malinda Keta, pedagoge në Universitetin e Tiranës, dhe ish- drejtuese e arsimit, në një bisedë për “Shekulli”-n analizon disa pika të Paktit Kombëtar të “Zgjidhjes”, me drejtues Koço Kokëdhimën. Ajo e mbështet Paktin, si një e mirë kombëtare për zgjidhjen e krizës politike. Për këtë Keta, si fillim e shikon të nevojshme që të ndryshohet sistemi kushtetues i 2008-ës, të cilën e përmend edhe Kokëdhima në Projekt-Paktin drejtuar partive politike, si dhe pranon rëndësinë e këtyre ndryshmeve. Së fundmi, Keta thotë, se Kokëdhima ofron një Zgjidhje për të nxjerrë vendin nga kriza, por edhe inkurajon partitë e tjera që ta mbështesin këtë iniciativë.

Analiza e plotë e Majlinda Ketës:

“Shqipëria, pas 28 viteve të ndërrimit të sistemeve,  po përjeton një krizë shumëdimensionale, më e madhja në 28 vite. Nëse krizat e tjera, ndër këto vite, u pranuan si të tejkaluara nga shqiptarët në fakt nuk bënë gjë tjetër veçse krijuan alibinë se u kuruan ndërsa rrënjët e së keqes shumëzonin atë vetë për t’u përshfaqur si një krizë komplekse veçanërisht pas zgjedhjeve të 2017/ës. Ne, si sistem socio politik por edhe si zhvillim komunitarist, civilizues dhe human kemi progresuar shumë pak duke bartur tranzicionin si të vetmin dimension tonin në 28 vite.  Termi tranzicion është alibia e çdo të keqeje që e jetojmë dhe justifikimi i çdo të mire të paarrirë ashtu siç duhej për secilin prej nesh.  Ndonëse misionuam veten përmes integrimit evropian të vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian asnjëri prej nesh, si qenie humane e civilizuar por as si sistem politik, si model zhvillimi socio ekonomik apo komunikim mbarëshoqëror  nuk jemi jetësuar në mënyrë efektive, progresivisht të matshme dhe të qëndrueshme ndaj tij. Kështu, ne kemi një shqiptar me më pak identitet në rrugëtimin e tij jetësor, të pashpresë në kushtëzimet që duhet të njohë lidhja e tij me atdheun (60% e jona kërkojnë të largohen nga ky vend, me çdo kusht); ne kemi një brez të ri që jo vetëm lidhjen e parë e relativizon por tejkalon për ta pranuar si normale “divorcin” me familjen ndërsa emigrimin e sheh si të vetmen rrugë të zgjidhjes së problematikave të tij; ne në vend të civilizim qytetërimit prodhuam dhe pranuam militantizmin dhe trafikun e militantizmit duke hedhur në erë kohezionin social si primatin e shumë kohezioneve të tjera në demokraci; ne shpikim dhe rrënojmë përmes reformave në arsim ndërsa fëmijës ja vjedhim fëmijërinë nën trysni urdhrash për magazinim dijesh ndërsa vijojmë “të  rreshtojmë” mësuesit dhe akademizmin si kadetë të maxhorancës politike të radhës; ne kemi prekur shifrat nga më të egrat dhe regresive në nivelin   e rritjes së rasteve dhe profileve të dhunës në familje, në numrin e divorceve, në numrin e bashkëkombësve tanë në privim lirie, në burgje të vendit dhe nëpër botë; ne kemi dalë jashtë binarëve të rregullave të lojës dhe përgjegjshmërisë nga jeta parlamentare e deri tek “demokracia” e partisë më të vogël në emër të pluralizmit politik; ne vjedhjen e votës dhe kapjen dhe orientimin e saj nga krimi e kemi “pranuar” si instrument elektoral që përcakton formën qeverisëse dhe përmbajtjen e saj; ne krizën politike nga maxhorancat e kemi kthyer në instrument qeverisës; ne njohim se formohet dhe riformohet qeveri po nuk qeverisemi dhe nuk ndjejmë të qeverisemi; ne i kemi hequr binarët dhe tjegullat sistemit të drejtësisë dhe po konsumojmë periudhën e të pranuarit të tij ndërsa ai ka rënë institucionalisht; ne na prodhojnë, vetëprodhohemi dhe na klonojnë mediatikisht, ndërsa vetë medias po ja vjedhin dhunshëm lirinë në përgjegjshmëri.

Ndryshimet Kushtetuese

Republika jonë, nën bekimin e ndryshimeve kushtetuese të prillit 2008, vijon tatëpjetën me shpejtësi marramendëse. Më saktë, kështu si e “bëmë” ajo nuk mund të quhet Republikë. Edhe nëse ende i referohemi se ajo ekziston, së shpejti, do jemi përpara një pyetje madhore ekzistenciale, pas këtij eksodi shpirtëror dhe real të shqiptarëve larg kësaj Republike. Për ta mbajtur si mundësi të orientimit human ndër shqiptarë, për ta rithemeluar që tek ajo të lidhen jetët dhe mirëqëniet tona alternuar në breza na duhet një Pakt Kombëtar, një Pakt Kombëtar për ZGJIDHJEN e kësaj krize shumëdimensionale tonën. Zgjidhja fillon nga pranimi i saj dhe analiza e faktorëve dhe aktorëve që e sollën këtë. Kjo, në emër të një nisje të re për ne të gjithë, e njëjtë me atë që Branko Merxhani ndërsa përshkruante po këtë lloj kaosi afro 90 vite më parë, e ndërsa tentonte ta organizonte me idetë e tij ai shprehej se kjo duhej bërë në emër jo të një Shqipërie historike, po QYTETËRONJËSE.

Kodi i Ri Zgjedhor

Për të gjitha këto më sipër, Projekt Pakti Kombëtar i debatuar dhe pasuruar nga shqiptarë që kanë idealizime kombëtare është një pikënisje për zgjidhje. Të nisemi nga zhbërja e ndryshimeve kushtetuese të 2008, varrmihëset e çdo lloj demokracie në 4 pushtetet. Akti i parë i jetësimit të këtij Pakti është pranimi i një qeverisje teknike e cila në emër të profesionalizmit, larg militantizmit feudal e antikoheziv, do të mund të ofronte për shqiptarët votën e lirë dhe të painkriminuar. Shqipërisë do t’i kthehet institucionalizimi për një pakt, për të prodhuar shtet kur institucioni i votës t’i qaset moralit shtetbërës jo thjesht dhe vetëm pushtetprodhues. E për këtë dokumenti i parë i kohezionit socio politik është ai mbi Reformën Zgjedhore. Kodi i Ri Zgjedhor është dhe duhet të jetë bazamenti mbi të cilin do prodhohet shëndeti i shtetbërjes dhe qeverisjes. Intelektualët e këtij vendi duhet të marrin përgjegjësitë për bërjen e asaj që Branko Merxhani e quante “Shqipëri e ndjenjës, Shqipëri e mendimit”. Kjo lloj Shqipërie është dhe duhet të jetë mbi Shqipërinë e kryetarëve të partive, qofshin këto të mëdhaja apo të vogla.

Pakti Kombëtar i “Zgjidhjes” duhet të mbështetet!

Bashkëbisedimi, bashkëmbështetja e Paktit Kombëtar për Zgjidhje do të paqësonte dhe prosperonte Shqipërinë  edhe në hipotezë të një Pranvere Ballkanike ndaj të cilës shqiptarëve në 4 shtete i kërkohet të kontribuojnë më shumë dhe aktivisht për shtetbërjen dhe demokracinë rajonale duke filluar nga vetja. Zgjidhja ofroi një zgjidhje, ka dhe duhet të ketë dhjetëra të tjera që të bashkëmbështetura në përgjegjësi e realizim do largonin Shqipërinë nga kaosi i krizës shumëdimensionale që na ka kapluar të gjithëve. “Kjo zgjidhje nuk gjendet lart në qiellin kombëtar, po është fshehur thellë në shpirtin kombëtar”- do thoshte Merxhani. Shqipëria është e shqiptarëve, kudo ku ato jetojnë, asaj i duhet t’i falemi të gjithë, edhe përmes mbështetjes së nevojës që kemi një Pakt Kombëtar për Zgjidhje”.

Arjan Madhi: Të gjitha nismat e Kokëdhimës janë pozitive!

Eksperti zgjedhor pranë PD-së, Arjan Madhi, në një prononcim për gazetën “Shekulli” shpreh vlerësime maksimale për Paktin Kombëtar të “Zgjidhjes”, pasi synon që të shmangë krizat politike dhe rregullon shumë aspekte të procesit zgjedhor. Ndër të tjera, Madhi thotë, se Pakti duhet të gjejë mbështetje nga partitë e tjera, pasi duhet negociuar për të gjitha pikat e Kokëdhimës, me qëllim që të arrihet drejt një platformë.

Reagimi i Madhit: “Kam një vlerësim të veçantë për të gjithë përpjekjet, që z.Kokëdhima bën në kuptim të gjetjes së një paqeje, dhe mirëkuptimi ndërmjet tërë faktorëve politik, e cila është vetmja mënyrë që mund të shmangte krizat politike, të cilat janë përsëritur 30 vjet. Së dyti, mendoj se propozimi i z.Kokëdhima përbën akt të një rëndësie madhore, dhe si i tillë unë do kisha dëshirë të dija, se kur do ishin instrumentet që mund të nxisnin faktorët politik lidhur me këtë akt. Sepse për hir së vërtetës me formulime aktesh jemi zhgënjyer shpesh. Pra ulën faktorë të ndryshëm politik, të cilët e shpërfillin faktorin tjetër të interesuar. Dhe në mënyrë klasike hartojnë aktin, por nuk garantojnë me asnjë instrument tjetër parlamentar dhe juridik. Kështu shpërfillet akti dhe rikthehen përsëri në të njëjtën situatë. Së treti, vetë përmbajtja në dokumentin që ka parashikuar si një projekt-platformë z.Koço Kokëdhima, sigurisht, në pjesët e qëllimit të tij është shumë i respektuar. Në përmbajtën e tij, sa i takon ekspozitave të veçanta, ato rregullojnë shumë marrëdhënie të procesit zgjedhor, si ndajnë dhe pikëpamje të ndryshme. Por në tërësinë e tij, Pakti ka shumë elementë që janë çështje negocimi, se çfarë propozon njëra palë lidhur me përfaqësimin. Këto janë çështje diskutimi. Pra, diskutohet dhe në fund fare dilet në një akord të tillë, që të ishte e mundur një pakt-pajtimi. Në radhë të parë ata duhet të ulen në grupe për të gjetur pajtimin, se çfarë linje duhet ndjekur një grup i caktuar. Mund të jetë një parti ose shumë parti, që kanë një alternativë. Duket diskutuar…Por kur vjen puna në pakt, duhet siguruar tërësia e faktorëve politike që dominojnë një nënshkrim të Paktit.

Pakti duhet të diskutohet në një tryezë teknike

Të gjitha nismat e Kokëdhimës janë pozitive. Mund të jemi shumë pranë një shenjë barazimi, sa i takon adresimit të politizimit të zgjedhjeve. Nëse do ulemi për të nënshkruar, është e pamundur që mos të konsumojnë në debat në nivelin teknik për avantazhet dhe disavantazhet, më pas mund të vihet në një platformë. Nëse ajo parashikonte të diskutonte sistemin dhe mënyrën e votimit, unë me shumë dëshirë do thoja po, por propozimi i sistemit maxhoritar, kërkon të diskutohet në tryeza teknike, për të shkuar deri te platforma”.

“Pakti i Kokëdhimës është mirëpritur, por fillimisht të ikë Rama

Ish- deputetja e LSI-së, Nora Malaj, në një prononcim për gazetën “Shekulli”, tha se kriza në Shqipëri është thelluar çon ditë e më shumë si pasojë e keqqeverisjes së kryeministrit Rama. Ajo shton, se Pakti kombëtar i Kokëdhimës është shumë i mirëpritur në këto kushte, por i fillim duhet të krijohet qeveria transitore me largimin e Ramës.

Komenti i plotë i Nora Malajt:

“Parlamenti shqiptar, sot është më ilegjitim se kurrë dhe se në këto kushte është e pamundur të bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme, pasi Parlamentarizmi, si rezultat i situatës së krijuar, tashmë ka rënë dhe është ilegjitim. Shkaqet dhe arsyet janë të shumta po do të nënvizoja disa prej tyre; blerja e votave e shndërroi Parlamentin në një institucion të kapur nga krimi (këtë gjë e kanë tashmë të vërtetuar me zë dhe figurë ngjarjet e fundit dhe dosjet e prokurorisë) Skandalet i kësaj qeverie u zbërthyer nga Zëri i Amerikës (VOA), që është zëri zyrtar i Departamentit të Shtetit, duke thënë se :”Pas marrjes së tepsisë në qershor 2017 me vota të blera, Rama jo vetëm nuk ndërmori reforma por ai e thelloi korrupsionin dhe krijoi një shtet autoritar. Rama , – vijon VOA – është bërë arrogant dhe jo transparent, njësoj si udhëheqësit lindor. Departamenti i Shtetit nëpërmjet VOA, shton gjithashtu se reforma në drejtësi ka dështuar, pasi Rama ka vendosur besnikët e tij në gjyqësor. “Pa as më të voglin shqetësim, ai u ka ofruar pandëshkueshmëri zyrtarëve të lartë edhe përkundër të dhënave të qarta për korrupsion dhe bashkëpunim me grupet të krimit të organizuar dhe trafikantë të drogave” – ka thënë më tej Zëri i Amerikës. Kjo i vuri vulën kësaj qeverie si të korruptuar.

Kryeministri Rama është modeli i keqqeverisjes!

Në këto kushte Rama është bërë dukshëm diktatorë dhe siç edhe thotë Z. Biberaj, Drejtor i Zërit të Amerikës, në një analizë të tij: “Siç ka ndodhur edhe me disa udhëheqës të tjerë europiano-lindorë, Rama është bërë dukshëm më autoritar, më i korruptuar, më arrogant dhe më pak transparent. Ai është përpjekur ta forcojë pushtetin e tij në maksimum, duke ngushtuar hapësirën publike, duke minuar institucionet e pavarura, duke e mbushur gjyqësorin me besnikë, nën maskën e reformave dhe duke margjinalizuar opozitën. Rama ka krijuar një model qeverisjeje që bazohet te kleptokracia, duke dhënë pa tendera, kontrata me vlerë qindra milionë dollarëshe për kompanitë pranë qeverisë. Marrëdhëniet klienteliste mes zyrtarëve qeveritarë dhe biznesmenëve të njohur kanë deformuar procesin vendimmarrës të qeverisë, duke shkelur rregullat bazë të lojës, duke prishur konkurrencën në treg dhe duke u hequr qytetarëve të zakonshëm çdo mjet përmes së cilit ata do të mund të ndikonin në sjelljen e ndryshimeve.

Nisur nga të gjitha këto që thashë më sipër, përsa i përket paktit të propozuar nga z. Kokëdhima, sigurisht, çdo iniciativë në këtë situate është e mirëpritur për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi kaq madhor , i cili sot ka thelluar krizën e besimit te institucionet. Për opozitën nuk ishte i lehtë ky akt, as qëllim në vetvete. Po ishte mazhoranca dhe arrogance e qeverisë, e cila tashmë është futur në shtegun e djallit dhe e ka të pamundur marrëdhënie dhe ndërtimin e dialogut me opozitën. Mendimi im është se në këto kushte, pa dhënë dorëheqjen z. Rama dhe pa kaluar në qeveri teknike që të përgatitem zgjedhjet e parakohshme (realizimi edhe i një nga pikave të paktit) çdo zgjidhje apo zgjedhje tjetër, do të ishte thjeshtë , një edeus ec exs makina, pra që nuk do të kishte jetëgjatësi. Ndaj mendoj se në këtë moment, misioni historik i të gjithë atyre që e duan vendin dhe që duan të bëhet ky vend, fillimisht është të krijojnë sinergjinë për të detyruar Ramën të dorëhiqet, e më pas, pasi të ndërtohet një qeveri teknike apo transitore, të ulen në tryezë të bisedimeve, për të realizuar dhe përgatitur zgjedhjet të lira dhe të ndershme, të parakohshme, për të realizuar më pas ndryshime të kodit zgjedhor”.

Flash Lajme

Më të lexuarat