Aktiviteti i Lëvizjes Vetëvendosja zgjerohet edhe në Shqipëri. Për gazetën “Shekulli”, flet deputetja e Vetëvendosjes në Parlamentin e Kosovës, Albulena Haxhiu. Marrëdhëniet me Tiranën dhe shkëmbimi territorial janë shqetësimi i saj kryesor

Erjon Dervishi

Para disa ditësh Lëviza Vetëvendosja e Kosovës, lajmëroi hapjen e një dege të kësaj lëvizje edhe në Tiranë. Kishte kohë që përflitej për një nismë të tillë. Situata në të cilën ndodhet Kosova aktualisht, e ka shtyrë Lëvizjen Vetëvendosja që të ndërmarrë këtë lëvizje. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, deputetja e Vetëvendosjes në parlamentin e Kosovës, Albulena Haxhiu, thekson problematikat e Kosovës, marrëdhëniet dhe rolin e Shqipërisë në procesin e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, si dhe rolin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Cili është qëllimi i krijimit të degës së lëvizjes “Vetëvendosja” ne Tirane?

Pas themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në vitin 2005 e deri tani, kemi pasur mijëra aktivitete në Tiranë. Ajo çfarë po bëjmë aktualisht është vetëm po strukturojmë këto aktivitete me anë të hapjes së një Qendre me status organizate jofitimprurëse, e cila bëhet vetëm që të kemi mundësi të shpërndajmë idetë tona dhe të kemi kontakt më të afërt me qytetarët dhe aktorët politik atje.

Në lidhje me marrëdhëniet me Shqipërinë, si e shikoni bashkëpunimin me qeverinë e Shqipërisë? 

Sigurisht që nuk mund të jemi të kënaqur me bashkëpunimin sepse i njëjti nuk duket as serioz dhe as i qëndrueshëm dhe kjo për shkak mungesës së vullnetit politik. Siç dini, janë mbajtur disa takime ndërmjet dy qeverive, por nuk kemi ndjerë rezultatin e atyre marrëveshjeve. Në këtë kuptim ne angazhohemi për forcim e bashkëpunim institucional midis Kosovës dhe Shqipërisë ku ka kaq shumë çështje që ende as nuk janë nisur e që priten me padurim nga të gjithë qytetarët e dy vendeve dhe nga të gjithë shqiptarët kudo në rajon.

Cili është roli qe po luan Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në raport me dialogun Kosovë-Serbi?

Së pari, dialogu pa kushte dhe pa parime me Serbinë, i ka sjellë dëme të mëdha vendit. Kosova ka pasur një proces 6 vjeçar të dialogut me Serbinë dhe nga ky kanë dalë 33 marrëveshje, shumë prej tyre, bien ndesh me interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ne ende nuk dimë se cili ka qenë ndikimi shoqëror i atyre marrëveshjeve. Nuk mund të vazhdojmë me një fazë të re të dialogut me Serbinë, pa pasur një bilanc të marrëveshjeve të nënshkruara dhe më e rëndësishmja, shteti i Kosovës para nisjes së çfarëdo faze të dialogut, duhet të ketë listë kërkesash për Serbinë, duke filluar nga njohja, kërkim falja, dëmshpërblimi, kthimi i të pagjeturve etj. Kosova është dashur të ketë dialog me qytetaret serb që jetojnë në Kosovë, për integrim përmes zhvillimit e prodhimit, barazisë e drejtësisë. Duke pasur parasysh qëllimet shoviniste e hegjemoniste të Serbisë, Shqipëria me theks të veçantë kryeministri Rama, është dashur të ketë rol sidomos në këtë çështje. Përgjegjësia më e madhe për përjashtim të Shqipërisë nga ky proces bie mbi qeveritë e Kosovës, por nuk është pa përgjegjësi as kryeministri Rama, duke pasur parasysh obligimet që i dalin nga Kushtetuta e Shqipërisë. Ndikimi pozitiv i tij ka qenë i rëndësishëm, madje i domosdoshëm.

Për sa i përket çështjes se shkëmbimit territorial, cili është qëndrimi juaj?

Fatkeqësisht Kosova ka një President i cili nuk beson në integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Projekti për shkëmbimin territorial, është projekti më i rrezikshëm deri tani e të cilin është munduar ta shtyjë përpara Presidenti Thaçi. Ka pasur kundërshtim të fuqishëm ndaj këtij projekti, kundërshtim qytetar e opozitar dhe gjithashtu ai projekt nuk ka pasur mbështetjen as të miqve tanë ndërkombëtar e sidomos të një shteti të fuqishëm siç është Gjermania. Duket që Thaçi ka bërë një tërheqje nga kjo aventurë dhe ky projekt i rrezikshëm. Është absurde të mendohet që falja e territorit, sjellë paqe. Por në anën tjetër as stabiliteti i Ballkanit nuk mund të bëhet në kurriz të Kosovës. Apetitet e Serbisë duhet të ndalen njëherë e përgjithmonë.

Sipas mendimit tuaj, ku qëndron problematika e elitës drejtuese kosovare? A janë duke ndjekur ata një politike në favor te interesave të Kosovës?

Absolutisht jo. Bartësit e institucioneve në Republikën e Kosovës, më së paku mbrojnë interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ne po kalojmë një periudhë tejet të vështirë si në aspektin politik, ekonomik e social, madje një degradim të vazhdueshëm. Qytetarët po përballen me mjerim e varfëri dhe po ikin heshtazi nga pushtetet e korruptuara. Ne duhet të punojmë shumë që të kthejmë shpresën tek qytetarët. Kosova nuk ka nevojë vetëm për ndryshim fytyrash, por edhe për ndryshim të mendësisë qeverisëse e kjo do të jetësohet shumë shpejt.

Se fundmi, si i shikoni raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian?

Ne angazhohemi për forcim të raporteve dhe aleancave më SHBA dhe BE. Ky raport duhet të mbështetet mbi interesat e qytetarëve dhe Republikës së Kosovës. Ne jemi kundër që kjo qasje të krijoj servilizmin siç deri tani ka ndodhur. Ne duhet të respektojmë miqtë tanë, por së pari vetveten. Nuk besoj që raportet mund të prishen nëse ne vendosim mekanizma që mbrojnë vendin tonë. Por mendoj që përfaqësuesit diplomatik, do të duhej të jenë të drejtpërdrejt me të korruptuarit në institucione sepse nuk mund të kërkosh luftim të krimit e korrupsionit nga ata që janë të zhytur në krim. Përgjegjësit e fajtorët kanë emra e mbiemra andaj faji nuk duhet të përgjithësohet sepse po mbetet në ajër.

Flash Lajme

Më të lexuarat