Pas plot 4 orësh, opozita ka vendosur t’i japë fund protestës së tretë të madhe dhe të 9-ës në 8 javët e fundit, duke filluar nga 16 shkurti i këtij viti.

Nga selia blu, kreu i PD-së, Lulzim Basha e cilësoi protestën e sotme, si më të madhen në histori.

Basha tha se hedhja e gazit apo dhe tentativat e pushtetit për të shpërndarë protestën, nuk ja dolën. Kreu i PD-së tha se duhet vazhduar kjo betejë, pasi për të vendi po shkon drejt zgjedhjeve të lira.

”Sot ju keni vulosur në mënyrë të pakapërcyeshme, për të gjithë shqiptarët e ndershëm, largimin e Edi Ramës dhe të qeverisë së krimit. Ata u munduan ta shpërndanin protestën akoma pa filluar, por ne ia dolëm të ishim të jashtëzakonshëm. Qeveria kriminale dhe ilegjitime e Ramës, mbahet me paratë e krimit dhe të armiqve të popullit shqiptar, por asnjë tentativë e kundraligjshme, nuk ka për t’i mbajtur në pushtet ata, sepse fundi i tyre është vulosur”, tha Basha.

Tension e përplasje me policinë janë shënuar në protestën e opozitës së bashkuar. Policia ka përdorur gaz lotësjellës, ndërsa bilanci i të plagosurve ka shkuar në 13, mes tyre 5 policë.

Incidente u shënuan në sheshin para kryeministrisë, ku protestuesit qëlluan me shashka e tymuese. Ndryshe nga më parë, protestuesit qëlluan këtë herë edhe me domate e lakra, ndërsa derdhën edhe qumësht në rrugë.

Flash Lajme

Më të lexuarat