Arrestohet personi i gjashtë për grabitjen brenda aeroportit të Rinasit në datë 9 prill. Ai mban pseudonimin ‘Daja’, është nga Kosova. 50-vjeçari, i cili është identifikuar me emrin Ragip Hxhihajdini është arrestuar pasditen e djeshme tek Shkëmbi i Kavajës në një pronë të tijën

Erjon Dervishi

Rezultati i këtij operacioni erdhi pas dëshmisë që ka bërë i “penduari i drejtësisë” Alkond Bengasi. Alkond Bengasi e përmendi për herë të parë para hetuesve përfshirjen e një personi nga Kosova me pseudonimin “Daja”. Me të njëjtin pseudonim, “Daja” në rrëfimin e tij, Alkond Bengasi i referohet edhe Admir Muratajt, tropojanit që u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë pas grabitjes. “Unë shkoja shpesh në banesën e Klementit e cila ndodhej afër shtëpisë time dhe në këtë banesë vinte shpesh edhe Admir Murataj. Po ashtu e kam takuar Admirin edhe me një person tjetër nga Kosova i moshës rreth 50 vjeç, qeros, të cilin Admiri e thërriste me pseudonimin “Daja”, deklaroi Bengasi para grupit hetimor. Përpos “Dajës” janë arrestuar edhe pesë persona të tjerë; Oltion Veseli dhe Elton Pikli, të dy nga Kruja dyshohet se janë autorë, ndërsa Alkond Bengasi (i penduar i drejtësisë), Saimir Çela dhe Renaldo Sula akuzohen si bashkëpunëtorë. Në kërkim janë; Talo Çela, Klement Çala, Eldi Çala, Marenglen Hoxha, ish-punonjës policie, Aleks Pepa dhe një person tjetër. Ndërkohë që koka e grupit, Admir Murataj nga Tropoja, i arratisur në 2013 nga burgu grek u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë. Grupi hetimor që po merret me zbulimin dhe gjurmimin e kësaj ngjarjeje kishte vënë në shënjestër dy persona që strehoheshin në zonën e plazhit në Durrës. Sipas informacioneve, grupi operacional ka arrestuar njërin prej tyre. Prej ditësh ata ishin në përgjim dhe survejim. Operacioni nga Tirana nisi pasditen e djeshme, fillimisht me rrethimin e një perimetri 1 km nga disa efektivë civilë në zonën e plazhit, që kanë ardhur me katër makina pa u kuptuar dhe më pas kanë ndërhyrë duke e arrestuar. Në njoftimin e saj Policia e Shtetit bën më dije se: Në vijim të veprimeve  të kryera nga një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e grabitjes më 9 prill në aeroportin e Rinasit,  policia informon se është kapur R.H., 50 vjeç, lindur e banues në Pejë, i dyshuar si një prej autorëve të kësaj ngjarje. Ai do të hetohet nga Prokuroria për Krime të Renda Tiranë, për veprën penale  te “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, “Mbajtjes pa leje të municioneve luftarake”, “Vrasje e punonjësve të policisë, e kryer ne bashkëpunim e mbetur në tentativë”.

Pjesë nga dëshmia e Alkond Bengasit

Pyetje: Ndaj jush zhvillohen hetime pasi dyshoheni për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes me armë kryer në bashkëpunim”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kirminal në lidhje me ngjarjen e ndodhur me 09.04.2019 në aeroportin e Rinasit, ku është grabitur me armë një shumë vlerash monetare (euro), pyetjen e dëgjuat, e kuptuat dhe çfarë shpjegimesh do të jepni? Përgjigje: U njoha me të drejtat dhe pyetjen e bëre në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 09.04.2019, ku në Aeroportin e Rinasit është grabitur një shumë vlerash monetare, dua të deklaroj se unë jam dijeni për këtë ngjarje pasi: Unë njihem me shtetasin Klement çala, i cili është kushëri i imi, pasi nënën e Klementit e kam gocë teze, ndërsa babain e Klementit, babai im e ka djalë daje. Unë kam qenë në shtetin grek në vitin 1998-1999 dhe aty kam qëndruar në shtëpinë e Klementit, i cili në atë kohë jetonte me familjen e vet. Unë në vitet 2012-2013 saktësisht nuk më kujtohet, jam kapur me një cigare hashash dhe kam qenë në burg në Shqipëri. Në atë kohë kur unë kam qenë në burg, kam marrë vesh me anë të televizorit se kushëri im Klement Çala është arratisur nga burgu Trikalla i Greqisë sëbashku me disa persona të tjerë. Pasi unë kam dalë nga burgu pas 6 muajsh, Klementi kishte ardhur në Shqipëri dhe mbaj mend se ai ka ardhur dhe më ka takuar në shtëpinë time në qytetin e Elbasanit dhe konkretisht në fshatin Kusarth. Në atë kohë Klementi sëbashku me shtetasin Admir Murataj po hapnin një restorant të zona e Liqenit të Thatë dhe konkretisht në hyrje të digës së Liqenit. Pasi këta dy shtetas kanë hapur restorantin, unë gjatë kësaj periudhe jam takuar disa herë me Klementin. Më pas, mua më është sëmurur nëna ime dhe Gjykata e Apelit më ka rikthyer në burg dhe jam shpallur në kërkim dhe për një periudhë unë takohesha shumë rrallë me Klementin. Unë jam i punësuar në varrezën e makinave të cilën e ka babai i Klementit, Pullumbi, e cila ndodhet midis fshatit Kusarth dhe Bradashesh, Elbasan. Vëllai i Klementit, Eldi Çala, ka një rrobaqepësi në Uzinën 12 në Bradashesh. Përpara rreth 5 muajsh më ka thënë shtetasi Eldi Çala se do të shkonim të merrnim një furgon në dalje të Fushë Krujës dhe unë i kam thënë se nuk vij, se kam vajzën sëmurë dhe të gjente një person tjetër për të shkuar për ta marrë. Pas dy ditësh kur unë kam shkuar tek rrobaqepësia e Eldit kam parë një furgon. Në oborrin mbrapa rrobaqepësisë ndodhej i parkuar një automjet me ngjyrë jeshile i markës Shevrolet, me targa të huaja të cilat s’më kujtohen. Mbaj mend se me këtë automjet Eldi bënte xhiro disa herë brenda territorit të rrobaqepësisë. Unë e kam pyetur Eldin se ku e kishte gjetur këtë automjet dhe ai më është përgjigjur se këtë automjet e kishte sjellë nga lart (dhe unë nënkuptova shtetin e Kosovës) Admir Murataj, të cilin Eldi e thërriste me pseudonimin “Daja”. Unë e kam pyetur sërish Eldin për ca e do këtë automjet, pasi ishte i vjetër dhe ai më ka thënë se do e mbajmë për qejf pasi është 4×4. Pas rreth 2-3 muajsh Eldi e ka sjellë pikërisht automjetin që përmend më lart në servisin (varrezën) ku unë punoj. Ai e ka lënë këtë automjet të parkuar rreth 3 javë ose një muaj në servisin tonë me arsyetimin se ai do ta rregullonte dhe do ta bënte makinë sportive këtë automjet. Në këtë automjet kam hyrë unë se bashku me shtetasin M.Çala, i cili është djali i xhaxhait të Klementit si dhe punonjës në po këtë varrezë (servis). Pasi Klementi e ka lënë këtë automjet rreth tre javë ose një muaj në servisin ku unë punoj, një ditë që unë nuk ndodhesha në shtëpi dhe nuk kisha shkuar në punë, Eldi kishte shkuar në servisin ku unë punoj dhe e kishte marrë automjetin tip Shevrolet me anë të një karroatreci. Unë këtë fakt e mësova nga E.Çala dhe ai më ka thënë se automjetin e mori Eldi së bashku me shtetasin Talo Çela, i cili është nga Bradasheshi. Pas rreth 3-4 ditësh pikërisht automjetin tip Shevrolet e ka sjellë përsëri në servisin ku unë punoj shtetasi Eldi Çala, por kësaj here në gjendje të ndezur, pra këtë automjet e kishte rregulluar. Pas rreth 3-4 ditësh ka ardhur sërish dhe e ka marrë këtë automjet Eldi dhe ne në servis i kemi vendosur vetëm bateri. Po kështu unë në oborrin e rrobaqepësisë së Eldit përpara rreth një muaji, kam parë të parkuar një automjet tip Mercedez Vito me ngjyrë të bardhë. Unë këtë automjet e kam parë vetëm njëherë dhe nuk e kam parë më. Unë automjetin tip Shevrolet që përmenda më lart e kam parë në Rinas në 09.04.2019 në televizion gjatë emisioneve që jepeshin në lidhje me ngjarjen e grabitjes në Rinas. Këtë automjet e kam njohur nga mbrapakolpi si dhe nga fotot që transmetoheshin në media, si dhe nga fakti që tregohej se automjeti ishte Shevrolet dhe ishte modifikuar stema e Volsvagenit si dhe modifikime të tjera. Përpara disa kohësh mesa më kujtohet disa ditë pasi është vrarë avokati Ravik Gurra në qytetin e Elbasanit, unë së bashku me babain e Klementit, Pullumb Cala si dhe një kushëririn tim na ka shoqëruar policia në drejtorinë e Elbasanit ku jemi pyetur në lidhje me ngjarjen e vrasjes së avokatit. Atë ditë pasi kemi dalë nga policia e Elbasanit unë kam ardhur në shtëpinë time tek Liqeni i thatë në Tiranë dhe në banesën time po atë ditë në darkë ka ardhur Klementi së bashku me nusen e tij dhe fëmijët dhe gjatë bisedës ai më ka treguar se “ça ka policia me ty, shih mos të kanë vendos ndonjë përgjues në makinë”. Po këtë natë kur Klementi ka qenë në shtëpinë time ai më ka thënë se “do të dëgjosh një tronditje të madhe këto ditë”.

Flash Lajme

Më të lexuarat