Sipas Bankës së Shqipërisë, më shumë se 25 për qind e familjeve në vend kanë borxhe për të shlyer. Shumica kanë kërkuar hua për konsum dhe riparime në banesa.

Është rritur ndjeshëm borxhi në treg të zi

Neritan Gjergo

Rreth 26 për qind e familjeve shqiptare kanë të paktën një hua për të shlyer, të cilën e kanë marrë për konsum, biznes apo rikonstruktim pasurie të paluajtshme. Banka e Shqipërisë në dokumentin e publikuar për vrojtimin e gjendjes financiare dhe huamarrjeve të familjeve shqiptare, që e kryen dy herë në vit, thotë se qëllimet kryesore të huamarrjes së familjeve shqiptare mbeten për konsum 37%. Kurse për blerje/riparim të një prone 26% dhe për zhvillim biznesi 15%. Huaja për konsum dhe riparim prone ka rezultuar në rritje për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2018-të; huaja për konsum është rritur me 3 pikë përqindjeje dhe blerje/riparim prone me 1 pikë përqindjeje. Kurse rastet e huamarrjes me qëllim zhvillim biznesi ka qenë në rënie krahasuar me 6-mujorin e kaluar, por ka mbetur mbi peshën e rezultuar një vit më parë. Një fenomen që është vënë ré gjatë analizës së vrojtimit të gjendjes financiare të familjeve dhe huamarrjes së tyre është se struktura e burimit të huamarrjes ka ndryshuar duke rezultuar huamarrje formale në rënie. Tepricën e huamarrjes sipas burimit të saj rezulton se rreth 70%, vjen nga burime formale dhe rreth 30% nga burime joformale. Kjo strukturë reflekton rënien e ndjeshme të huamarrjes formale krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe krahasuar me një vit më parë. Duke e analizuar tepricën e huas sipas qëllimit të përdorimit, rezulton se rreth 27% e saj është përdorur për ‘blerjen/riparimin e një prone’, 44% për ‘zhvillimin e një biznesi’ dhe vetëm 9% e tepricës është përdorur me qëllim ‘konsumi’. Për sa i përket monedhës së huamarrje; 86% e kësaj teprice është në lekë, dhe 14% në valutë (euro). Krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2018, kjo shpërndarje është zhvendosur në favor në tepricës në monedhë vendase. Në rreth 31% të rasteve të raportuara, huamarrja e familjeve rezulton në formën e ‘kredisë nga institucione financiare’, ku 27% e rasteve janë në trajtë kredie dhe 4% janë në trajtë kartash krediti dhe overdraft. Kjo peshë ka shënuar rënie me rreth 7 pikë përqindjeje krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe me 4 pikë përqindjeje (pikë përqindje) krahasuar me një vit më parë. Në rreth 44% të rasteve, huamarrja deklarohet në formën e ‘parasë në dorë’,duke shënuar rritje me 6 pikë përqindje krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe rritje me 3 pikë krahasuar me vitin e kaluar. Peshë të konsiderueshme vijon të ketë zëri ‘mall i papaguar’(22% e rasteve të huamarrjes), por në rënie gjatë periudhës së vrojtuar. Rreth 59% e familjeve huamarrëse kanë deklaruar se aftësia e tyre paguese ‘nuk ka ndryshuar’ gjatë 6-mujorit të dytë të vitit 2018 dhe kjo peshë është ulur me 1 pikë përqindje krahasuar me 6-mujorin paraardhës. Pjesa tjetër e të anketuarve, vlerësojnë përmirësim të aftësisë së tyre paguese, si në krahasim me gjashtëmujorin kaluar dhe në krahasim me një vit më parë. Familjet që kanë deklaruar përkeqësim të aftësisë paguese (gjithsej 96 familje), në 30% të rasteve cilësojnë si arsye kryesore ‘rënien e të ardhurave familjare’, në 46% të rasteve cilësojnë ‘rritjen e shpenzimeve të jetesës’ dhe në 20% të rasteve ‘kombinimin e dy arsyeve të mësipërme’. Nga ana tjetër, rreth 46% e familjeve që kanë deklaruar përkeqësim të aftësisë paguese gjatë 6-mujorit referues, konsiderojnë ‘uljen e shpenzimeve’ si mënyrën kryesore për të përballuar vështirësinë e pagesës, 29% e tyre konsiderojnë ‘kërkimin e një pune të përkohshme’ dhe 11% konsiderojnë ‘shitje/dhënie me qira të një prone’.

Shlyerjet

Për 6-mujorin e parë të vitit 2019, rreth 80% e familjeve huamarrëse nuk presin ndryshim të aftësisë së tyre paguese (në rritje me 6 pikë përqindje krahasuar me vrojtimin e kaluar), ndërsa balanca neto e përgjigjeve të pjesës tjetër ka rezultuar –1.7 pikë përqindje, gjë që tregon se familjet presin ‘përkeqësim’ të aftësisë së tyre paguese në 6 muajt e ardhshëm. Pjesa më e madhe e familjeve që presin përkeqësim të aftësisë së tyre paguese (33 familje gjithsej, ose 11% e të përgjigjurve), japin si arsye kryesore pritjet për rritjen e shpenzimeve të domosdoshme (42%) dhe për rënie të të ardhurave familjare (36%). Rreth 63% e të përgjigjurve kanë deklaruar se ‘nuk presin të marrin hua të re në 6 muajt e ardhshëm’ dhe kjo peshë është rritur krahasuar me 6-mujorin e kaluar. Nga ana tjetër, rreth 37% e të përgjigjurve (ose 417 familje), deklarojnë se e konsiderojnë në shkallë të ndryshme sigurie mundësinë për të marrë/rimarrë një hua të re gjatë periudhës në fjalë dhe kjo peshë ka rënë lehtësisht krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe krahasuar me një vit më parë.

Mundësitë

Indeksi i mundësisë për të rimarrë një hua të re, ka rezultuar 0.157, duke shënuar një rënie të vogël krahasuar me vrojtimin e kaluar dhe krahasuar me një vit më parë, si dhe duke rënë nën vlerën e mesatares afatgjatë të tij. Në grupin e familjeve që planifikojnë të marrin një hua të re (417 familje), rezulton se më shumë se gjysma e tyre (59%) janë ‘huamarrës të rinj’, pra që nuk kanë hua të papaguar në momentin e intervistimit dhe 41% janë ‘huamarrës ekzistues’. Krahasuar me 6-mujorin e kaluar, vihet re një rritje me 2 pikë përqindje e peshës së huamarrësve potencialë(të rinj) kundrejt atyre ekzistues. Ecuria e sistemit bankar në 2018-n ishte pozitive, teksa rreziku i kredisë ka rënë, si rrjedhojë e reduktimit të nivelit të huave me probleme, që zbriti afër 11%. Edhe rreziku i likuiditetit mbetet i ulët, thanë ekspertët e Bankës së Shqipërisë në prezantimin e raportit të Raportit të Stabilitetit Financiar 6-mujori II 2018.

Flash Lajme

Më të lexuarat