Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar lidhur me protestën e sotme të opozitës, duke kërkuar vetëpërmbajtje nga palët.

“Ambasada e SHBA dënon dhunën e pranishme gjatë protestës së sotme.

Objektivi i deklaruar i opozitës për ta bërë demokracinë e Shqipërisë më të fortë shkon kundër dhunës që është duke u ushtruar nga protestuesit. Dhuna është thelbësisht jodemokratike dhe duhet të ndalojë. Drejtuesit e protestës kanë përgjegjësinë të nxisin qetësi. Iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë vetëpërmbajtje”, thuhet në deklaratë.

Policia po sulmon në këto momente protestuesit te Kuvendi, përmes gazit lotsjellës dhe ujit me presion. Disa prej protestuesve janë rrëzuar përtokë, dhe kanë shfaqur djegie të syve, probleme me frymëmarrjen dhe të vjella.

Raportohet se mes efektivëve dhe protestuesve ka pasur përplasje fizike dhe mes tyre ka disa të plagosur, por nuk dihet ende numri i saktë i tyre.

Lidhur me situatën reagoi më herët kryeministri Rama, i cili përmes një mesazhi në “Twitter” u shpreh: “Çfarë trishtimi një lider opozite që me zë të ikur i thotë qeverisë ‘Aman ik!’,ndërkohë që ata rrotull tij hedhin zjarr mbi godinën e saj! Uroj që kujt vete ende pas kësaj politike qorre, t’i jetë hapur sonte syri nga zjarri që qeverisë s’ka ç’i bën,po Shqipërisë i bën veç dëm”.

Kryedemokrati Basha vijon t’i mbajë protestuesit të mobilizuar, ndonëse tanimë ka përfunduar orari zyrtar i lejes për protestën.

“Nuk është thjesht shfaqje force, sot përcaktohet fati i shqiptarëve”, ka deklaruar kreu i PD-së në mesazhin para protestuesve.

Flash Lajme

Më të lexuarat