SHQIPTARËT NUK JANË ARDHACAKË, POR ETNI HISTORIKE NGA ANTIKITETI E DERI TE KOHA JONË…
*Historiani Jusuf Buxhovi, gjatë takimit me studentët e Universitetit të Europës Juglindore në Shkup, tha se Maqedonia si shtet mund të mbijetojë vetëm po qe se shqiptarët fitojnë barazi kushtetuese dhe assesi të degradohen në rolin e pakicës.

Me këtë rast, u kritikua roli inferior i historianëve shqiptarë , të cilët në vend se të punojnë për të vërtetën shkencore rreth identitetit etnik, historik dhe shpirtëror të shqiptarëve nga antika deri te koha jonë, pajtohen me klishetë e historiografisë maqedonase , ku shqiptarët paraqiten si ardhacak në shekullin XVIII!
Në vazhdën e aktiviteteve për promovimin e librit “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”, që këto ditë po zhvillon në Maqedoni, historiani Jusuf Buxhovi dhe botuesi i “Jalifat Publishing” nga Hjustoni, Ramiz Tafilaj, të shoqëruar nga Blerim Reka, politolog dhe historiani Qerim Lita, patën një takim me studentët e Universitetit të Europës Juglindore në Shkup. Me këtë rast, botuesi Ramiz Tafilaj studentëve ua dhuroi 50 ekzemplarë të librit “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”. Botuesi Tafilaj tha se misionin donator do ta vazhdojë edhe në universitetet tjera të Maqedonisë, në mënyrë që ky libër, i pari i llojit të tillë, që me argumente shkencore Maqedoninë e paraqet pjesë të pandashme të botës pellazge-ilire, ndërsa hapësirën e tanishme të shtetit maqedonas, epiqendër të identitetit etnik dhe politik të nacionalizmit shqiptar, të kthehet “në mburojë” nga shtrembërimet e historiografisë zyrtare maqedonase, që shqiptarët i paraqesin si ardhacakë, në mënyrë që t’u imponohet statusi i minoritetit, siç pasqyron kushtetuta e tanishme e Maqedonisë. Historiani Jusuf Buxhovi, duke u ndërlidhur me këtë problematikë, theksoi se një pjesë të mirë të fajit, pse shqiptarët në Maqedoni trajtohen si “ardhacakë” e me këtë edhe si minoritet, duhet parë te historiografia shqiptare (ajo zyrtare në Shqipëri) si dhe historianët shqiptarë nga Maqedonia, të cilët nuk ia kanë dalë që me vepra meritore shkencore ta mbrojnë të vërtetën për etninë historike, shpirtërore dhe politike të shqiptarëve nga antikiteti e deri te koha jonë në këto hapësira, gjë kjo që ka ndikuar që edhe politika shqiptare, kryesisht vasale në raport me atë maqedonase, të mbetët në kornizat antihistorike të këtij diskursi, ku edhe e ka burimin trajtimi i pabarabartë në kuadër të shtetit të Maqedonisë. Përkundrazi, historiografia zyrtare e Shqipërisë Maqedoninë antike, veçmas Aleksandrin e Madh dhe helenizmin, e ka përjashtua nga bota pellazge-ilire, ndërsa historianët nga radhët e instituteve të historisë nga Shkupi dhe Prishtina, përkundër kushteve të mira që i kanë, nuk ia kanë dalë që të hartojnë qoftë një tekst të përbashkët në të cilin pasqyrohet identiteti etnik dhe historik i shqiptarëve në përputhje me të vërtetën se ata ishin pjesë e trinomit mbretëror pellazg-ilir – dardan, maqedon dhe epirot, që përcaktoi të gjitha zhvillimet në antikitet dhe mesjetë, prej nga ka burimin qytetërimi antik si dhe perandoritë e mëdha: Roma dhe Bizanti. Me këtë rast, historiani Buxhovi, theksoi se libri “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”, i dedikohet kësaj çështje, në mënyrë që studentët të kenë edhe një “burimin alternativ” në raport me atë që u ofrohet nga tekstet zyrtare, ku trajtohen “si ardhacakë”!

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All