Vazhdojnë fërkimet mes LSDM-së dhe BDI-së. Në pikëkalimin kufitar Bllacë po bëhen rokada të të punësuarve në baza partiake thotë për Televizionin 21 burim i cili po ashtu punon në këtë pikëkalim.

Siç tregon burimi, tani në periudhë parazgjedhore po bëhen lëvizje nëpër disa poste, ndërsa ndër rastet e fundit është se një kuadër i BDI-së i cili ka qenë shef ndërrimi, është zëvendësuar nga një aktivist i LSDM-së.

“Në prag të zgjedhjeve kanë filluar numër të madh të vendimeve te jepen dhe të ndryshohen kuadrot. Më së shpeshti lëvizjet ndodhin tek pozitat e maqedonasve, por kjo nuk mjafton me kaq. Në prag të zgjedhjeve kanë filluar fërkimet mes dy partnerëve të koalicionit LSDM dhe BDI ku ministri Oliver Spasovski nuk e përfill zëvendësin e tij Agim Nuhiun, ku kuadrot e BDI-së i ndërron me aktivistë të flaktë të LSDM-së” është shprehur burimi i TV21 i cili gjithashtu punon në pikëkalimin Bllacë.
Redaksia e TV21 i ka të njohur emrat e personave me të cilët, sipas burimit, është bërë rokadë në një prej sektorëve. Madje disponojmë edhe fotografi që dëshmojnë afërsitë e tyre me dy partitë në pushtet, por tani për tani do të ruajmë identitetin e tyre. U përpoqëm që për këtë çështje ta pyesim zëvendësministrin për Punë të Brendshme Agim Nuhiun, por ai u iku pyetjeve të gazetarëve. I kontaktuar përmes telefonit Nuhiu shkurt na tha se nuk i ndajnë punësimet në baza partiake, ndërsa nuk deshi që më gjerësisht ta komentojë rastin. Për pyetje na tha që t’i drejtohemi zyrës për media të Ministrisë së Brendshme, nga e cila ende po presim përgjigje. Në letrën që TV21 e ka marrë nga burimet e tij, po ashtu theksohet shqetësimi për përfaqësimin e dobët të shqiptarëve në postet drejtuese në kuadër të MPB-së, e që sipas burimit, është vetëm 4%. “Policia kufitare përbëhet nga 1 ndihmës drejtor dhe 7 kryeshefa, ku të gjithë janë maqedonas, përveç dy inspektorëve të lartë që janë shqiptarë” shkruan burimi, duke shprehur po ashtu shqetësimin se në rajonin kufitar lindor përfaqësimi i shqiptarëve është zero ndërsa në atë jugor 0,3%./TV21

Flash Lajme

Më të lexuarat