Kryeministri Zaev përmes gënjeshtrave orvatet të kthejë besimin e humbur në Gostivar
Në takimin e sotëm me qytetarët e Gostivarit, kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, u përpoq që me gënjeshtra të kthejë besimin e humbur tek qytetarët e Maqedonisë në përgjithësi, e sidomos tek qytetarët e Gostivarit.


Rikonstruktimi i pullazit të SHFK “Goce Dellçev” është rezultat i angazhimeve të Komunës së Gostivarit dhe gatishmërisë së bashkësisë ndërkombëtare për të ndihmuar aty ku dështon qeveria në përmbushjen e obligimeve të veta, dhe e gjithë kjo në interes të qytetarëve.
Siç u shpreh edhe vetë kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari: “Botërisht dihet që pullazin e SHFK “Goce Dellçev” e financojnë UNDP (nëpërmjet projektit të Ambasadës Zvicerane) dhe Komuna e Gostivarit, pa asnjë ndihmë nga Qeveria e RMV-së”.
Edhe po të ishte e vërtetë ajo që tha Zaev në tribunën në Gostivar, prapëseprapë do të ishte turp për një kryeministër shteti, që të falënderojë individë të caktuar kinse kanë arritur të sigurojnë donacion nga organizatat ndërkombëtare për një ndër detyrat dhe kompetencat bazë të qeverisë për të siguruar kushte normale jetësore gjatë qëndrimit të nxënësve në shkollat publike, kur dihet se jo vetëm që ata gëzojnë të drejtën për tu arsimuar, por ndjekjen e arsimit fillor dhe të mesëm e kanë të detyrueshëm.
Nëse do të kishte ndërgjegjen minimale ky njeri i cili kur flet në publik vë dorën në zemër dhe thotë: “Јас сум добар човек“ (Unë jam njeri i mirë) sot qytetarëve të Gostivarit duhej që tu kërkojë falje që nuk e ka hapur bulevardin e premtuar gjatë fushatës, ose të paktën tu kërkojë falje që edhe pas rikonstruktimit të rrugës magjistrale në segmentin përskaj qytetit, nuk u instalua ndriçim madje as te mbikalimi.

Shërbimi për informim
Komuna e Gostivar

Flash Lajme

Më të lexuarat