Fazli Ametovski deri para disa javësh ka punuar si blegtor në Itali, por tani ka mbetur pa punë. Ka tre muaj që rri tek një shoku i tij në pritje për t’u kthyer.

“Ruaja dele, tani dola nga puna dhe tani vetëm rrimë. Pa dokumente nuk na mbante pronari. Po nuk bëhet puna se nuk ka fluturime, s’ka autobusë”, tha Fazli Ametovski, blegtor në Itali. Në pritje është edhe druvari Kadir Mustavov që tashmë ka mbetur i papunë.

“Si kam mbetur këtu, kisha për të rinovuar disa dokumente dhe mbeta këtu më zuri kriza. Kam punuar me dru po mbaroi puna e drurit. Tani pres lajme për t’u kthyer në shtëpi. Pres lajme prej Ambasadës, ja ende asgjë nuk ka”, tha Kadir Mustavov, druvar në Itali.

TV21 komunikoi edhe me shumë persona të tjerë që nuk deshën të flasin para kamerës. Na treguan se janë në gjendje të vështirë ekonomike si pasojë e krizës, disa të tjerë janë me probleme shëndetësore, por edhe thjesht turistë që kanë mbetur të bllokuar në Itali.

Për hallin e tyre, shumë shtetas të Maqedonisë e kanë kontaktuar edhe Sherif Nuredinin që drejton shoqatën “Shqiponja” në provincën e Breshias, por tregon se nga Konsullata i kanë thënë se për momentin nuk ka ndonjë mundësi për udhëtime drejt vendlindjes.

“E kemi kontaktuar shumë herë konsullatën e Maqedonisë mirëpo edhe ata presin nga qeveria e Maqedonisë që duhet të jepet leje por nga Qeveria e Maqedonisë nuk është dhënë leje për udhëtime të tjera që mund të bëhen për në vendlindje”, tha Sherif Nuredini, kryetar shoqata “Shqiponja”. Këtë e pohon edhe Feleki Bejrulov nga provinca e Torinos.

“E vetmja përgjigje zyrtare nga Konsullata e Maqedonisë së Veriut është se ende nuk ka asnjëfarë organizimi, as me aeroplan, as me autobus por as me makina private, kjo d.m.th. që ndihma që shteti ynë na ka ofruar neve, është zero”! Tha Feleki Bejrulov, banues në Itali.

Zëvendëskryeministri Bujar Osmani në TV21 tha se me konvojet me vetura nuk lejohen për shkak të problemit të kalimit transit në Serbi, por tregoi opsione të tjera.

“Me autobusë të cilët i rregullojmë ne si shtet, i financojmë ne. Me avionë të cilët mund të shkojnë deri ën Sofje, dhe ja ju rekomandoj njerëzve, të cilët mund të gjejnë biletë deri në Sofje, le të vijnë deri në Sofje, pastaj ne me autobusë i marrim nga pika kufitare dhe i dërgojmë në karantinë”, tha Bujar Osmani, zëvednëskryeministër.

E Bejrulov thotë se as këtë shtetasit nuk mund ta bëjnë sepse u duhet leje qarkullimi që e jep përfaqësia diplomatike e Maqedonisë, ndërsa e njëjta nuk u përgjigjet.

“Kur flasim për lëvizje për riatdhesim, jepet një letër nga konsullata e Republikës së Maqedonisë, pra njerëzit edhe për të udhëtuar me aeroplan kanë prap nevojë për një mbështetje të konsullatës. Konsullata nuk jep asnjë përgjigje. Zotëri Bujar Osmani thotë se është e mundur. Ne nuk dimë ku të drejtohemi”! Tha Feleki Bejrulov, banues në Itali.

Televizioni 21 iu drejtua Ministrisë së Jashtme me kërkesën për përgjigje konkrete se pse s’po organizohet konvoj i katërt nga Italia, se ku ka ngecur puna dhe cila është përgjigja që ua jep ambasada, por nuk morëm asnjë përgjigje. Jo zyrtarisht mësohet se numri i atyre që kërkojnë të kthehen është rreth 300./TV21

Flash Lajme

Më të lexuarat