Karvani i Bashkimit Demokratik për Integrim sot ka qëndruar në Komunën e Kërçovës ku në vazhdën e takimeve me aktivist, simpatizantë dhe qytetar me fjalimet e tyre u paraqitën kandidatit për kryeministër i RMV-së, z.Naser Ziberi, bartësi listës në njësinë zgjedhore nr.

5, Talat Xhaferi kryetari i Komunës, z.Fatmir Dehari si dhe kryetari i partisë, z.Ali Ahmeti.

Kryetari i BDI-së, z.Ali Ahmeti nga sheshi i Kërçovës, tha se sot është një ditë e madhe, data 4 korrik që shënon ditën e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Të nderuar vëllezër dhe motra, të dashur bashkëveprimtarë, do të doja nga ky shesh sot të shprehë një urim që më del thellë nga zemra duke ja uruar përvjetorin e pavarësisë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një urim për një mikë të madhe që në ditë të vështira ishte pranë nesh dhe na përkrahu në qëndrimet tona të drejta,” u shprehë Ahmeti.

Kryetari i BDI-së, Ahmeti bëri të ditur se në këtë cikël zgjedhorë do të bëhet avancimi i mëtejshëm i çështjes shqiptare duke i përfaqësuar denjësisht shqiptarët në nivelet më të larta të institucioneve vendimmarrëse.

“Mos i dëgjoni të tjerët se thonë se nuk bëhet! E shihni se gjithë shteti merret me idenë tonë dhe i tërë rajoni. Kjo ide është një e drejtë e pa mohueshme, legjitime që ky vend të ketë kryeministër shqiptarë dhe nuk ka asnjë dyshim që kryeministri me 16 korrik do të jetë fitimtarë ku ne do të jemi çelësi, do të jemi vendimtarë për Qeverinë e re. Jam i sigurt se shqiptarët kanë dit ti mbështesin idetë e mëdha, dhe këtë radhë do të bëjnë hapin e duhur duke na mbështetur që ta përfaqësojmë shtetin në institucionin më të lartë në Qeveri,” potencoi Ahmeti.

Në mes të tjerash kryetari i BDI-së, Ahmeti para qytetarëve të Kërçovës shtoi se ky vend ka nxjerr dy nobelistë shqiptarë edhe atë Nënë Terezën dhe Ferit Muradin gjë që krenohet Maqedonia ndërkaq nuk dëshirojnë kundërshtarët që kryeministri i vendit të jetë shqiptarë.

“Është në nder të këtij vendi e nderon Republikën e Maqedonisë së Veriut i afron i bashkon komunitet, nuk i ndanë. Çka i ndodhi Kërçovës me gjithë atë piskamë para 10 viteve në zgjedhjet komunale se nuk e japin Kërçovën se do na dëbojnë shqiptarët. Sot Kërçova funksionon më së miri se çdo vend në këtë Republikë në komunikim dhe bashkëpunim shqiptarë dhe maqedonas dhe e them me krenari në këtë shesh. I frikësoni në atë kohë njerëzit duke e nxjerr kryetarin e komunës z.Fatmir Deharin me uniformën e UCK-së. Pikërisht prej këtu del apeli se nga kryeministri shqiptarë nuk duhet të frikësohen asgjë nuk i gjënë përkundrazi vendit do ti shërbej,” ishte decid në fjalimin e tij kreu i integristëve, Ahmeti.

Në fund të fjalimit të tij, Kryetari i BDI-së, Ahmeti tha se këto ide nuk janë të kota, nuk ja nxjerr për tu tallur me votuesit.

“Idetë tona i vendosim që të realizohen dhe të jeni të sigurt se të gjithë bashkë do ti realizojmë duke filluar nga sundimi i ligjit, vetting në të gjitha institucionet, mirëqenia ekonomike, rritja e pagave, investime në ekonomi dhe në të gjitha frontet do të dalim faqebardhë. Qëllimin e kemi të drejt dhe të gjithë së bashku me 15 korrik të votojmë për kryeministrin shqiptarë,” përfundoi Ahmeti.

Flash Lajme

Më të lexuarat