Nga Lidhja Social-demokrate e Maqedonisë së Veriut, theksojnë se lideri i kësaj partie “Zoran Zaev do të jetë mandatari për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut”.

Ndërkaq nga Bashkimi Demokratik për Integrim, për Radion Evropa e Lirë kanë theksuar se kjo parti mbetet në qëndrimin që “qeveria e re e vendit të drejtohet nga kryeministër shqiptar, përkatësisht Naser Ziberi”, përcjell agjencia e lajmeve INA.

Sefer Selimi, njohës i çështjeve politike, për Radion Evropa e Lirë thotë se bisedimet mes social-demokratëve (LSDM-së) dhe internistëve (BDI-së), kanë arritur në një pikë të vështirë të zhvillimit të bisedimeve për qeverinë e re, sepse të dy partitë kërkojnë të gjendet një formë përmes së cilës të dalin fitimtarë para elektoratit të tyre rreth synimeve për çka janë angazhuar gjatë fushatës zgjedhore.

Nano Ruxhin, ish-ambasador, ligjërues i shkencave politike në Universitetin FON të Shkupit, për Radion Evropa e Lirë thotë se përmes ndikimit të “forcave ndërkombëtare” vendi do të ketë qeveri të re për tu ballafaquar me sfidat rreth dialogut Shkup-Bruksel për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane.

“Shpresoj që së shpejti të tejkalohen këto probleme dhe vendi sa më shpejtë të jetë e mundur të formojë qeverinë për të mirën e qytetarëve, në të mirë të proceseve euro-integruese dhe veçanërisht për tu ballafaquar me koronavirusin dhe problemet që ka shkaktuar pandemia”, thekson Ruzhin.

Ndryshe, pas konstituimit të institucionit ligjvënës, të martën në bazë të Kushtetutës së vendit rrjedh afati kohor prej dhjetë ditëve për formimin e shumicës parlamentare, pas së cilës presidenti i shtetit Stevo Pendarovski duhet të japë mandatin për të formuar qeverinë.
Pas kësaj, kandidati që ka marrë mandatin nga presidenti i shtetit ka në dispozicion 20 ditë që të paraqet programin e qeverisë së re në parlamentin e Maqedonisë së Veriut dhe të propozojë përbërjen e Qeverisë së re të shtetit.

Flash Lajme

Më të lexuarat