Procesi i formimit të qeverisë është në vijim dhe serisht do të dëshmohet se s’ka aso premtimi që BDI s’mund ta shkel. Por, qorrsokaku është shumë afër. Duket se përfundon epoka e premtimeve të rrejshme me pa llogaridhënie.

Madje edhe sikur të bëhet, jeta e kësaj qeverie do jetë e varur për një pe aq të hollë. Pra, nëse nuk dini se ku shkoni, atje edhe do të mbërrini.

Në të kaluarën sikur u bë praktikë që çfarëdo që premtohej në tokë, realizimet të lypen në mjegulla. E pastaj gjithçka përfundonte në tenderin e parë.

Edhe tani, i ndezën dëshirat, por shpejtë i shuan shpresat. Kryeministrin e çuan në deponë e gjërave të humbura. Kështu është kur qeverisjen e shndërroni në interes të do individëve pa kurrfarë përgjegjësie publike.

Por, ajo kohë si duket pakthyeshëm perëndon. Tani çdo gjë matet me peshoren e artarit. Nuk mund më të premtoni kryeministër dhe atë ta ndani në përqindje, ose ta hidhni në kënetë, pasi ai do t’u kthehet ta lyp haraçin.

Njerëzit e kanë të memoruar premtimin kristal – kryeministër me mandat dhe kapacitet të plotë. Tani ofrohen shpikje epokale me humor të zi! Për çdo person që tri ditë ka ndonjë shkollë nate politike, kryeministri është kategori numerike e fituesit. Ai që ka më pak deputet mund kryeministrin e vet ta shndërrojë vetëm në një figurë shërbyese të partive të mëdha.

Por, BDI e frikuar nga humbja e thellë, nxori nga mënga kartën e fundit mashtruese, pa çarë shumë kokën se sa kokëçarje do t’i sjellë ajo. Dhe përkundër gjitha makinacioneve të stilit të Lukashenkos, përsëri 18 deputetë shqiptarë fituan të tjerët.

Brukseli ngul këmbë për qeveri reformash thelbësore sidomos në gjyqësorin dhe ekonominë. Pushtetarët e gjertanishëm shqiptarë për dekada as që dinin se çka është zhvillimi ekonomik, a mu ky është strumbullari i çdo gjëje. Kjo është qendra gravituese dhe logjika elementare e çdo organizimi politik.

Kurse sa u përket reformave të gjyqësorit me këso kodi mental, çdo diplomat haptazi do t’ua thotë se më lehtë e keni të shkoni në këmbë në Hënë se sa kjo me ta t’u ndodhë. Fakt se gjyqësorin e shndërruan në kanalizim. Andaj faturat e Brukselit shpejtë priten dhe ato do jenë shumë të larta.

Politika e gabuar ndër vite bëri që gjeneza shqiptare dukshëm të dëmtohet. Shumë të aftë u larguan kurse shumë servilë u avancuan. Kjo vrau shpresën për një shoqëri të shëndoshë e të përparuar. U kultivua kultura e mosdijes, e egoizmit, e keqpërdorimeve dhe e korruptimit. Filloi dyndja e eksodit që do të shënohet në historinë e këtij populli. Rreth 300 mijë të rinj shqiptar lëshuan vendin.

Trishtuese janë analizat e demografëve se në pjesën perëndimore të shtetit shpërngulja e popullatës shqiptare ka kaluar gjysmën – në rajonin e Strugës 52%, të Zajazit 59%, të Pollogut 54%, të Sarajit 31%, të Shkupit 24%, të Likovës 56%.  Kjo është tmerr i paparë ndër shekuj! Por, çdo gjë ka pikën e vlimit, të cilën tentuan ta eliminojmë me një truk të radhës – “kryeministër shqiptar”, që sërish mjegulla e zezë t’i shpëtojë do ujqër të zi.

A pushtetit vazhdimisht i konvenonte të durojë një grusht keqpërdoruesish në këmbim të eksodit historik. Dhe ja politika e sëmurë vendlindjen e popullit e shndërroi në spital mendor. Për shumë punë që (s)u bënë edhe avokati i djallit mund t’ua mbajë zilinë.

Opozita shqiptare tani për tani ka pozicion logjikisht të qëndrueshëm – bëjeni atë që keni premtuar ose shkoni. Qarqe diplomatike këtë e vlerësojnë si parimore, por njëherazi çojnë mesazhe për një qeveri reformatore me shumë subjekte që nga vet struktura e brendshme heterogjene do kontrollohej.

Por, vështirë se mundeni bashkë me strukturë që për vite ka ndërtua rrjeta merimangash ku çdo gjë është e kapur. Edhe toka, edhe uji, edhe ajri, edhe jeta! Pushtetarë egoistë me pa vizion ndër vite ndërtuan piramidat e tyre faraoniste duke e lënë popullin në shkretëtirë. Shitnin patriotizma boshe, kurse brenda pranonin ligje për shtim të natalitetit vetëm në pjesën maqedonase, gjë që do mbetet enigmë për shekuj (për fat pas dy vite ky turp u rrëzua nga Gjykata kushtetuese me arsyetim se bëhet diskriminimi i rëndë mes fëmijëve).

Madje u pat pranua edhe luani i VMRO-së si stemë shtetërore, që tani do ta kishim në çdo institucion, në çdo dokument, në çdo uniformë, e në çdo shtëpi. Por, falë mosvotimit të Likës dhe Qufës kjo ra në ujë. Një liliput ordiner e patën shndërruar në polifem gjigant.

Më në fund si shpëtim patën inskenuar një konflikt të improvizuar me shumë viktima në Kumanovë. E gjithë kjo kishte për qëllim mjegullën e zezë që do fshehte punët e zeza financiare, kadrovike, funksionale e morale, të bëra nga një grusht personash, por duke njollosur shumicën dërmuese të anëtarësisë dhe funksionarëve tjerë që sadopak duan të mbeten të ndershëm.

E pakuptueshme është që aq vite në pushtet dhe mos të kihet ndjenje elementare se njerëzve u duhet zhvillim e punësim. Shumë ekspertë nga vendet që kanë zhvillim të hovshëm ekonomik thonë se me resurset ekzistuese në Maqedoni për disa vite mund të bëhet bum ekonomik, që do të siguronte mirëqenie jo vetëm për popullatën ekzistuese, por edhe kthim të asaj pjese që akoma s’ka lëshuar rrënjët në Perëndim. Shumë shtete me territor sa Maqedonia mbajnë popullatë shumëfish më të madhe dhe me standard dukshëm më të lartë.

Këtu si duket s’ka ide, s’ka vizion, e të mos flasim për projekte dhe oferta konkrete zhvillimore. E gjithë është lënë në mëshirën e djallit, e ai dihet se sa e ka mëshirën. Këtu madje vite me radhë nuk u shfrytëzuan as 20% e mjeteve financiare të pakthyeshme evropiane për zhvillim. Dështimi ndër vite nuk ndryshoi, por mendja e popullatës në mënyrë radikale u transformua.

Patriotizmat e rrejshëm s’pinë më ujë. Gjeneratat e reja kanë prioritete të reja. Ata nuk blejnë më mall të prishur në paketim atraktiv. Këso atmosfere kanë krijuar jonet negative që paralajmërojnë bubullima të mëdha me shumë vërshime. Jemi krejt në prag të përmbytjeve të intrigave politike. Mekanizmat demokratike për përmbysjen e mashtruesve që duan serisht të kapin pushtetin me truka janë të mëdha. Mandej edhe kanë përkrahjen e faktorit të jashtëm. Kaloi koha kur për dikë besonin se ka shpëtim për të sëmurit, ka sy për të verbëtit e shpirt për të vdekurit. Tani e panë se s’paska as për vete. U pa se njerëzit e vegjël nuk mund të bëjnë punë të mëdha.

Tani loja me “kryeministrin shqiptar” për qëllime elektorale ka sjellë situatë kaosi thonë vëzhguesit neutral dhe të huajt. Rrugëdalja normale është tejet e vështirë me njerëz që s’dinë se çka është normalja. Kjo do të merr kurban të madh – thonë ata! Kundërproduktive u treguan tentimet për përçarje në koalicionin konkurrent. Madje atë akoma më shumë e forcuan. Së shpejti përçarjet do të shpërngulen te përçarësit. Shqiptarët janë lodhur nga ushtrimi i pushtetit të një partie për njëzet vjet me të gjitha mjetet e palejueshme. Dhe kjo shpejt do të përfundoj. Një thënie arabe thotë – “cjapit ruaju nga përpara, kalit nga pas, kurse dredhakut ruaju nga të gjitha anët

Flash Lajme

Më të lexuarat