Një foshnjë 10 muaj e gjysmë nga Shkupi është viktima e katërt nga fruthi. Foshnja nuk ka qenë e vaksinuar me vaksinën kundër fruthit ndërkaq pos fruthit nuk ka pasur ndonjë sëmundje tjetër.

Viktima ka ndërruar jetë gjatë orëve të pasdites së djeshme në Klinikën e Fëmijëve në Shkup, pas qëndrimit dy javor në hospitalizim. Për momentin edhe 6 persona të tjerë me fruth shumica fëmijë deri në 4 vjeç janë në gjendje të rëndë, të cilët po qëndrojnë në hospitalizim ndërkaq më kritike paraqitet gjendja e një fëmije me paralizë celebrale e cila është nën kujdesin intenziv.

“Ka pasur pneumoni të rëndë, gjakderdhje në tru. Atë që dua të potencoj është se fruthi është një sëmundje tepër serioze e cila sjell më shumë sëmundje sistemore. Nuk është sëmundje e lehtë, mund t’i sulmojë të gjithë sistemet organike, edhe sistemin e frymëmarrjes edhe sistemin qendror nervor dhe për fat të keq mund të sjell edhe kësi pasqyre të rëndë klinike dhe përskaj përkujdesjes së madhe, mund të përfundoj me vdekje”, u shpreh Vladimir Mikiq, Instituti i Shëndetit Publik.

Gjatë javës së kaluar janë regjistruar 113 raste të reja me fruth. 46 prej 110 rasteve të konfirmuara me fruth janë regjistruar në Shkup ndërsa 64 rastet tjera jashtë Shkupit. Për tre pacientë tjerë priten rezultatet e analizave. Ndërkohë mbetet ende i lartë numri i fëmijëve të pa vaksinuar. Autoritetet thonë se shqetësues mbetet gjendje jashtë Shkupit.

Flash Lajme

Më të lexuarat