Fundviti është periudha kur duhet rikujtuar vitin që po lëmë pas, ditët dhe të arriturat ose atë që është dashtë të arrihet në dymbëdhjetë muajt e kaluar. Gjithandej në botë, aty ku festohen festat e fundvitit, përkatësisht festa e vitit të ri, ngërthen në vete gëzim e mërzi, nostalëgji e shpresë, botëkuptim e motiv për jetën.

Ide të reja për një vit të ri, përmbyllje e kapitullit për vitin që iku, duke e ngarkuar atë me telashet e sfidës dhe duke u hapur rrugë relacioneve të reja për një vit më të mbarë se ky që po e lëmë pas.

Në këtë drejtim parashtrohet pyetja se cilat janë arsyet për të festuar. Arsyeja e parë është festojmë mbarimin e një viti të mbrapshtë, duke shpresuar që bashkë me këtë vit të mbarojnë dhe telashet e pështjellimet që patëm për plot dymbëdhjetë muaj. Arsyeja e dytë është më e kapshme dhe më e qëndrueshme. Arsytimi më real do të ishte se një shumicë e konsideruar, nuk kanë me çfarë të festojnë. Nuk patën diçka pozitive, për të cilën duhet të cakërrojnë gotën, apo për çfarë të thonë “gëzuar”.

Duhet të pajtohemi me faktin se baba dimri nuk ekziston dhe se vet duhet t’i zgjedhim dëshirat dhe të kujdesemi që ato të na realizohen, të jemi të zotë të fjalës dhe veprave tona, me një fjalë, secili të bëhet baba dimër i vetes, familjes dhe shoqërisë së tij. Me shumë kënaqësi jam i bindur se shumëkush do ta kishte bojkotuar festimin e këtij ndërrim moti, jo për ndonjë arsye tjetër, pos asaj të mirëqenies tonë të dobët, mjegullimit të arsyes dhe errësimit të ardhmërisë tonë!

Vite me rradhë po paraqiten disa shkëndija shprese për dekriminalizimin e shoqërisë sonë të zhytur thellë në krim, korrupsion, nepotizëm, e çka mos tjetër, është obligim i të gjithë neve si individë, shoqëri dhe institucione që njëher e përgjithmonë të distancohemi nga elementet e tilla kriminogjene të cilat gjendet në çdo cep të përditshmërisë sonë.

Për më tepër, tashmë që edhe faktori ndërkombëtar-ndonëse me vonesë-po tregohet më i vendosur se kurrë në luftimin e këtyre dukurive të cilat po e mbajnë peng këtë shtet dhe këtë shoqëri, është detyrë parësore e të gjithë neve që t’i demaskojmë të gjithë ato “cuba” të mëhallave dhe lagjeve tona, të cilët, krimin, vjedhjen dhe plaçkitjen e tyre ndaj popullit të vet e mbulojnë me “patriotizmin” dhe “bajraktarizmin” e rrejshëm të tyre, duke shit “ideale” për liri, ndërsa, populli i mjerë është hipnotizuar deri në atë shkallë, sa që, më lehtë ju beson rrenave dhe mashtrimeve të tyre, se sa realitetit të hidhur i cili po kundërmon në të gjitha poret e jetës sonë.

Madje, në këtë situatë konfuze në të cilën po kalojmë si kolektivitet, ajo që duhet kuptuar dhe pranuar, është fakti i hidhur se, ky krim, nuk është monopol vetëm i sferës politike, por si i tillë ka kapluar shumë sfera të ndjeshme shoqërore, duke filluar nga shëndetësia dhe arsimi, e deri te sferat e biznesit dhe raporteve ndërnjerëzore. Andaj, injorimi i vazhdueshëm i gjithë këtyre fushave, si dhe fokusimi i vazhdueshëm vetëm tek sfera e veprimtarisë politike dhe ajo e politikbërjes, ka bërë që gjendja dhe situata jonë të arrijë në fazën e metastazës, duke kapluar çdo nyje të jetës sonë; andaj, “shërimi” dhe zgjidhja e gjendjes së mjerueshme aktuale duket gati se mision i pamundur.

Madje, çështja tjetër edhe më e rezikshme konsiston në faktin se, këto probleme dhe anomali rrezikojnë të shndrrohen në “kulturë” (nëse veçmë nuk janë shndrruar në diçka të tillë). Bile-bile, ajo që është edhe më fatale, është tendenca që elementet e tilla kriminale të glorifikohen, duke u shndrruar në “profesione” dhe “biznese” të sukseshme. Andaj, qasja ndaj gjitha këtyre problemeve dhe anomalive të akumulluara duhet të jetë shumëdimensionale, dhe se një qasje e tillë kërkonë përkushtim, seriozitet dhe vendosmëri.

Kështu, një pjesë nga krimet dhe turpet e llojit, para se të shëndrohen në elemente të tilla kriminogjene, zanafillën e tyre e kanë në elementet patologjike shoqërore, të cilat po që se neglizhohen, anashkalohen dhe nuk trajtohen me kohë, ato rezikojnë të shndërrohen në “mentalit kolektiv” dhe në normalitet që rrezikon të ngulfatë dhe fundos të tashmen dhe të ardhmen e gjithë shoqërisë sonë dhe perspektivës të saj.

Së këndejmi, veprat e këtilla, përpara se të ndodhin dhe para se të ngriten te çfardoqoftë prokurorie apo organi tjetër, ato duhet të parandalohen, të “gjykohen” dhe të “dënohen” nga vetë shoqëria dhe kolektivi.

Hapi i parë i domësdoshëm në këtë drejtim do të ishte rifreskimi ose ri-instalimi i vetëdijes së ndërgjegjësuar si dhe asaj që quhet “turp shoqëror”, me çrast , shoqëria dhe kolektivi do të merrte rolin e prokurorit publik dhe të përgjithshëm në “denoncimin” dhe dënimin e çdo sjellje delikuente dhe delitante e cila rrezikon të thejë normat shoqërore dhe kolektive si dhe të nëpërkëmb fatin e popullit. E në këtë rast “paditës” do të ishte çdo individ i shoqërisë, duke mos kursyer as fëmijën e vet.

Hapi i dytë tejet i rëndësishëm në këtë aspekt është emërtimi i gjërave me emrat e tyre të vërtetë. Kështu, është koha e fundit që kriminelit t’i themi kriminel, e jo “njeri i zoti”; është koha që injorantin dhe “dallaverxhiun” ta definojmë si të tillë, e jo duke e lavdëruar si të “gjindshëm”; është koha që rryshfetin dhe mitmarrjen ta dënojmë e ta refuzojmë, e jo ta emërojmë me emrin ”tender”, ku të gjithë turren për të marë një hise sado të vogël nga i njejti.

Hapi i tretë vendimtar në këtë drejtim është që të ndalemi së glorifikuari dukuritë negative, dhe që fenomenet e tilla destruktive të mos i shndërrojmë në biseda të zakonshme; kjo me qëllim që të mos i “indiktrinojmë” dhe “helmojmë” gjeneratat e reja me ide dhe ambicije të gabuara. Për më tepër, metoda më e mirë për të luftuar dukuritë e këtilla devijante është leçitja dhe amputimi i të njëjtave nga trupi shoqëror, para se të shndërrohen në metastazë dhe të kaplojnë tërë trupin.

Një nga hapat shumë të rëndësishëm që duhet të ndërmerret në këtë drejtim është “izolimi shoqëror” i gjithë atyre që tallen me fatin dhe perspektivat tona. Kështu, personave të llojit të këtillë, nuk duhet ulur në tavolinë si dhe nuk duhet pirë kafenë. Një izolim i këtillë, jo vetëm që do t’i bënte ata të ndjejnë përgjegjësinë dhe fajin për veprat e tyre të shëmtuara, por në të njejtën kohë një qëndrim i këtillë ndaj tyre do të ishte një “leksion” i mirë për të gjithë ata që do të ju shkonte ndërmend të tallen me fatin e popullit të vet.

Është koha e fundit që t’i shporim nga lagjet dhe mëhallat tona kriminelët dhe hajdutët të cilët po mbajnë peng shoqërinë tonë dhe perspektivat e saj. Mjaftë më “hëngrëm sapunin për djath”, mjaftë na “shitën dardha të kalbura” ata që janë të kalbur në trungun e tyre njerëzor. Është koha e fundit për vetëdijesim dhe ndryshim; përndryshe , do të na mallkojë historia dhe gjeneratat e ardhëshme.

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All