Thaçi dhe Haradinaj vizituan Bashkësinë Islame të Kosovës

Thaçi dhe Haradinaj vizituan Bashkësinë Islame të Kosovës

​Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e festës së Fitër Bajramit sot vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u pritë nga myftiu Naim Tërnava.

Presidenti Thaçi uroi Bashkësinë Islame dhe të gjithë qytetarët e besimit islam për festën e Fitër Bajramit.

“Ishte një muaj i shenjtë i agjërimit, një muaj i solidaritetit, mirëkuptimit, paqes, i afrimit të njerëzve edhe më tepër. Kemi pasur kënaqësinë që edhe më myftiun dhe të gjithë njerëzit në Kosovë të Bashkësisë Islame, por edhe me besimtarë të tjerë të jemi së bashku në shumë iftar anekënd Kosovës. Kudo shihet një mirëkuptim, solidaritet, dashuri dhe respekt mes njerëzve. Sot jemi këtu që të urojmë Bashkësinë Islame, t’i urojmë gjithë njerëzit për agjërimin e tyre, por mbi të gjitha për ditën e Fitër Bajramit”, tha Thaçi.

Bashkësinë Islame të Kosovës sot e vizitoi edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Me këtë rast Haradinaj ai tha se detyrë e institucioneve është që të mundësojnë lirinë e besimit për të gjithë njerëzit.

“E kam nderin edhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të uroj Myftiun Tërnava me gjithë kolegët e Bashkësisë Islame të Kosovës, të gjithë besimtarët e Kosovës, bashkëkombësit tanë, të gjithë ata që e festojnë sot festën e Bajramit. E vërtetë është se gjatë muajit të Ramazanit kemi pasur rastin me qenë në disa raste bashkë me e përjetua edhe një ndjenjë të një solidariteti dhe respekti të ndërsjellë dhe sot ne jemi të gëzuar të gjithë urimet më të mira për gjithë qytetarët e Kosovës. Detyra e institucioneve tona është po ashtu me e mundësua lirinë e besimit që njerëzit me lirinë e me të drejtën që iu jep Kushtetuta e ligji, me pas të drejtë edhe në besim edhe me e zbatua besimin në bazë të bindjeve të tyre”, tha Haradinaj.

Sot në Kosovë dhe në vendet tjera shënohet Festa e Fitër Bajramit. Një ditë më parë përfundoi muaji i madhëruar i Ramazanit dhe dita e parë e festës së Fitër – Bajramit është sot.

Flash Lajme

Më të lexuarat