Sot kur është shënuar ky përvjetor, drejtues të KFOR-it thanë se ndërhyrja në Kosovë ishte operacioni më i madh i NATO-s në Evropë.

Me rastin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të KFOR-it në Kosovë, komandanti i KFOR-it Lorenzo D'Addario, ka kujtuar Prishtinën e vitit 1999, ku tha se i kujtohet ndjenja e dëshpërimit dhe frikës, por edhe ndjenja se më e keqja kishte mbaruar.


Ai tha se KFOR-i ka ofruar siguruar dhe liri të lëvizjes për të gjithë duke mundësuar krijimin e kushteve për rifillimin e shërbimeve, jetës politike dhe civile. Si rezultat i kësaj, ai tha se Kosova është vend shumë më ndryshe se 20 vjet më parë.


Sipas tij, ky përparim nuk ka ardhur falas, porse gjatë këtyre 20 vjetëve më shumë se 200 ushtarë humbën jetën gjatë shërbimit në KFOR.

D'Addario u shpreh se ka ardhur koha që të gjithe njerëzit në Kosovë të përkushtohen për pajtim të qëndrueshën, sipas tij kjo mund të arrihet nëse i qëndrojmë besnik vizionit, përqendrimit ndaj të ardhmes, për të ecur përpara, të inkurajuar nga zhvillimet pozitive dhe duke iu shmangur kurtheve të retorikës ngulfatëse.

Në anën tjetër, admirali James Foggo, tha se KFOR-i është operacioni më i madh i NATO-s në Evropë. Sipas tij, KFOR-i mbetet në Kosovë si forcë që garanton një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet.

Sipas tij, KFOR-i ndihmon në mbrojtjen e vendeve të shenjta që paraqesin trashëgiminë e përbashkët jo vetëm të Ballkanit, por të botës. Në këtë 20- vjetor ai ka uruar gjeneratën e re të paqes dhe ka lavdëruar përpjekjet e tyre për të ndërtuar të ardhmen më të mirë.

Në ceremoninë për shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë morën pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe përfaqësues të ambasadave të akredituara në vendin tonë.

KFOR-i është operacioni më i madh i NATO-s në Evropë. Ai mbetet në Kosovë sot si forcë që garanton një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet. /KosovaPress/

Loading...


Flash Lajme

Më të lexuarat