Haradinaj takohet me ambasadoren finlandeze dhe holandeze

Haradinaj takohet me ambasadoren finlandeze dhe holandeze

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim ambasadoren finlandeze në Kosovë, Pia Stjernvall dhe ambasadoren e Holandes, Gerrie Willems.

Haradinaj tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e BE-së për heqjen e regjimit të vizave.

Përmes ambasadores, Haradinaj i përcolli zyrtarisht kërkesën kryeministrit finlandez Antti Rinne, që gjatë kryesimit të BE-së të sponsorizojë të drejtën e Kosovës në Këshillin e Ministrave.

“Në takim me ambasadoren finlandeze, Pia Stjernvall, ritheksova se rreshtimi i Finlandës me të drejtën tonë, për t’i dhënë fund izolimit të qytetarëve tanë, i sjellë BE-së një partner serioz si vlerë e shtuar në familjen e madhe evropiane. Përmes ambasadores Stjernvall përcolla zyrtarisht kërkesën për Kryeministrin e Finlandës, Antti Rinne, që gjatë kryesimit të BE-së të sponsorizojë të drejtën e Kosovës në Këshillin e Ministrave, që vendi ynë ta marrë përgjigjen përfundimtare për procesin e liberalizimit të vizave”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”

Ndërsa, gjatë ditës, kryeministri kosovar u takua edhe me ambasadoren e Holandes, Gerrie Willems, me të cilën diskutuan për zhvillimet aktuale politike në vend, me fokus hapjen e dialogut bilateral ndërmjet dy shteteve për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Në vazhdën e takimeve me Ministrat e Brendshëm të shteteve anëtare të BE-së, përmes ambasadores Willems përcolla kërkesën time për takim zyrtar me ministren holandeze, Karin Ollongren”, ka shkruar Haradinaj./21Media

Flash Lajme

Më të lexuarat