Njohësi i çështjeve politike dhe politologu Enver Bytyçi për “Bota sot” deklaroi se prej se Ramush Haradinaj dha dorëheqjen, Kosova ndodhet në një vakuum institucional. Sipas tij, një vend si Kosova me një mijë e një halle e probleme, një situatë si kjo veç çka i shton hallet dhe dramën e saj.

Bytyçi është i mendimit se këtë vonesë nuk e shkaktoi LDK-ja e as Vetëvendosje por, direkt, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

“Këtë vonesë nuk e ka shkaktuar Vetëvendosja dhe LDK si fitues të zgjedhjeve të 6 tetorit. Atë e ka krijuar dhe po e vijon Valdete Daka me porosi dhe sipas intrigave të presidentit Thaçi. Loja politike e Thaçit mbetet rrezik kryesor për vendin. Mungesa e daljes së rezultateve zgjedhore, zvarritja që krijoi qëllimisht Komisioni i Zgjedhjeve, flirtimet e Dakës me Thaçin, janë jo vetëm rrezik për paralizimin e jetës institucionale, por edhe për destabilizimin e vendit. Qëllimi i humbësve të zgjedhjeve të 6 tetorit është të gjejnë një alibi për të mos e mandatuar Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për krijimin e qeverisë. Thaçi e di se një koalicion VV-LDK pamundëson një mandat të dytë presidencial për të. Ai është përkushtuar jo vetëm ta ngadalësojë, por edhe ta manipulojë rezultatin zgjedhor të votimeve të 6 tetorit. Për këtë ai ka marrë garancitë e Dakës dhe ndonjë gjykate”, tha Bytyçi. Ai shtoi ajo që është nevojshme tani, është përgjegjshmëria politike.

“Nëse ndodh kjo, nëse në stilin e Edi Ramës në Shqipëri, ndodh të mos mandatohen për qeverinë VV dhe LDK, atëherë vendi mund të shkojë në anarki, jo vetëm në zgjedhje të parakohshme. Duhet përgjegjshmëri politike, duhet angazhim qytetar, duhet presion ndaj presidentit Thaçi, që procesi të përfundojë sa më shpejt dhe me korrektësi dhe pa manipulime”, tha ai. Sipas tij, Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike kanë detyrë që menjëherë t’i japin fund detyrimit që kanë për mbylljen e procesit të bisedimeve për programin dhe kabinetin qeveritar.(BotaSot)

Flash Lajme

Më të lexuarat