Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit ka filluar të rrjedhë edhe zyrtarisht afati kushtetues për konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës.Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda 30-ditësh nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.Kushtetuta e parasheh që presidenti i Kosovës të thërrasë seancën e parë të Kuvendit, por në rast se ai nuk është në gjendje ta thërrasë këtë seancë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e presidentit.

Florent Spahija, ekspert ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se Kuvendi konsiderohet se është konstituuar vetëm në momentin kur zgjidhet kryetari dhe kryesia e re e Kuvendit.“Afati prej 30 ditëve mund të shfrytëzohet nga presidenti i Republikës që të konstituohet Kuvendi, pra mund të ketë rast që edhe mos ta konstituojë gjatë kësaj periudhe dhe pastaj do të kalojë kjo periudhë kur Kuvendi vetë do të mblidhet. Gjithsesi, presidenti e ka të drejtën dhe lirinë që menjëherë, një ditë pas certifikimit të rezultateve, të thërrasë seancën e Kuvendit dhe ta konstituojë apo ta fillojë procedurën meqë ekziston një procedurë”, thotë Spahija.Pas konstituimit të Kuvendit, shton Spahija pason procedura tjetër, ajo e formimit të Qeverisë së Kosovës.

Për formimin e Qeverisë së Kosovës janë të domosdoshme të paktën 61 vota në Kuvend. Për t’i siguruar votat e nevojshme për qeverinë e re, subjekti fitues i zgjedhjeve, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, përveç Lidhjes Demokratike besohet se mund të llogarisë që koalicionin paszgjedhor./REL

Flash Lajme

Më të lexuarat