Studimi ndërkombëtar i arsimit vlerëson kompetencat e nxënësve në lexim, matematikë dhe shkencë, ku Kosova në fushën e leximit është renditur e katërta nga fundi, në matematikë e pesta nga fundi dhe në shkencë nga fundi.

Sipas rezultateve që maten me indeksin e mesatares së OECD, nxënësit kosovarë kanë arritur 353 pikë në lexim, 366 në matematikë dhe 365 në shkencë. Krahasuar me rezultatet e vitit 2015 vërehet një rritje në lexim dhe matematikë, ndërsa ka rënie në shkencë. Në testin PISA 2015, nxënësit kishin marrë 347 pikë në lexim, 362 në matematikë dhe 378 në shkencë.


Njohës të fushës së arsimit thonë për KosovaPress se rezultatet e tilla kanë qenë të pritshme duke u bazuar në gjendjen në të cilën ndodhet arsimi në vendin tonë.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës Dukagjin Pupovci, thotë se rezultatet kanë qenë të pritshme, pasi sipas tij nuk ka pasur përpjekje cilësore për përmirësim.

Dështimi i Kosovës në testimin ndërkombëtar PISA, Pupovci thotë se mund të quhet dështim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Edhe Rinor Qehaja nga instituti EdGuard thotë për KosovaPress se rezultatet nuk janë befasuese, por sipas tij befasuese është mos reagimi nga akterët kryesorë të politikës.

Për rezultate më të mira në këtë testim, Qehaja thotë se duhet të instalohet një politikë e llogaridhënies dhe e përgjegjësisë. Për të është e pakuptimtë dhe e pa tolerueshme që një dështim si testi PISA të tejkalohet pa kurrfarë ndëshkimi, dhe se sipas tij kjo duhet të ndryshojë.

Rezultatet e testit PISA 2018 i ka komentuar edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se gjendja e arsimit në Kosovë është e vështirë. Ai ka kërkuar kujdes në cilësinë e arsimit, pavarësisht asaj se është bërë përpjekje për të përmirësuar infrastrukturën dhe pagat e mësimdhënësve.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Arsimit Shyqiri Bytyqi, ka thënë sot se ka pritur rezultate më të mira në këtë testim, por që sipas tij rezultatet nuk janë të mira dhe për të kuptuar arsyet e këtyre rezultateve ai tha se duhet kohë për t’i analizuar të gjitha raportet e shkollave dhe të nxënësve.

I pyetur se kush duhet të marrë përgjegjësi për dështimin e serishëm të Kosovës në testin PISA, Bytyqi tha se në kohën kur e ka marrë detyrën i ka pasur vetëm tre muaj kohë para mbajtjes së testit. Ai tha se duhet të shikohet sistemi arsimor dhe të shihet se çka duhet të përmirësohet.

Në testin PISA kanë marrë pjesë 5058 nxënës nga 211 shkolla, ndërsa kujtojmë se edhe në vitin 2015 vendi kishte shënuar rezultate të dobëta në testin PISA.

Programi për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve i njohur si PISA është projekt i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), i cili mbahet çdo tri vite.

PISA u organizua për herë të parë në vitin 2000 ku morën pjesë 43 shtete, ndërsa në vitin 2018 u mbajt cikli i shtatë i këtij testi, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues nga 79 shtete.

PISA nuk analizon vetëm nëse nxënësit kanë mësuar atë që iu është ligjëruar, por gjithashtu vlerëson nëse ata mund të përdorin në mënyrë kreative dhe kritike atë që dinë.

Ky studim mundëson krahasimin ndërkombëtar të vlerësimit të arritjes së nxënësve, vlerëson dijen e lidhur me situata reale, ashtu si përgatitjen edhe aftësitë për pjesëmarrje në shoqëri.

PISA ndihmon qeveritë të krijojnë politika efektive arsimore duke u bazuar në rezultatet e këtij studimi. Nga secili shtet që merr pjesë në PISA përzgjidhet një mostër reprezentative e nxënësve 15-vjeçarë që t'i nënshtrohen testit, andaj konsiderohet se rezultatet reflektojnë gjendjen reale të sistemit të arsimit dhe mundësojnë krahasimin në mes të shteteve. /M.Duraku/

Loading...


2002-2019

Flash Lajme

Më të lexuarat