Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur sërish marrëveshje për koalicion qeverisës.

Lideri i LVV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, u takuan të martën në praninë e përfaqësuesve të vendeve të Quint-it dhe përfaqësueses së BE-së në Kosovë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha pas takimit se për një marrëveshje ndërmjet partisë që ai drejton dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, nevojitet përafrim i dyanshëm. Siç ka thënë ai, LDK-ja ka qenë këmbëngulëse në propozimin e saj të datë 8 janar, që të marrë postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

“Ne jemi afruar, por në anën tjetër ka insistim vetëm në ofertën e 8 janarit, në stilin ‘merre ose lëre’. Me qasjen ‘merre ose lëre’ nuk mund të arrijmë marrëveshje. Unë përpjekjet nuk do t’i ndali në shndërrimin e ndryshimit politik të 6 tetorit (v.j. data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare) në ndryshim institucional në Republikën e Kosovës”, tha Kurti.

“Populli e ka thënë fjalën e vet. Interesimi dhe gatishmëria ime kurrë nuk ka qenë më e madhe për marrëveshje… por, nuk mund të ketë marrëveshje me përafrim të njëanshëm”, tha Kurti.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas takimit deklaroi që partia e tij është e bindur që propozimin që ia ka ofruar Lëvizjes Vetëvendosje për ndarjen e barabartë të pushtetit i kontribuon marrëveshjes për bashkëqeverisje.

“U shprehëm se mbesim të hapur në qoftë se Lëvizja Vetëvendosje, si parti e parë i pranon kushtet tona për bashkëqeverisje, ne në çdo moment jemi të gatshëm që të lidhim marrëveshjen për qeverisje dhe konsiderojmë se do të jetë një marrëveshje që i kontribuon vendit, i kontribuon luftës kundër krimit dhe korrupsionit, i kontribuon zhvillimit ekonomik dhe jep përgjigje në besimin qytetar, të cilin ne e kemi marrë”, ka thënë Mustafa.

Në takimin e Kurtit dhe Mustafës, morën pjesë shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, ambasadori i Gjermanisë, Christian Held, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, si dhe përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës dhe të ambasadës së Italisë në Prishtinë. Ata nuk u deklaruan për media.

Në këtë takim, sipas përfaqësuesve të LVV-së dhe LDK-së, ambasadorët e Quint-it u informuan rreth rrjedhës së negociatave për krijimin e koalicionit qeverisës.

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, pas takimit, tha se marrëveshja nuk është arritur për shkak të insistimit të LDK-së për postin e kryetarit të kuvendit.

“Do të doja të thosha që marrëveshja është finalizuar, por nuk mund ta them një gjë të tillë, për faktin se siç e dini, LDK-ja po insiston në propozimin e saj të datës 8 janar. Nuk ka marrëveshje pikërisht për shkak të insistimit të LDK-së për kthim para datës 26 dhjetor (v.j. dita kur u konstitua Kuvendi i Kosovës)”, tha Haxhiu, duke shtuar se dy partitë kanë edhe një javë kohë për të arritur marrëveshje.

Haxhiu riktheksoi se për Lëvizjen Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, vazhdon të mbetet partnerja e vetme për të formuar koalicionin e ardhshëm qeverisës.

Lidhja Demokratike e Kosovës po e sheh dorëheqjen e kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca si zgjidhje për nyjën e krijuar rreth marrëveshjes për koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas LDK-së, dorëheqja e Konjufcës do t’u hapte mundësi partive në negociata, Vetëvendosjes dhe LDK-së, që të ndajnë në mënyrë të barabartë pushtetin, ngase kjo pozitë do t’i bartej nën udhëheqje LDK-së, kurse pozita e kryeministrit Vetëvendosjes.

LDK-ja pretendon që pozitën e kryetarit të kuvendit ta mbajë deri në ditën kur kuvendi ta zgjedhë presidentin e ri të Kosovës, diku në pjesën e parë të vitit 2021. Duke kërkuar që Vetëvendosje me marrëveshjen për koalicionin qeverisës ta mbështesë kandidatin e LDK-së për president, kjo e fundit më pastaj do t’ia kthente postin e kryetarit të kuvendit Vetëvendosjes, kurse do të ruante për vete postin e presidentit të shtetit.

Ndërkaq sa u përket ministrive, Vetëvendosje dhe LDK kanë një marrëveshje që ato të ndahen pesë me pesë, si dhe dy ministri për pakicat./REL

Flash Lajme

Më të lexuarat