Konferenca e Donatorëve në Bruksel për rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit shkatërrimtar të vitit të shkuar (26 nëntor) ka kaluar çdo pritshmëri. Në total janë mbledhur plot 1.15 miliardë euro që do t’i vijnë në ndihmë shqipërisë.

Një shumë prej 1.15 miliard euro në formë financimesh direkte, investimesh për ndërtime banesash apo rikonstruksione të infrastrukturës, granteve, huave apo mbështetjes për programe zhvillimi u grumbullua sot në mbrëmje në përfundim të Konferencës ndërkombëtare të donatorëve, e zhvilluar në Bruksel për të ndihmuar Shqipërinë për të përballuar pasojat e tërmetit që goditi vendin më 26 nëntor të vitit të shkuar. Shuma e grumbulluar shkon përtej dëmeve të përllogaritura në 1.08 miliard euro. Për Komisionerin e Zgjerimit Oliver Varhelyi, i cili drejtoi sesionin ku secili vend pjesmarrës në konferencë ofroi kontributin e tij “ky është një mesazh mjaft i fortë për popullin shqiptar për të ditur se sa shumë e kemi për zemër”, tha Harvelyi.

Kryeministri Edi Rama, në reagimin e parë menjëherë pas publikimit të shifrës tha se “kjo është përtej imagjinatës më të shfrenuar”. Konferenca e donatorëve e organizuar nga komisioni europian, nisi pasdite me një paraqitje të situatës. Në hapje të saj, kryeministri Edi Rama, nisi ndërhyrjen e tj duke shqiptuar në disa gjuhë të huaja fjalët “Faleminderit” dhe “Të lutem”, të cilat më pas do t’i përdorte disa herë në gjuhën shqipe. Ai theksoi se ndjehej “thellësisht i prekur” nga prania e një numri të madh vendesh dhe institucionesh ndërkombëtare. Kryeministri shqiptar falenderoi Bashkimin Europian për ndihmën e menjëhershme që ofroi në orët pas tërmetit e po ashtu dhe shumë vende të tjera: “Nuk ka kufi për mirënjohjen që ndjej. Vetëm fakti që jeni këtu me mbush zemrën dhe është emocionuese për mua dhe të gjithë shqiptarët”. Sipas raporti të vlerësimit të dëmeve, përveç 51 viktimave dhe 900 të plagosurve, tërmeti i nëntorit “zhvendosi nga banesat e dëmtuara rreth 17 mijë njerëz. Në total prej kësaj katastrofe natyrore u prekën 202 291 persona në 11 njësi të qeverisjes vendore”. MBi 62 mijë janë ndërtesa e dëmtuara. Raporti i vlerësimit arriti në përfundimin se “për të përballuar efektet e dëmit dhe të ardhurave të humbura si rezultat i tërmetit, do të duheshin gati 1.08 miliardë Euro në të gjithë sektorët për rimëkëmbje. Sektorët që reflektojnë nevojat më të mëdha janë strehimi, që përfaqëson pothuajse 76 për qind të të gjitha nevojave, pasuar nga arsimi dhe infrastruktura”. Vetëm për të përballuar dëmet e krijuara për strehim përllogaritet se do të duhen afro 696 milion euro. I gjithë dëmi është i barabartë me 6.4 për qind të Prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë.

“Për ne është një shumë e madhe. Nuk mund ta përballojmë këtë të vetëm. Na mungojnë paratë e më shumë se kaq, nuk kemi dhe aq shumë kohë. Ndaj jam këtu me një thirrje dhe një kërkesë të dretpërdejtë. Ju lutem na ndihmoni me grante dhe hua të përballueshme për të cilat kemi nevojë për të ndërtuar shtëpitë, komunitetet dhe besimin e shkatërruar. Ju lutemi përgjigjuni vuajtjes sonë me bujarinë që duhet. Ne do të bëjmë gjithë çka mundemi, e madje edhe më shumë. Ju lutemi, ju të bëni vetëm aq sa mundeni. Të na ndihmoni! Ju lutem!”, u shpreh kryeministri Rama. Edhe presidentja e Komisionit europian Ursula Von Der Leyen, tha se “është e qartë se Shqipëria e vetme nuk e përballon dot këtë barrë. Sot I premtojmë popullit shqiptar se do jemi aty për një kohë të gjatë dhe solidariteti ynë do të vijojë të jetë po aq i fortë sa ishte në orët e para pas tërmetit”. Ajo deklaroi me tej se “sot jemi në anën e Shqipërisë në një moment nevoje. Shqipëria do të ngrihet nga hiri i tërmetit, si një vend më i fortë e më i sigurt në zemër të familjes sonë europiane”. Vetëm Komisioni europian, sipas asaj që deklaroi zonja Von Der Leyen do të angazhojë i vetëm ​”100 mln euro nga buxheti i Bashkimit europian, përtej 15 milion eurove të njoftuara në Dhjetor, dhe nuk përfshin kontributin e shteteve tona anëtare”. Në total, kontributi i Komisionit dhe vendeve anëtare shkon në afro 400 milion euro, bëri të ditur në përfundim të Konferencës, presidentja e Komisionit europian e cila u shfaq së bashku me kryeministrin shqiptar. Ky i fundit përsëriti se “është nga ato momente që dikush beson e mendon se diçka magjike ka ndodhur”./TCH

Flash Lajme

Më të lexuarat