Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk e di nëse do të mbahet takimi i paraparë për 28 shtator me Serbinë në Bruksel.

Në një konferencë për media të enjten, Hoti ka thënë se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është temë e mbyllur.

“Asociacioni nuk do të diskutohet sepse është temë e mbyllur. Nuk e di a do të mbahet takimi në Bruksel, do ta shohim ditëve të ardhshme. Por ne jemi që ta çojmë përpara dialogun”, ka thënë ai.

Hoti ka thënë se kompromisi më i madh që ka bërë Kosova është që ka pranuar të futet në dialog për paqe me Serbinë.

“Kosova i ka kryer kompromiset e saja”, ka thënë ai.

Ndërkaq, para se Hoti të dilte në këtë konferencë, Bashkimi Evropian në një përgjigje për KOHËN ka thënë se së shpejti do të njoftojë për datat e takimeve të radhës Kosovë – Serbi, pas shfaqjes së pengesave për zhvillimin e takimit të ardhshëm.

Flash Lajme

Më të lexuarat