Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kritikoi bashkësinë ndërkombëtare për presionin që po i bëhet Prishtinës zyrtare për ta hequr taksën ndaj prodhimeve të Serbisë në mënyrë që t’i hapet rruga dialogut me Kosovën.

Haradiaj thotë, se nuk i pranon kushtet e Serbisë. Kryeministri kosovar tregoi se edhe dy këshilltarët e kancelarës gjermane, Angela Merkel, që vizituan Kosovën dhe Beogradin, i kërkuan atij që ta heqë taksën ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës, në mënyrë që t’i hapet rruga dialogut.

“Pozicioni i Berlinit është i qartë, dialogu është i rëndësishëm dhe ai duhet të vazhdojë, taksa është pengesë, hiqeni taksën”, tregoi kryeministri Ramush Haradinaj qëndrimin që kishin dy këshilltarët kryesorë të Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, Jan Hecker dhe Matthias Lüttenberg.

Kushti i Serbisë për vazhdimin e dialogut me Kosovën është që qeveria e Kosovës ta heqë taksën. Këtë po e kërkon edhe bashkësia ndërkombëtare, së fundi edhe SHBA-ja përmes nënsekretarit amerikan për ҁështje politike, David Hale dhe Gjermania përmes dy këshilltarëve kryesorë të Merkelit, Jan Hecker dhe Matthias Lüttenberg, të cilët vizituan Kosovën dhe Beogradin.

Kjo situatë e ka nervozuar kryeministrin kosovar Ramush Haradinaj, i cili tha se Serbia po nxjerr kushte që mos të hyjë në dialog me Kosovën. Pra, Kosova sipas tij nuk po e bllokon dialogun, por Serbia, ndërsa, bashkësia ndërkombëtare nuk mund të bëjë presion te Serbia, por i bën presion viktimës (Kosovës).

Flash Lajme

Më të lexuarat