Ish-ministri gjerman, Christian Schwarz-Schilling, në një bisedë telefonike në emisionin “Analizë dite” me gazetaren Evliana Berani në RTK 3 ka analizuar zhvillimet e ngjeshura politike dhe mesazhet që dolën nga takimet e shumta në Samitin e Berlinit.

Profesori gjerman, dikur këshilltar i kancelarit Helmut Kohl, deklaroi se pret që idetë për korrigjim te kufijve në Ballkan në baza etnike të zhduken, ndërsa kërkon unitet më të madh brenda Bashkimit Evropian për të mbështetur dhe lehtësuar procesin e dialogu Prishtinë-Beograd.

Christian Schwarz-Schilling kërkon nga Serbia që të njohë pavarësinë e Kosovës, pasi në të kundërtën nuk do të mund të ketë stabilitet në Ballkan.

Ish-ministri gjerman e quan fatkeqësi mos liberalizimin e vizave për Kosovën, duke thënë se kjo po mbahet peng si mjet për t’i bërë presion politikës. Ai komenton edhe mos njohjen e Kosovës të 5 vendeve anëtare të BE-së dhe pengesat që mund të bëjnë ato në rrugëtimin e anëtarësimit të vendit tonë në union.

Intervista e plotë Christian Schwarz-Schilling:

RTK: Cilët janë pritjet pas takimit në Berlin lidhur me regjionin e Ballkanit dhe marrëdhëniet Kosovë Serbi?

Christian Schwarz-Schilling: Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë zhvilluar për një kohë, tani jemi në një fazë të re ku nuk ka të bëjë vetëm çështja e suksesit apo pakënaqësisë. Në këtë moment pika kryesore është që të mos bëhen vendime të gabuara siç është diskutimi për shkëmbimin e territoreve në linja etnike dhe ky proces i këtillë do të duhej të largohej sot pas takimit në Berlin. Një tjetër pikë është që të kemi një unitet më të madh brenda BE-së dhe komisionet e BE-së duhet të presim mbështetje më të fuqishme për të lehtësuar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me rezultate konstruktive dhe një nga gabimet ishte që dy vende janë filluar në shkallë të barabartë. Serbët kishin një përparësi të rëndësishme në këtë, një avancim më konstruktiv mund të arrihet vetëm nëse dy palët konsiderohen të barabarta.

RTK: Bashkimi Evropian, siç e dini, ka premtuar hapjen e dyerve për vendet e Ballkanit Perëndimor që nga Samiti i Selanikut, por të gjitha vendet janë larg për t’u bërë anëtar të BE-së. A ka një neglizhencë nga ane BE-së apo jo në lidhje me këtë?

Christian Schwarz-Schilling: Natyrisht që ka neglizhencë nga ane Bashkimit Evropian, shikojeni dialogun e pabarabartë mes Kosovës e Serbisë. Komisioni i BE-së ka qenë tepër pasiv në orvatjet e tyre për të siguruar mbështetjen.

RTK: Si e lexoni ju situatën me pesë vendet që nuk e njohin Kosovën, a është një “fyt i ngushtë” serioz për të ardhmen e Kosovës në BE?

Christian Schwarz-Schilling: Kjo është e vërtetë. Kjo është negative. Por nëse shohim anën pozitive, 23 anëtarët e BE-së e kanë njohur Kosovën si shtet, vetëm 5 kanë votuar kundër. Është një skandal që këto vende bëjnë këtë për shkak të problemeve të tyre të brendshme politike dhe është dashur që të ndjekin pranimin dhe njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe një tjetër konkluzion që shohim nga kjo është se vota shumicës së vendeve anëtare po injorohet dhe është një gabim shumë i madh i ndërtimi t të vet Bashkimit Evropian, kjo nuk do të duhej të ishte parim i punëve të jashtme të BE-së, kjo sjellje duhet të kritikohet, po ashtu edhe më shumë pozita e Serbisë sepse Serbia në moment kur e njohin Kosovën do të mund të zgjidhin tensionet në shtetet ballkanike dhe në shtetet anëtare të BE-së menjëherë, me një lëvizje.

RTK: Qytetarët e Kosovës gati një e treta e tyre jeton dhe punon në vendet e ndryshme të BE-së dhe nuk mund të lëvizin lirshëm lidhur me vendimin e BE-së për liberalizimin e vizave, siç e dini edhe Gjermania ka kundërshtuar liberalizimin e vizave, a mundeni të na jepni një koment për këtë çështje.

Christian Schwarz-Schilling: Është një fatkeqësi që Bashkimi Evropian dhe Gjermania nuk e kanë bërë hapin e liberalizimit të vizave dhe nuk ka të bëjë asgjë me të drejtën ndërkombëtare, pasi liria e lëvizjes për qytetarët e Kosovës është marrë peng si një mjet për presion politik.

RTK: A mund të kemi stabilitet në Ballkan nëse Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur?

Christian Schwarz-Schilling: Jo nuk mund të ketë stabilitet. Serbia këtu mban një përgjegjësi të madhe.

RTK: Në analizat tuaja të publikuara para disa ditësh në media ndërkombëtare, ju keni kundërshtuar shkëmbimin e territoreve në linja etnike. A mund të garantojë dikush se një gjë e tillë nuk do të ndodhë në Ballkanin Perëndimor?

Christian Schwarz-Schilling: Parimet e bashkësisë ndërkombëtare në veçanti të Bashkimit Evropian janë një garanci për refuzimin e rikorrigjimit të kufijve në bazë të linjave etnike që mund ta vëreni edhe në marrëveshjen e Dejtonit, nëse SHBA-të dhe i gjithë BE kanë kuptuar se kjo do të bënte më shumë dëm dhe do të krijonte zhvillime të rrezikshme në të ardhmen për momentin është e arsyeshme dhe janë vlera fundamentale të shoqërisë sonë në Evropë dhe SHBA që të shmangemi nga zhvillime të këtilla.

RTK: A keni parë çfarëdo lloj divergjencash ndërmjet shteteve anëtare të BE-së dhe lojtarëve kyç të bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës e Serbisë?

Christian Schwarz-Schilling: Në politikë gjithnjë kemi interesa të veçanta, por Evropa dhe OKB duhet të sigurojnë që të drejtat e njeriut dhe e drejta ndërkombëtare të mos shkelen.

RTK: Çfarë mendoni cili është roli i Gjermanisë, Francës, SHBA-ve dhe BE-së në procesin e zgjidhjes përfundimtare për Ballkanin Perëndimor?

Christian Schwarz-Schilling: Mendoj se duket sot nga të gjitha palët se mbizotëron një lloj të menduari të arsyeshëm.

RTK: Pra jeni optimistë apo jo?

Christian Schwarz-Schilling: Po.

RTK: Kur është fjala për integrimin e shteteve të Ballkanit në BE në analizat e juaja kishit theksuar se BE duhet të shohë regjionin si tërësi e jo si të copëtuar. A mund ta elaboroni se çfarë keni dashur të thoni me këtë?

Christian Schwarz-Schilling: Sundimi i ligjit dhe ndarja e pushteteve, pavarësia e gjyqësorit, fuqia e pavarur e legjislativit, parlamentit, pastaj ekzekutivit dhe gjyqësorit janë e drejtë themelore e secilit shtet. Ky është një zhvillim shumë, shumë i gjatë i historisë evropiane që lidhet çdoherë e më shumë dhe neglizhenca e këtyre gjërave sjell deri të situatat e tmerrshme që kishim në shekullin 19 kur kishim të gjitha ato luftëra brenda Evropës, SHBA dhe e njëjta po ndodh në Ballkan. Ne duhet të bëjmë me një qëllim real që të kemi një të ardhme më të mirë se shekullin e kaluar. Por duhet ë punojmë të gjithë bashkë për ta rritur këtë. Mendoj që vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore kemi luftuar shumë dhe tash mendoj se nuk duhet të humbim trimërinë dhe vullnetin për të arritur këtë qëllim.

RTK: A ka mundësi për të integruar vendet e ballkanike në BE njëkohësisht siç ka ndodhur në vitin 2004 siç ka ndodhur me dhjetë shtete e Evropës Qendrore.

Christian Schwarz-Schilling: Jo, kriteret janë të barabarta për të gjithë anëtarësimin në BE por do të shikohet veç e veç secili shtet. Hapat e anëtarësimit mund të zhvillohen në mënyrë të ndërsjellë, varet nga shtetet anëtare të BE dhe shtete respektive të vendosin të mos pranohen. Por, duhet të kemi një synim të përbashkët dhe të qartë.

RTK: Kush do të duhej të bënte çka për t përshpejtuar procesin e anëtarësimit të shteteve ballkanike në BE?

Christian Schwarz-Schilling: Të gjithë ne e dimë që është një rrugëtim i gjatë, por mendoj se hap pas hapi edhe vet populli do të ndjejë dhe do të shohë se po bëhet më mirë e më mirë, mundi i dy palëve që i bie edhe të shteteve të Ballkanit perëndimor në mënyrë të përbashkët duhet të përshpejtojnë procesin. Duhet të jetë një orvatje e përbashkët e shteteve të ish- Jugosllavisë dhe duhet që të gjitha ata që kanë luftuar ndërmjet vete duhet të pranojnë juridiksionin e Hagës dhe është një parakusht që do të përshpejtonte procesin. Të mësojmë historinë është në fillim dhe ky mësim do të studiojë të vërtetën dhe jo gënjeshtrat të cilat ende vërehen në skenën e shteteve të Ballkanit edhe në ditët e sotme. Për momentin është një rrugë e gjatë dhe do të nevojitet përafërsisht një gjeneratë e tërë për të sqaruar kokat, shpirtin që me të vërtetë të vijnë të drejtat e njeriut të vijnë te strukturat demokratike dhe pavarësia e parlamentit, qeverisë dhe pastaj mund të kemi edhe themelin e të qenit vlerë e secilit shtet brenda secilit shtet.

RTK: Para se të përfundojmë intervistën do të doja t’ju pyesja, nëse mund të përmblidhni mesazhet kryesore që kanë dalë gjatë takimit të sotëm ndërmjet liderëve të Ballkanit perëndimor dhe kancelarë gjermane Merkel dhe presidentit francez Macron.

Christian Schwarz-Schilling: Ishte një takim shumë i rëndësishëm. Nuk jemi ulur në konferencë për të formuluar konkluzione, por gjëra të reja historike që krijohen nga vendet më të rëndësishme të BE-së. Franca e Gjermania janë ulur bashkë dhe kanë ftuar Ballkanin Perëndimor për të analizuar qëllimin e njëjtë në histori edhe për të ardhmen dhe të tashmen., Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në këtë mënyrë dhe ky është fillimi i procesit dhe përfundimi do të jetë anëtarësimi i barabartë i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor sepse dy shtete të mëdha kanë të njëjtin qëllim.

Flash Lajme

Më të lexuarat

  • Week

  • Month

  • All