Këshilla nga  Prof. Ermira Vasili

-Prof. Vasili, cilat janë problemet e lëkurës në stinën e verës dhe efektet negative të rrezatimit diellor në lëkurë?

– Rrezatimi diellor ka shumë efekte pozitive në shëndetin e njeriut, nëse kemi njohuri të mjaftueshme për të  shfrytëzuar këto përfitime.

Gjatë qëndrimit në diell njerëzit ndjehen më mirë për shkak të rritjes së serotoninës që përmirëson humorin dhe ul stresin. Ekspozimi në dritën e diellit përmirëson gjumin nëpërmjet melatoninës që prodhohet në tru. Vitamina D është një vitaminë që ndihmon në ruajtjen e kockave në gjendje të shëndetshme. Një mënyrë për të sintetizuar këtë vitaminë është ekspozimi në diell. Për të përfituar këtë, nuk është e nevojshme qëndrimi i gjatë në diell. Rekomandohet vetëm 15 minuta ekspozim në diell, për të marrë Vitaminën D, që ju nevojitet. Disa nga problematikat e lëkurës në stinën e verës: Lëkura e thatë dhe e irrituar – Meqënëse ajri është i nxehtë dhe i lagësht në stinën e verës, lëkura mund të thahet dhe irritohet. Shkaqet kryesore për këtë gjendje janë qëndrimi i gjatë në diell, në pishinë apo në ajër të kondicionuar. Në këto raste rekomandohet:

– Larje e trupit me ujë të freskët menjëherë kur dilni nga pishina apo deti.

– Përdorimi i dushit me ujë të ngrohtë dhe evitimi i ujit të nxehtë.

– Aplikimi i kremit mbrojtës gjysëm ore përpara se të dilni në diell me spektër mbrojtës  SPF 30+ dhe rezistent ndaj ujit.

– Në rastet e tharjes dhe irritimit të lëkurës pastruesit e trupit apo fytyrës, duhet të jenë të butë dhe të përdoren kremëra hidratues pas dushit.

Folliculitis (infeksione bakteriale) – Shpesh herë gjatë stinës së verës për shkak të djersitjes së tepërt dhe yndyrës së shtuar mund të infektohet rrënja e qimes e cila në gjuhën mjekësore quhet folikulitis. Rrënja e qimes së infektuar duket si një puçër me ngjyrë të verdhë, e skuqur përreth që dhemb gjatë prekjes. Për të evituar folikulitet rekomandohet:

Frekuentimi me kujdes i pishinave. Përdorimi i veshjeve të lehta për të shmangur djersitjen. Pëdorimi i dezinfektantit, si Betadina, në zonën e folikulitit. Infeksionet Mykotike sipërfaqësore të lëkurës – Këto janë infeksione të shkaktuara nga disa lloj mykrash që quhet Dermatofite. Prekin flokët, lëkurën, thonjtë. Dermatofitozat mund të përhapen nga njeriu, kafsha dhe toka. Gjatë stinës së verës infeksioni mykotik më i shprehur është infeksioni i këmbëve ose siç quhet ndryshe “këmba e Atletit”. Faktor favorizues janë djersitja, frekuentimi i pishinave dhe plazheve. Shfaqet me të krojtur midis gishtave, rrjepje të lëkurës dhe plasaritje. Mjekimi më i mirë në format e lehta është përdorimi i kremrave me veti antimykotike. Infeksionet mykotike mund të mbivendosen edhe me infeksione bakteriale, dhe gjendja mund të përkeqësohet. Në rast se keni simptoma të tilla duhet ti drejtoheni mjekut specialist, Dermatologut. Përkeqësimi i Akne Vulgaris. Nëse keni tendencë për akne, djersitja e tepërt që ndodh gjatë temperaturës së lartë së bashku me bakteriet dhe yndyrën shkakton mbylljen e poreve të lëkurës dhe përkeqësim të akneve. Dermatologët rekomandojnë:

– Pastrimin e djersës dhe yndyrës me sapun xhel të përshtatshëm për lëkurën tuaj.

– Përdorimin e produkteve jo komedogjene për  fytyrën, qafën dhe kraharorin, ose përdorimi i kremrave pa përmbajtje vajore.

– Kremi kundër diellit duhet të jetë për lëkurë me akne ose për lëkurë të yndyrshme.

– Nëse gjendja përkeqësohet duhet të drejtoheni te mjeku juaj dermatolog për një mjekim më të specializuar.

Melasma – Gjatë ekspozimit në diell në lëkurën e fytyrës mund të shfaqen njolla kafe, të cilat do t’iu shqetësojnë nga ana estetike. Nëse keni prirje për të shfaqur të tilla njolla rekomandohet përdorimi gjysëm ore para ekspozimit në diell, i kremit mbrojtës me SPF 50.

Djegiet nga dielli – Djegiet nga dielli njihen gjerësisht si një nga efektet negative më të zakonshme të qëndrimit të gjatë në diell. Simptomat e përgjithshme të djegies nga dielli përfshijnë: Skuqje, dhimbje / ndjeshmëri lëkure, enjtje deri në krijimin e flluskave. Parandalimi është masa mbrojtëse më e mirë. Për këtë arsye duhet të evitohen qëndrimet e gjata në diell sidomos në orët 11:00 – 16:00. Përpara ekspozimit duhet të përdoret kremi mbrojtës me SPF 30 sipas lëkurës suaj gjysëm ore para ekspozimit. Efekti mbrojtës i kremit zgjat 2 orë.

Kanceri i lëkurës –Një nga shkaqet e rëndësishme të shfaqjes së kancerit të lëkurës është ekspozimi për një kohë të gjatë në diell. Ekspozimi ndër vite ndaj rrezatimit diellor, mund të shkaktojë tre lloje të zakonshme të kancerit të lëkurës: karcinoma e qelizave bazale, (bazilioma), karcinoma e qelizave skuamoze dhe melanoma malinje.

Karcinoma e qelizave bazale (BCC) – Ky lloj i kancerit të lëkurës ndodh pothuajse gjithmonë në lëkurën e dëmtuar nga dielli, pra në zonat e ekspozuara. Ajo paraqitet si një njollë  rozë e cila mund të dëmtohet lehtë duke formuar një ulçer që hërë pas here, zë një kore. Edhe pse BCC nuk përhapet (nuk metastazon), me kalimin e kohës bëhet më i madh dhe më i thellë, dhe mund përkeqësohet nëse injorohet.

Karcinoma e qelizave skuamoze(SCC) – Ky lloj kanceri shkaktohet gjithashtu nga ekspozimi në diell, por mund të zhvillohet edhe në cikatricet e djegjeve ose nga ulçerat kronike të lëkurës. Në një numër të vogël të rasteve SCC, mund të përhapet në limfonodula apo organe të tjera. Në këto raste duhet të drejtoheni te mjeku dermatolog i cili do të përcaktojë alternativën e mjekimit.

Melanoma malinje – Melanoma është kanceri më malinj i lëkurës. Rastet po rriten çdo vit, veçanërisht në moshat e reja midis 18 dhe 29 vjeç, për shkak të shkallës së lartë të përdorimit të llambave artificiale për nxirje. Melanoma është shumë e rrezikshme dhe mund të ndodhë në çdo vend ku ka qeliza prodhuese të pigmentit. Shkaqet e malanomës janë të shumta por ekspozimi i diellit rrit rrezikun. Diagnostikimi në stadet e hershme realizohet nga kontrollet periodike të lëkurës. Këto masa do të ulin ndjeshëm mortalitetin  dhe shfaqjen e melanomës në stadet e vonshme. Edhe pse ka shumë hulumtime në trajtimin e melanomës, trajtimi më i mirë është heqja e tumorit dhe çdo nyje limfatike me ndërhyrje kirurgjikale, para se të përhapet.

Plakja e lëkurës – Rrezatimi diellor është një shkak domethënës në plakjen e lëkurës. Drita UV dëmton kolagjenin dhe indin elastik në lëkurë, kështu lëkura bëhet më e brishtë dhe me rrudha.

Rekomandime – Shumë nga dëmtimet në lëkurën tonë të shkaktuara nga ekspozimi i diellit mund të parandalohen. Duhet te evitohet ekspozimi në diell gjatë orëve 11:00 – 16:00. Kremi  i diellit duhet të aplikohet gjysëm ore para se të dilni në diell dhe duhet të ri-aplikohet  pas dy orësh ekspozimi në diell, pas notit ose djersitjes së rëndë. Ju gjithashtu mund të mbroheni me syze dielli me filtër  UV, përdorimi i veshjeve me mëngë të gjata, të mbani kapele ose të përdorni çadër.

Cilat janë reaksionet e lëkurës dhe si mund ti evitojmë?

Heat rash. (Skuqja nga nxehtësia) – Kjo shkaktohet gjatë stinës së verës nga bllokimi i kanaleve të djersës. Meqënëse djersa nuk del dot në lëkurë formohet një skuqje, puçra të vogla që shoqërohet me të kruajtura. Vendet më të prekura të lëkurës janë plikat. Dermatologët rekomandojnë evitimin sa të jetë e mundur e djersitjes së tepërt dhe përdorimin e pudrave.

Nuk rekomandohen përdorimi i vajrave apo kremrave.

Sëimmer’s itch. E kruajtura e notit – E njohur gjithashtu si dermatiti cercarial, është më e zakonshme në liqenet dhe pellgje me ujë të ëmbël, por ndonjëherë ndodh edhe në ujë me kripë. Kruarja e notit, është një skuqje e zakonshme, e shkaktuar nga një reaksion alergjik ndaj parazitëve që bien në kontakt me lëkurën gjatë notit. Në përgjithësi kruajtja e notit kalon vetë, por mjeku mund t’iu ndihmojë me medikamente për të qetësuar të kruajturën dhe skuqjen.

Reaksionet Alergjike ndaj diellit.(fotodermatosis) – Në përgjithësi alergjitë nga dielli ndodhin kur keni një ndjeshmëri ndaj diellit (shkaqe gjentike) ose kur merni medikamente të veçanta si ketoprofen dhe antibiotikë si: tetracycline, doxycycline, minocycline.

Lëkura skuqet dhe formohen të ngritura që shoqërohen me të kruajtura. Për të parandaluar këtë reaksion këshillohet: Evitimi i ekspozimit në diell në rast se ju nevojitet të merrni medikamentet e mësiperme. Përdorimi i kremit mbrojtës me  SPF 30, rezistent ndaj ujit, dhe qëndrimi në hije.

Si duhet të mbrohemi nëse kemi lëkurë të ndjeshme në këtë periudhë dhe çfarë këshillash mund t’iu jepni qytetarëve sipas grup- moshave, për të evituar problematikat e lëkurës gjatë stinës së verës?

Në përgjithësi lëkurat më të ndjeshme që pësojnë problematika gjatë periudhës së verës dhe rrezatimit diellor janë lëkurat  Fototipi I dhe II. Pra personat me  lëkurë  të bardhë, sy bojëqielli, flokë bjond apo gështenjë të hapet, lëkura që kanë vështirësi nxirjen dhe skuqen më lehtë. Këta persona duhet të jenë të  kujdesshëm kur ekspozohen në diell. Në rast të personave me alergji nga dielli apo reaksione të ndryshme që shfaqen në lëkurë është e këshillueshme të marrin kontakt me dermatologun më të afërt, për  një mjekim të specializuar. Unë do të theksoja që mbrojtja e fëmijëve nga eksopzimi në diell është shumë i rëndësishëm. Akademia Amerikane e pediatrisë  jep disa rekomandime:  Duhet të evitohet  ekspozimi direkt në diell i fëmijëve nën 6 muajsh. Nëse ekspozimi në diell është i paevitueshëm, përdor krem mbrojtës duke lexuar në fillim informacionin para perdorimit. Mbrojtja më e mirë janë veshjet, syzet dhe kapelet. Përdorni krem mbrojtës gjysëm ore përpara se fëmija të ekspozohet në diell dhe ripërsëriteni çdo 2 orë. Sipas Akademisë Amerikane të pediatrisë duhet të shmanget kremi mbrojtës ndaj diellit në formën e spray te fëmijët për shkak të  rreziqeve që paraqesin.

Sa ndikon përdorimi i alkoolit etilik dhe dezifektantëve në lëkurë, në këtë stinë me temperatura të larta, veçanërisht te personat që vuajnë nga sëmundjet e lëkurës? Si duhet të mbrohen nga infeksioni SARS – COV 2?

Distancimi social dhe larja e duhur e duarve është një nga mënyrat më të mira, deri tani, për të parandaluar përhapjen e viruseve, si koronavirusi i ri (COVID-19). Por kur keni një sëmundje të lëkurës, si ekzemë (dermatit atopik ose ekzemë dyshidrotike), larja e shpeshtë e duarve mund të shkaktojë tharje, plasaritje, kruajtje, dhimbje dhe ndoshta infeksion të lëkurës.

Pra, si mund të mbrojnë lëkurën personat me ekzemë, ndërsa mbrohen nga koronavirusi?

Sipas eksperiencës sime por edhe të dermatologëve në mbarë botën, larja e duarve është në përgjithësi më e mirë, se dezifektimi me dezifektantë, nëse pas çdo larje aplikojmë krem zbutës. Aplikimi i kremit zbutës pas çdo larje, ul ndjeshëm rrezikun e tharjes së duarve. Personat me problem të egzemës së duarve, pas larjes, duhet t’i thajnë me kujdes duart, pa i fërkuar dhe pa traumatizuar lëkurën. Pas kësaj duhet të aplikojnë një sasi të mjaftueshme kremi zbutës, te llojit Vaselinë, në të gjithë sipërfaqen e duarve. Ruajtja e integritetit të lëkurës është shumë e rëndësishme për higjenën e duarve dhe mbrojtjen nga infeksionet e ndryshme. Nëse prishet integriteti i lëkurës dhe egzema acarohet, duhet të përdorni pomadë ose kremëra me bazë kortizoni, për një kohë të shkurtër.


Flash Lajme

Më të lexuarat