Një studim i kombinuar mes Torinos e Nju Jorkut përbën një hap të madh përpara në trajtimin e disa lloje kancerësh të konsideruara vdekjeprurëse.

Një ekip ndërkombëtar, i udhëhequr nga profesori Alberto Bardelli, drejtor i Laboratorit Molekular të Onkologjisë në Irccs Candiolo (Torino), ka dalë në përfundimin se  ilaçi antikancerogjen Amg510 është një frenues i mirë i gjenit KrasG12C.

Ky gen është i pranishëm te njerëzit që vuajnë nga kanceri në mushkëri, ai i zorrës së trashë dhe pankreasit.

Përdorimi i ilaçit, megjithëse është akoma në një fazë eksperimentale, ka treguar rezultate mjaft premtuese.

Falë modeleve in vitro, shkencëtarët kanë vënë re se ky medicament sulmon qelizat e kancerit të mushkërisë, ndërsa për atë të zorrës së trashë, e pengonte rritjen e qelizave kanceroze vetëm për një periudhë të shkurtër kohe.

Duke sulmuar receptorët e faktorit të rritjes epidermale, studiuesit treguan se modelet e kancerit të zorrës së trashë, të trajtuar me frenuesit KRASG12C mund të bllokojnë përhapjen dhe të shkaktojnë vdekjen e qelizave tumorale. Tani pas testeve laboratorike, pritet që të nisë eksperimentimi i këtij ilaci tek njerëzit.


Flash Lajme

Më të lexuarat