Përshtati në shqip: Arlinda Rexhmati

Gjenevë – Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se shpërthimi i koronavirusit nuk i përmbush akoma kriteret për të qenë një pandemi, por paralajmëron se një pandemi është e mundur dhe shtetet duhet të përgatiten për këtë.

Tashmë janë shënuar më shumë se 78,000 raste të virusit në Kinë dhe më shumë se 3,000 në vende të tjera, dhe bilanci i përgjithshëm i vdekjeve ka kaluar mbi 2,700 të tilla. Rritja e papritur e rasteve të koronavirusit në Korenë e Jugut, Iran dhe Itali, ditët e fundit, ka krijuar frikën se ajo çfarë ishte një epidemi mund të jetë duke u kthyer në një pandemi.

Drejtori i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus, thotë se virusi ka potencial për t’u bërë një pandemi, por ajo kohë nuk ka ardhur akoma.

“Vendimi ynë nëse duhet të përdorim apo jo fjalën pandemi për të përshkruar një epidemi bazohet në një vlerësim të vazhdueshëm të përhapjes gjeografike të virusit, seriozitetin e sëmundjes që shkakton dhe impaktin që ka në të gjithë shoqërinë,” u shpreh Tedros.

Ai thotë se kjo nuk është akoma një pandemi, por një seri epidemish në pjesë të ndryshme të botës, që kërkojnë një përgjigje të përshtatur për të kontrolluar përhapjen e sëmundjes.

“Duhet të fokusohemi në kontrollin dhe përmbajtjen e virusit duke bërë gjithçka që mundemi për t’u përgatitur për një pandemi potenciale,” tha Tedros. “Nuk ka një qasje që t’i përshtatet çdo shteti. Secili prej tyre duhet të bëjë vlerësimin e riskut të vet sipas kontekstit të vet.”

Grejtori i OBSH thotë se agjensia e tij vazhdon të kryejë vlerësimin e saj të riskut dhe po monitoron zhvillimin e epidemisë minutë pas minute. Sipas tij ekzistojnë një sërë masash që shtetet duhet të marrin në mënyrë që të mbrojnë veten dhe njerëzit e tyre.

Të gjitha vendet, thotë ai, duhet të mbrojnë punonjësit e shëndetësisë, të cilët janë në vijën e parë të frontit të luftës ndaj sëmundjes vdekjeprurëse. Përveç kësaj, duhen marrë masa për mbrojtjen e të moshuarve me probleme të tjera shëndetësore, të cilët janë më të rrezikuarit për t’u sëmurur rëndë.

Një lajm i mirë, thotë Tedros, është se ekspertët ndërkombëtarë që po hetojnë origjinën dhe evolucionin e sëmundjes në Kinë kanë zbuluar se epidemia arriti kulmin dhe filloi të shënontë rënie mes 23 janarit dhe 2 shkurtit.

Ekspertët thonë se rastet po bien në një mënyrë sistematike. Sipas tyre nuk ka pasur ndryshime në ADN – në e virusit. Shkalla e fataliteteve në provincën e Wuhan, në Kinë, epiqendrën e sëmundjes, është mes dy dhe katër përqind; jashtë Wuhan është më pak se një përqind.

Burimi: VOA


Flash Lajme

Më të lexuarat