Pandemia e Covid-19, dhe karantina prej gati 8 muajsh, ndikoi negativisht edhe tek muzikantët e “Live-it” të cilët nuk u lejuan të këndonin.



Një ndër ta është dhe kantautori i njohur, Elton Deda, i cili i ftuar në Spotlight ka rrëfyer vështirësitë që ka hasur ai në ushtrimin e profesionit në këtë periudhë.

“Vjen një moment që në këto kushte, nuk kemi ç’të bëjmë më. Është një pandemi botërore, një situatë shumë e keqe në të gjithë botën dhe ne duhet të përshtatemi me këtë gjë. Nuk do përshtatemi duke u rialokuar, por me disa platforma, të cilat fatkeqësisht do fillojnë ta zvogëlojnë pak publikun.

Derisa kjo flamë të marrë fund, ne do përfundojmë që njerëzit të na ndjekin përmes real-time ne duke luajtur në një studio. Do sajohen gjëra.

Në këto momente… është një asfiksi dhe sinjali im i mençur… mendoj që në këto kushte jam treguar i mençur, kam kursyer disa para dhe thjeshtë jam duke tretur dhjamin tim.

Deda u shpreh optimist duke shtuar se, së shpejti do përqafohemi dhe do t’i rikthehemi jetës normale.

“Bota, nuk është hera e parë që po përjeton një gjendje pandemie, ka patur edhe herë të tjera. Ne jemi qenie e përshtatshme, ama anën sociale nuk do ta bëjmë robotike dot, të paktën dhe për disa vjet.

Është një fat i mirë ky lloj globalizmi, sepse filluan kërkimet për vaksinën. Shumë shpejt do kemi një vaksinë, jam shumë i bindur për këtë, sepse ka gjunjëzuar gjithë botën, jo vetëm Shqipërinë.

Në momentin që do dalë vaksina, psikologjia e njerëzve ndryshon, rastet ulen dhe baret avash avash do të hapen dhe unë jam i bindur që nga prilli ose nga maji do kemi edhe koncerte. Do t’i rikthehemi një jete ashtu siç e kemi patur.

Disa gjëra do ndyshojnë tek ne, por ne prapë do përqafohemi nëpër klube, njerëzit do bëjnë qejf, sepse është një anë njerëzore”, u shpreh ai.


Flash Lajme

Më të lexuarat