Juventus nuk ka ndërmend të ndalet në merkaton e kësaj vere. Bardhezinjtë deri më tani kanë siguruar shërbimet e Ramsey dhe Rabiot me parametra zero, ndërkohë që janë në detajet e fundit për De Ligt dhe Buffon, të cilët mund të zyrtarizohen shumë shpejtë.

Gjithsesi plani i drejtuesve të ekipit torinez duket se është për të ndërtuar një ekip të frikshëm nën drejtimin e Sarrit. Sipas gazetës “Repubblica”, ka rilindur ideja për të rrëmbyer portierin e Milanit, Gigi Donnarumma.

Drejtuesit e “Zonjës” kërkojnë të sjellin në Torino, portierin e talentuar italian dhe të blindojnë portën, për vitet e ardhshme. Szczesny mund të përfundojë te PSG-ja, Perin te Milani dhe Juventusi ia besojë portën e saj “Donnarumma-s, edhe pse do të rikthehet Buffon.

Plani është ende në kuadrin e idesë, pasi asgjë deri tan i nuk ka lëvizur në një mënyrë zyrtare. Sipas kësaj medie, ideja është në fazën e gjenezës dhe vështirësitë që do të hasen do të jenë shumë të mëdha. Lehtësuese për Paraticin do të jetë marrëdhënia e mirë që ka me Raiolën, të cilit i janë plotësuar gjithmonë qejfet me komisionet që ka marrë. Ky plan është vetëm një zë në merkato, por nuk dihet ende nëse pas saj ka baza reale, që në të ardhmen mund ta bëjnë operacionin serioz.

Ky transferim mund të miratohet edhe nga Maldini me Boban, pasi kuqezinjtë janë në vështirësi financiare dhe kërkojnë që të grumbullojnë sa më shumë kapital për të ndërtuar një ekip kompetitivë për trajnerin Giampaolo. Mino Raiola duket se është karta fituese për Juventusin, duke i dhuruar disa nga futbollistit më të mirë në qarkullim. Me Donnarumma-n dhe De Ligt, kampionët e Italisë fitojnë shumë kualitet, por edhe ndërtojnë një të ardhme të sigurt përpara. /R.Lika-Koha Jone/

Flash Lajme

Më të lexuarat