Pas mbylljes së aventures europiane ku u eliminuan nga Qarabag në Champions League dhe nga Sheriff Tiraspol në Europa League, Partizani tashmë mendon për sezonin e ri në Kategorinë Superiore.

Disa futbollistë kanë përfunduar, ndërkohë që  nuk mungojnë edhe çështjet e tjera që mund të sjellin një riformatim të mëtejshëm te kampionët e Shqipërisë.

Duke nisur që nga drejtimi teknik, marrëdhënia e trajnerit Franco Lerda me ndihmëstrajnerët Dritan Mehmeti dhe Corado Sacone është publikisht e kompromentuar, megjithatë mbetet për t’u parë nëse është krejtësisht e parikuperueshme dhe këtu i rëndësishëm është pozicionimi që do të mbajë klubi. Do të tentojë një ripajtim mes palëve apo do të zgjedhë të sakrifikojë njërën prej tyre, më konkretisht trajnerin pozitat e të cilit kishin nisur të lëkundeshin para sfidës së kthimit me Sheriff Tiraspolin ose ndihmësit e tij.

Nuk përjashtohen ndryshime për sa i përket organikës, Jasir Asani është një lojtar transferimi i të cilit në një kampionat të huaj u paralajmërua që në fundin e sezonit të kaluar, madje nga vetë menaxheri i futbollistit. Ndeshja e fundit ka shërbyer edhe si një vitrinë për 24-vjeçarin e ndjekur nga skautët e disa skuadrave dhe nëse gjatë aventurës europiane largimi i talentit ishte i pamundur tani në klub mund të dëgjojnë ofertat dhe në rast të një propozimi të leverdishëm për arkat e 16 herë kampionëve futbollisti nga Shkupi mund të lërë Kategorinë Superiore ku spikati si një ndër lojtarët me më tepër potencial teknik të kampionatit.

Në grup ndërkohë nuk përjashtohen lëvizje edhe për sa i përket lojtarëve që mund të jenë të pakënaqur me minutat e aktivizimit apo pjesën në projektin e ri teknik, më i përfoluri për momentin Mensah për të cilin madje nuk kanë munguar zërat se kërkon largimin. Të gjitha situata për t’u menaxhuar në etapën e dytë të verës, atë post pjesëmarrjes në kompeticionet europiane. Klubi i kuq kërkon të vijojë ecurinë fantastike në sezonin e fundit, teksa nuk do ta ketë aspak të thjeshtë ndaj një Kukësi që është forcuar ndjeshëm pas afrimit edhe të trajnerit të ri Shpëtim Duro.

Flash Lajme

Më të lexuarat