Trajneri i kombëtares së Francës, Didier Deschamps ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp një ditë para përballjes ndaj Shqipërisë. Strategu i transalpinëve nuk i ka kursyer elozhet për kuqezinjtë tanë, ndërkohë që ka evidentuar faktin se historia ka treguar se s’ka pasur ndeshje të thjeshta.

“Është një kombëtare që ka ndryshuar trajner, duke emëruar Edoardo Reja-n të cilin e kam njohur mirë në Itali. Ata kanë ndryshuar sistemin e lojës, duke kaluar me 3 qendërmbrojtës në muajin qershor. Nuk dua të evidentoj ndonjë lojtar në veçanti, por mund të flas për Mavraj, i cili është ‘bosi’ i mbrojtjes. Ndoshta do të përdorin të njëjtin sistem ndaj nesh. Nuk është asnjëherë e thjeshtë të përballesh me një mbrojtje me 5 të kundërshtarit. Janë koherent dhe të disiplinuar. Duhet të gjejmë hapësira dhe të sillemi në mënyrë korrekte nga ana teknike. Do të jemi të kujdesshëm, veçanërisht sepse historia na ka treguar se s’kemi pasur ndeshje të thjeshta ndaj Shqipërisë.

Mungesat e shumta? Jo, nuk kam frikë. Kemi shumë mungesa, por ka shumë futbollistë të tjerë që na bëjnë të ndihemi kompetivë. Humbën ndaj Turqisë, por kemi edhe 6 ndeshje, ne e dimë se çfarë të bëjmë. Nuk do t’u kërkoj sulmuesve që të bëjnë atë që bën Kylian Mbappe. Nuk janë të të njëjtit profil. Por përveç Guendouzi dhe Ikone, futbollistët e tjetër e njohin boshtin e ekipit.

Analiza pas humbjes me Turqinë? Sigurisht që do ta rishohë për ndeshjen e kthimit. Gjithmonë ka një shpjegim për humbje, performanca në atë ndeshje ishte aq e dobët sa është më mirë që të ndryshojmë faqe. Së pari, objektivi është që të zëmë vendin e parë në fund. Renditja po bëhet e vështirë, para se të mendojmë për humbjen me Turqinë, kemi ende shumë ndeshje”, deklaroi Deschamps para mediave. /Rozalb Lika-Koha Jone/

Flash Lajme

Më të lexuarat