Juventus jo vetëm që nuk përfiton nga ndalesa e Interit, por pëson një humbje të befasishme 1-3 nga Lazio në “Olimpico” në një duel që dhuroi shumë emocione. Kjo ishte disfat e parë sezonale për ekipin torinez.

Bardhezinjtë e nisën mjaft mirë ndeshjen duke gjetur golin e avantazhit në minutën e 24-t, me Cristiano Ronaldon, i cili realizoi pas një kombinimi të bukur me Bentancur. Kundërpërgjigja e Lazio nuk do të vononte, pasi në shtesën e pjesës së parë, Luiz Felipe kërceu mjaft mirë me kokë.

Në pjesën e dytë ndeshja dhuron një ritëm të çmendur me raste të shumta në të dyja krahët. Momenti që do të ndryshonte ndreshjen do të ishte kundërsulmi i Lazios në të 69-n, aty ku Cuadrado ndëshkohet me karton të kuq si lojtari i fundit.

Lazio e shfrytëzon më së miri avantazhin numerik, duke gjetur avantazhin edhe në numrin e golave. Sergej Milinkovic-Savic kontrollon në mënyrë spektakolare topin në minutën e 74-t dhe më pas e dërgon sferën në fundin e portës. 3 minuta më pas Lazio kishte mundësinë për të shënuar golin e tretë me Immobilen nga pika e bardhë, por Szczesny e ndal dy herë.

Në fundin e shtesës Caicedo shënoi golin e tretë që vulosi rezultatin e ndeshjes. /R.Lika-Koha Jone/

Flash Lajme

Më të lexuarat