Kristi Qose mund të jetë risia e Kristian Panuçit për dy ndeshjet e para eliminatore të Kampionatit Europian 2020. Mesfushori me origjinë nga Korça ka zhvilluar një sezon të shkëlqyer në Sllovaki me ekipin e Ruzomberokut dhe ka tërhequr vëmendjen e trajnerit të Kombëtares shqiptare.

Ky i fundit ka vendosur që ta grumbullojë për dy sfidat ndaj Turqisë dhe Andorrës, më 22 dhe 25 mars. Burime bëjnë me dije për “Panorama Sport” se Qose do të jetë në listën e futbollistëve që italiani do t’u besojë në këtë nisje të rrugëtimit për t’u kualifikuar në Europian.

“Goleador”- Kristi Qose është 23 vjeç dhe ka lindur në Korçë. Mirëpo, karrierën si futbollist e ka zhvilluar jashtë vendit duke pasur aventura dhe eksperienca të shumta në kampionatin grek. Nuk ka arritur të lërë gjurmë vitet e shkuara, por ky është sezoni më i mirë i karrierës së tij.

Pavarësisht se roli i tij natyral është mesfushor shkatërrues, Qose ka arritur të shënojë 6 gola për ekipin e tij dhe e ka ndihmuar që të marrë rezultate pozitive në kampionatin sllovak. Ka luajtur 18 ndeshje nga 21 të mundshme në kampionat.

Flash Lajme

Më të lexuarat